KUSH JANË TË RINJTË?


Kush janë ata dhe pse duhet të fokusohemi në ta e të kujdesemi për edukimin e tyre?


Të rinjtë janë shtresa më e re, shpresa dhe ardhmëria e popullit. Janë të fuqishëm, energjik dhe plot elan, andaj edhe janë shumë të efektshëm në çdo aspekt të veprimit të tyre, ngase kanë ambicie dhe jetën përpara. Roli veprues i tyre është shumë i rëndësishëm, sidomos kur dihet fakti se ata janë bartësit e radhës apo thënë ndryshe përgjegjësit e ardhshëm të bartjes dhe vazhdimit të emanetit të Zotit – Islamit. Për këtë arsye është obligim i yni t’i drejtojmë të rinjtë që këtë forcë dhe elan ta derdhin në rrugën e duhur. T’i vetëdijesojmë për rolin dhe obligimet e tyre ndaj Zotit, vetes, familjes dhe shoqërisë. Padyshim se kur përmenden të rinjtë, në këtë hyjnë meshkujt dhe femrat.

Rinia janë zgjedhur për një çështje madhore, andaj duhet të merremi me ta seriozisht! Janë të zgjedhur për të qenë zemra e Ummetit Islam, për të shprehur shpresat dhe dhembjet e tij dhe për ta udhëhequr në rrugën drejt realizimeve të qëllimeve të tij. Energjia e tyre është fuqia që lëviz Ummetin drejt përparimit dhe ngritjes, që e merr për dore në shkallët e lavdisë, derisa të ngrihet me popujt e tjerë. Atëherë, a i ka hije të zgjedhurit për këtë funksion që të mos e marrë me seriozitet këtë punë?! Andaj për të qenë të rinjtë tanë të këtillë, ne duhet të punojmë me ta, në mënyrë që ata të mos na zhgënjejnë në detyrën që iu është besuar. Nuk duhet lënë të bien nën ndikimin e emocioneve dhe faktorëve tjerë psikologjikë personal si dhe nën peshën e problemeve shoqërore, ekonomike dhe politike të rrethit ku jetojnë. Këta faktorë dhe të ngjashëm ua dobësojnë motivet e shëndosha dhe i mbulojnë me dyshime, e kështu mund të dalin nga udha.

Mendimi, kultura dhe sjellja e tyre do të prishej dhe jeta e tyre do të nyjëzohej. Kjo gjendje do të pasqyrohej në tërë Ummetin. Prandaj, për këtë lloj përkujdesen të gjithë popujt. Sepse janë të rinj, dhe popujt dëshirojnë që të rinjve t’u hapin dyert për të shprehur talentet e tyre, të ushtrojnë aftësitë e tyre, të orientojnë energjitë e tyre, të shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë, të plotësojnë nevojat e tyre, t’i mbrojnë nga viruset e lajthitjes dhe së kotës. Për ta janë themeluar institute dhe organizata, për ta projektohen programe të veçanta me qëllim edukimi dhe formimin e sjelljes, psikikës, mendjes, shpirtit dhe fizikut të tyre. Pse bëhet kjo?

Ngase, ata janë pasuria më e madhe e Ummetit dhe vetëm prej tyre varet përparimi dhe ngritja, me kusht që të jenë ashtu siç dëshiron Zoti ynë dhe Pejgamberi i Tij.

Cila është mosha e rinisë? Sipas pikëpamjes psikologjike, ajo është në mes vitit të pesëmbëdhjetë dhe të dyzetë të jetës së njeriut. Atëherë, ne po i drejtohemi një shtrese të madhe njerëzish në shoqëri: Nxënësve, studentëve, ministrave dhe atyre në poste të larta. Prandaj, njerëzit lakmojnë rininë. Të gjithëve ju pëlqen të jenë të rinj dhe të quhen ashtu.

Roli i të rinjve është i madh në bartjen e emanetit, dhe dikush mund të thotë: Pse nuk themi roli i burrave, por themi i të rinjve?!

Lidhur me këtë mund të themi duke u përgjigjur në dy aspekte:

Aspekti i parë:

- Siç u tha edhe më lartë, të rinjtë në çdo kohë dhe vend dhe në të gjitha periudhat e historisë deri në ditët e sotme janë shtylla e Ummetit Islam, janë sekreti i ngritjes së tij, krenarisë, kulturës dhe civilizimit islam, janë bartës të flamurit dhe komandantët e famshëm të fitoreve të tij. Siç e dimë, a nuk ishte grupi i parë i besimtarëve që mblidheshin në shtëpinë e Erkamit në mëngjesin e hershëm të Thirrjes Islame i përbërë kryesisht nga të rinjtë që ishin në moshën më energjike, larg sherrit dhe të keqës, të mbrojtur nga e kota, grup i moralshëm, popull i sabrit dhe i xhihadit.

Aspekti i dytë:

- E kemi për obligim të kujdesemi për të rinjtë sikur që është kujdesur edhe vetë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për formimin e plotë të tyre, përgatitjen e tyre për bartjen e emanetit të Islamit dhe përgjegjësive.

-Duhet të angazhohemi për formimin e tyre dhe t’ua mbjellim bindjen e përcjelljes së Allahut dhe frikës prej Tij, haptas dhe fshehtas. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë në hadithin që e transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Ja’la: “Allahut i pëlqen i riu që nuk ka devijime e shtrembërime.”

-Duhet të përpiqemi t’i formojmë ata duke i mësuar t’i përmbahen fesë së Allahut dhe t’i nënshtrohen vetëm Atij. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë në hadithin që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i strehojë nën hijen e Tij atë ditë kur nuk ka hije tjetër pos hijes së Tij (e njëri prej tyre është): I riu që ka jetuar duke e adhuruar Allahun.”

-Në ftesën e të rinjve duhet shfrytëzuar të gjitha mundësitë për formimin e drejtë të personalitetit të tyre shpirtëror, moral, mendor, trupor dhe psikologjik.

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë në hadithin që e transmeton Hakimi:

“Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para angazhimit, rininë para pleqërisë dhe pasurinë para varfërisë.”

-Duhet vetëdijesuar të rinjtë për llogarinë dhe përgjegjësinë që kanë para Zotit të botëve në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë në hadithin që e transmeton Tirmidhiu:

“Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Kijametit derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij, në çka e kaloi; për rininë e tij, ku e shfrytëzoi; për pasurinë e tij, si e fitoi dhe si e shpenzoi; dhe për diturinë e tij, çfarë bëri me të.”

-Duhet ruajtur epshet e të rinjve nga devijimi dhe çoroditja duke i mbrojtur me martesën ligjore të cilën e ka caktuar Allahu i Plotfuqishëm. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë:

“O ju të rinj! Kush ka mundësi të martohet le të martohet, ngase kjo është më e mirë për ta ruajtur syrin, dhe për ta mbrojtur nderin (avretin).”

Një realitet i gjendjes së të rinjve sot;

I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Personi do të jetë në Ditën e Gjykimit me atë që e do.”

Nëse i thua një të riu a të reje muslimane, që i do kaq shumë këngëtarët, aktorët dhe sportistët që nuk besojnë në Zot, se në Ditën e Gjykimit do të jetë me ta, habitesh se si mund të marrësh reagim pozitiv. Është e trishtueshme, por ata madje gëzohen për këtë prospekt. A nuk mjafton kjo për të na futur frikën në zemër?! Me kë do të jenë në Ditën e Gjykimit të rinjtë muslimanë? Shumica e tyre nuk mund të thonë as emrat e atyre me të cilët shpresojnë të jenë në atë ditë!

Ne muslimanët nuk jemi njerëz që nuk e duam këtë jetë (si mendon shumëkush, fatkeqësisht edhe nga vetë muslimanët). Ne jemi Ummet me Mesazh! Kur Rebi’ bin Amir r.a. qëndroi para mbretit të Persisë, ai e shqiptoi mesazhin e tij shumë qartë, siç duhet ta shprehë çdo musliman:

“Allahu na ka dërguar ta nxjerrim njerëzimin nga robëria ndaj krijesave në robëri ndaj Zotit të krijesave, nga ngushtica e jetës materiale në gjerësinë e kësaj jete dhe të jetës tjetër, nga padrejtësia dhe korrupsioni në drejtësinë e Islamit!”

Selam alejkum nga Ramazani.