Kushtetuesja, PD: Në gusht, seancë e jashtëzakonshme

Valentina Madani 31/07/2010 10:39:00

Halimi, konfirmon se mazhoranca nuk do të presë muajin shtator


Demokratët paralajmërojnë se brenda muajit gusht do të mbledhin Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese pas skadimit të mandatit.

Nisur nga vonesat e krijuara nga Presidenti Bamir Topi, Partia Demokratike do të nisë brenda pak ditësh aksionin e saj ligjor për të detyruar Presidentin e vendit që të respektojë afatet në emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Beteja e mazhorancës me kreun e shtetit nuk do të jetë vetëm deklarative, pasi sekretari i grupit parlamentar demokrat, Eduard Halimi, konfirmoi dje se mazhoranca nuk do të presë muajin shtator për të pasur konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.

"Unë do t’ju garantoj se ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që po ndodh, jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe jemi duke menduar në çdo moment për të zgjidhur këtë problem të madh, këtë akt të rëndë dhe të paprecedente që ka ndodhur, ku kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën”, - theksoi z. Halimi.

Deputeti demokrat garantoi më tej se mazhoranca ka të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetues, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyejë Kushtetutën, qoftë dhe nga ideja e tij se mund të mungojë një hapësirë ose një hapësirë tjetër, apo se mund tç ketë një vakum apo një vakum tjetër.

“Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka asnjë vakum, shteti ligjor nuk ka asnjë vakum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithkund. Sigurisht, ne institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese", - u shpreh z. Eduard Halimi, sekretar i grupit parlamentar të PD-së. Halimi vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme që në çdo moment të mbledhë Parlamentin qoftë edhe gjatë gushtit për të miratuar kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese, e drejtë propozimi e cila i njihet vetëm kreut të shtetit...

"PD, grupi parlamentar, ashtu siç ka treguar gjatë gjithë këtij viti një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme në ushtrimin e mandatit të popullit, është e gatshme të tregojë një përgjegjshmëri akoma më të lartë për t’u mbledhur, zhvilluar një seancë për t’i dhënë fund mungesës së kushtetutshmërisë së institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, siç është Gjykata Kushtetuese", - deklaroi z. Halimi.


Gazeta Standart