Bruksel, 7 korrik – Bashkimi Evropian është i gatshëm për bisedime rreth statusit të veçantë për veriun e Kosovës në përpjekjet për të gjetur një kompromis përfundimtar ndërmjet Beogradit e Prishtinës, shkruan “EU Observer”, të cilin e transmetojnë mediet e Beogradit. Bisedimet rreth kësaj çështje do të mund të fillonin posa të marr vendimin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Zgjidhja e problemit në veriun e Kosovës, për cilin angazhohen diplomatët evropianë, do t’u bënte të mundur serbëve të atjeshëm një lloj statusi special, të ngjashëm me atë të aplikuar në Tirolin Jugor, dhe në Irlandën Veriore, por pa hapur negociatat rreth statusit ose ndarjes së Kosovës.
“Autoritetet në Beograd do të duhej të demonstronin qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës, por pa detyrimin të njohin pavarësinë”, shkruan “EU Observer”, duke theksuar se veriu i Kosovës, përkatësisht rreth 10 % e territorit në veri të Ibrit, nuk do të ndahej plotësisht ashtu siç është ndarë Republika Srpska në BeH.
Megjithatë, serbët në veri të Kosovës do të gëzonin autonomi të plotë, më të madhe nga ajo e paraparë me planin që e ka hartuar ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari, kurse garantues të asaj autonomie do të ishin Prishtina dhe Beogradi.
Në matematikën e komplikuar, që e kanë prezantuar diplomatët perëndimorë, Serbia nuk do të ishte e detyruar të njoh pavarësinë e Kosovës, por do të duhej të mbante qëndrim konstruktiv ndaj pjesëmarrjes së Prishtinës në organizatat rajonale, tregti...si kundërshpërblim Serbisë do t’i ofrohej rrugë e lehtësuar për anëtarësim në BE.
“EU Observer” thekson se Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe tashmë ia kanë tërhequr vërejtjen Serbisë se përpjekjet që të rifillojnë negociatat mbi statusin e Kosovës nuk do të hasin në përkrahje, duke propozuar që Beogradi dhe anëtarët e BE-së të hartojnë një projektrezolutë të përbashkët pasi të publikohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës.
“Pala serbe e ka hedhur poshtë këtë propozim dhe ka vendosur të hartojë vet projektrezolutën, të cilën në shtator do ta prezantojë para Asamblesë së Përgjithshme të KB”, shkruan “EU Observer”, duke theksuar se anëtarët e BE-së ia kanë tërhequr vërejtjen Beogradit se “fushata në Asamblenë e Përgjithshme të KB kundër BE-së për Kosovën do të kenë pasoja të pashmangshme për fatin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim në BE”.
Mirëpo, nëse Serbia nuk do të lobojë me agresivitet dhe të shmangë fushata të zjarrta, dhe nëse toni i rezolutës do të jetë i pranueshëm për anëtaret e BE-së, Londra, Parisi dhe Berlini janë të gatshme që në tetor të nisin procedurën e kandidimit të Serbisë për anëtarësim në BE, përfundon shkrimi.
Krijoni Kontakt