Emirjon Senja
TIRANË- Shqiptarët do të duhet të mësohen që për çdo blerje apo shërbim të marrin dhe të ruajnë faturat. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë fushatë sensibilizimi por me fillimin e zbatimit të ligjit për deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Ashtu siç ishte paralajmëruar muaj më parë, qeveria ka ndryshuar ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat" duke detyruar çdo familje që në fund të vitit të plotësojë një formular në të cilin të pasqyrohen të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë 12 muajve, të cilat gjithashtu duhet të jenë të vërtetuara me faturat përkatëse. Ligji pritet të ketë një shtrirje shumë të gjerë thuajse në të gjithë të punësuarit në privat ose sektorin publik në vend, pasi deklaratën tatimore do të duhet ta plotësojnë të gjithë ata që kanë më shumë se 200 mijë lekë të ardhura vjetore nga paga si dhe të vetëpunësuarit që qarkullojnë më shumë se 2 milionë lekë gjatë vitit.
E gjithë kjo bëhet në shërbim të vjeljes së tatimit mbi fitimin në masën 10 për qind ose marrjen e një kompensimi nga ana e qytetarëve nëse diferenca midis të ardhurave bruto dhe shpenzimeve është negative. Kështu, pas plotësimit të deklaratës tatimore, administrata tatimore bën llogaritë midis të ardhurave dhe shpenzimeve e më pas shumën e dalë e taton me 10 për qind, e cila sipas legjislacionit në fuqi përbën të ardhurën e tatueshme. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore. Nëse në fund të përllogaritjes diferenca është pozitive, qytetari është i detyruar që brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës tatimore të paguajë tatimin. Nëse diferenca është negative, tatimet ia kthejnë deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqimin e tij, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues. Nëse deklaruesi do të preferojë që shumën ta marrë me para në dorë, ajo do të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit që pason periudhën tatimore.
Në kahun e shpenzimeve do të zbriten gjatë përllogaritjes, pagesat e kontributeve shoqërore e shëndetësor; interesat bankare të kredive të marra për shkollim si dhe shpenzimet që janë bërë për mjekim për deklaruesin, fëmijët apo personat që ai ka nën kujdestari. Në këto të fundit, bëhet fjalë për shpenzimet që janë bërë në rastet kur ata kanë qenë të pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.
Në gjithë këtë, vlerë thelbësore do të ketë marrja dhe ruajtja e faturës për çdo shpenzim apo të ardhur. Plotësimi me informacion të gabuar apo të rremë të deklaratës tatimore dhe mos korrigjimi i saj brenda kufijve ligjorë të lejuar apo vonesat në plotësimin e saj konsiderohet si shkelje e rendë nga organet tatimore duke parashikuar madje edhe ndjekje penale për deklaruesin. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, pritet të dalë edhe një udhëzim i Ministrisë së Financave në të cilën do të përcaktohen hollësisht të gjitha veprimet që do të ndiqen nga deklaruesit dhe administrata tatimore si dhe detyrimet që do të ketë secili deklarues duke iu referuar të ardhurave dhe shpenzimeve.
Megjithëse ndryshimet në ligj janë bërë që tani, ai pritet të fillojë së zbatuari nga fillimi i vitit 2012 ku gjatë tre mujorit të parë, qytetarët do të duhet të plotësojnë formularët për të ardhurat dhe shpenzimet që kanë bërë gjatë vitit 2011.
Krijoni Kontakt