Prishtinë, 26 korrik 2010 - Ndonëse ideja e shprehur kohëve të fundit për t'i dhënë një autonomi apo status special veriut të Kosovës është kundërshtuar nga qeveritarët dhe opozita, ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristopher Dell, pohon të kundërtën. Pas vendimit të GJND-së pro pavarësisë së Kosovës, gjatë një brifingu në Washington, Dell nuk ka përjashtuar mundësinë që Beogradi dhe Prishtina të diskutojnë një autonomi eventuale për serbët në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas gazetarëve, gjatë qëndrimit në Washington ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. "E kam dëgjuar kryeministrin Thaçi, së paku njëherë publikisht, por shumë herë në biseda private, të thotë se është i gatshëm që “kreativisht" të shqyrtojë mënyrat në të cilat mund të respektohet natyra speciale e veriut të Kosovës, në kufijtë e vetë shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh se në Evropën e shekullit 21 ka vend për një status special, përkatësisht, ndoshta statusi është fjalë e gabuar - për natyrën e posaçme të rajonit brenda shteteve të pavarura. Që të jem më pak enigmatik, këtu mendojmë në rregullimet rajonale çfarë ekzistojnë në Belgjikë, Tirolin Jugor dhe në shumë zona të Evropës. Mirëpo, nuk jam në pozicion që të përgjigjem në emër të Prishtinës dhe Beogradit, dhe kjo është çështje për përfaqësuesit e këtyre vendeve", është shprehur Dell para gazetarëve në Washington, transmeton "Zëri i Ameirikës" në serbisht.
Krijoni Kontakt