Shkon në 200 mijë numri i turistëve që kanë zgjedhur Sarandën për të pushuar. Statistikat që i referohen informacioneve të marra në rrugë zyrtare nga terminali i Portit Detar të Sarandës, si dhe nga pikëkalimet kufitare të Qafë Botës e Kakavijës, flasin për rritje të interesit të turistëve të huaj.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Top Channel njofton se flukset e vizitorëve dhe turistëve të shtatë muajve të vitit 2010 vlerësohen 10 për qind më të larta.
Këtë e konfirmon edhe drejtori i Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Sarandës, Aristotel Bita. Sipas tij, në strukturën e turistëve të këtij viti, pjesën më të madhe e zënë pushuesit vendas, ndërsa të huajt zënë 46 për qind.
Shifra prej 200 mijë turistësh konsiderohet optimiste nga drejtoria e turizmit në bashki, ndërkohë shpresohet që buxheti do të shtohet dukshëm pasi shifrat do të kapin nivelin e 500 mijë pushuesve këtë vit. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt