Autobusi bie në lumin Fan, 6 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur
Rrëshen, 17 korrik (E plotësuar) - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz, në Shqipëri, ku një autobus ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 400-500 metra në një greminë, ka njoftuar media shqiptare.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet për 6 persona të vdekur mes të cilëve edhe fëmijë, dhe mbi 20 të plagosur. Mirëpo, nuk dihet ende numri i saktë i pasagjerëve që ndodheshin ne automjetin e aksidentuar.
Sipas BalkanWeb, autobusi ishte nisur nga Tirana drejt Fushë Arrëzit dhe ka rënë në lumin Fan i Madh në komunën e Gjegjanit (në foto shihet vendi ka është shkaktuar aksidenti tragjik).
Të gjitha autoambulancat e Rrëshenit janë angazhuar për të transportuar të plagosurit në spital, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion mjete për transportimin drejt Tiranës të atyre që paraqiten në gjendje të rëndë.
Ndërkohë janë angazhuar edhe automjete civile për transportimin e të plagosurve drejt spitalit të Rrëshenit dhe Pukës.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë të ditur se banorët e fshatit dhe autoritetet janë vënë në lëvizje për të nxjerrë të plagosurit nga gremina ndërsa sipas dëshimve në News24 numri i viktimave pritet të rritet. Pasagjerët kanë dalë nga dritaret gjatë momentit të rënies, ndërsa numri i personave që udhëtonin në autobus nuk bëhet ende i ditur.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Ndërkohë me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha është ngritur një shtab emergjence për ngjarjen e rëndë. Kreu i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe forca të shumta të RENEA-s kanë udhëtuar drejt komunës Gjegjan. /koha/
Krijoni Kontakt