Beçaj apel Presidentit: Dekretoni gjyqtarët e rinj
TIRANE- Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj i bën apel presidentit të Republikës të plotësojë vendet vakante të gjykatës të krijuara që prej 2 majit 2009.
“Rastet e përsëritura që kjo gjykate lihet me vende vakante për një kohë të gjatë na detyrojnë të ngrenë zërin që kjo situatë e krijuar të mos zgjasë shumë, dhe të mos vërehen raste të tilla në të ardhmen. Ngarkesa në çështjet në Gjykatën e Lartë është e madhe dhe ato shtohen nga njëri vit në tjetrin. Në këtë gjykatë gjykohen çështje të rëndësishme, të vështira e delikate, gjykimi i të cilave kërkon punë të madhe, angazhim serioz e përgjegjësi të lartë”, - tha Beçaj.
Numri një i gjykatës supreme, theksoi se pavarësisht përpjekjeve që gjykata të funksionojë normalisht ka pasur dhe zgjatje të kohës për përfundimin e gjykimit të çështjeve dhe mosfunksionimin e Kolegjeve te Bashkuara për unifikimin e praktikes gjyqësore. Dje gjatë betimit të gjyqtarit me të ri të Gjykatës së Lartë, Medi Bici, kryetarja Beçaj, bëri apel kreut të shtetit “t’i kushtojë vëmendjen e duhur dhe të gjejë mirëkuptimin parimor për plotësimin e vendeve vakante në gjykatën e Lartë”, duke theksuar që është një detyrim kushtetues që duhet plotësuar në kohën e duhur.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt