NATO dhe BE kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e Kosovës, dhe do të ishte mirë që kështu të jetë derisa Kosova të bëhet pjesë përbërëse e Paktit NATO dhe e BE-së.
Nga Blerim Shala më 05.07.2010 në ora 12:00
Pavarësisë së mbikëqyrur (të Kosovës), po i vije fundi.
Kjo ishte njëra prej porosive kryesore të fjalimit të Hashim Thaçit, Kryeministrit të Kosovës, të para disa javëve (më saktësisht, të 8 qershorit), të transmetuar në televizionet tona nacionale.
Këtë qëndrim, Kryeministri Thaçi dhe ndihmësit e tij kryesorë e kanë përsëritur disa herë në ditët dhe javët vijuese, për ta shmangur kështu konkludimin e mundshëm që kishim të bëjmë me një porosi të parakohshme, sa për të testuar opinionin publik vendor dhe misionet ndërkombëtare të cilat në Kosovë janë të pranishme, pikërisht me mandat të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, tej këtij qëndrimi, as Kryeministri Thaçi dhe as zyrtarët tjerë të vendit nuk kanë dhënë shpjegime të detajizuara në justifikim të këtij vlerësimi kapital për zhvillimet e tanishme në Kosovë, dhe nuk kanë treguar se si dhe kur konkretisht do të ndodhë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në po të njëjtën ditë kur Kryeministri Thaçi dha këtë kumt të tij, EULEX-it, në Bruksel, iu vazhdua për dy vjet të tjerë mandati i tij si Mision për sundimin e Ligjit në Kosovë, që do të thotë se ky mision do të jetë në Kosovë së paku deri në qershorin e vitit 2012.
Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, përkrahja ndërkombëtare e stabilizimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës nëpërmjet të zbatimit të Propozimit të Presidentit Ahtisaari, është detyrë e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO-së), e EULEX-it dhe e KFOR-it (IMP-së, Pranisë ndërkombëtare ushtarake).
Kur thuhet, prej kujdoqoftë, që Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës po i vije fundi, kjo do të thotë që detyrat e dala nga Pakoja e Ahtisaarit, të cilat janë kodifikuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjet vendore, janë në përmbyllje e sipër, që Kosova tashmë është një shtet stabil, që nuk ka rrezik apo kërcënim për sigurinë e Kosovës, që integriteti territorial është i plotë, që rendi dhe ligji funksionojnë në gjithë territorin e Kosovës, që ka ndodh integrimi i komunitetit serb në të gjitha institucionet e Kosovës, që Forca e Sigurisë e Kosovës është shndërruar në një Ushtri të Kosovës, prandaj, në Kosovë nuk ka më detyrë për ICO-në, për EULEX-in dhe për KFOR-in.
Në fakt, thënë edhe më qartë, kjo do të thotë që Kosova, si shtet, ka bërë përparim të tillë, në të gjitha fushat, i cili e kualifikon atë për t’u afruar fuqishëm kah anëtarësimi në Paktin NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Duhet spikatur fare hapur: Tema e konkludimit të Pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, assesi nuk guxon të jetë një temë kinse patriotike, e këmbënguljes që Republika e Kosovës sa më parë të jetë sovrane, pa krijuar rrethanat kur mund të flasim për një shtet stabil. Është detyrë e përbashkët, e jona por edhe e faktorit ndërkombëtar, për ta bërë Kosovën shtet të qëndrueshëm. As ne dhe as ndërkombëtarët nuk mund të shpërgjegjësohemi prej këtij synimi. Sa më parë që kjo ndodh, aq më mirë. Por, gjendja e tanishme në Kosovë është larg asaj së dëshiruarës, të planifikuarës dhe të synuarës prej nesh dhe prej miqve ndërkombëtarë të Kosovës.
Nuk duhet harxhuar shumë fjalë në përshkrimin e të tanishmes kosovare, dhe në parashikim të së ardhmes së afërm. Kemi shumë telashe, dhe do të kemi edhe të tjera probleme në muajt vijues. Veriu i Kosovës është jashtë Rendit Kushtetues të Kosovës, Kosova është akoma larg anëtarësimit në OKB, nuk ka qëndrim unik as në BE karshi pavarësisë së Kosovës (dihet që pesë shtete anëtare të BE-së tutje nuk njohin shtetin e Kosovës), pritet të ketë bisedime të reja, qyshdoqoftë që ato definohen (teknike, politike, etj), në mes të Kosovës dhe Serbisë, institucionet e Kosovës kanë probleme të mëdha në përballjen me korrupsionin, gjyqësisë kosovare i duhet tutje përkrahja ndërkombëtare, Forca e Sigurisë Kosovare vetëm sa ka nisur rrugëtimin e saj drejt bërjes Ushtri e Kosovës, etj.etj.
Janë edhe një grumbull argumentesh të tjera, të cilat pos që vërtetojnë që realiteti i Kosovës dhe synimet tona janë hë për hë në shpërputhje të madhe, i shkojnë në favor konkludimit që Kosovës i duhet edhe për disa vjet të tjera prania e misioneve ndërkombëtare.
Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës, e gjithë politika kosovare në realitet, e kanë për obligim imediat madje, që duke analizuar rrjedhat në shtetin e Kosovës që prej 17 shkurtit (2008) e këndej, dhe duke marrë parasysh sprovat e parashikueshme në muajt dhe vitet e ardhshme, të përgatisin një Plan afatmesëm, 2-4 vjeçar, gjithsesi në partneritet të plotë me ICO-në, EULEX-in, KFOR-in, shtetet e Pesëshes së madhe, i cili do të përqendrohej në jetësimin e caqeve kryesore politike dhe të sigurisë, me qëllim të stabilizimit afatgjatë të shtetit të Kosovës.
Kur këto caqe do të përmbusheshin, atëherë do të mund të bisedohej edhe për përmbylljen e kaptinës mbikëqyrëse të shtetit të Kosovës, gjegjësisht për kalimin në një fazë të re të partneritetit të Kosovës me Washingtonin dhe me Brukselin, kur shteti i Kosovës do të përgatitej për arritjen e statusit final të tij: Të qenit pjesë përbërëse e Paktit NATO dhe e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Kosovës, objektivisht, edhe pas përmbylljes së fazës mbikëqyrëse, do t’i duhej prania sado simbolike qoftë e trupave të Paktit NATO, dhe gjithsesi, do t’i nevojitej prezenca e Bashkimit Evropian.
NATO dhe BE kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e Kosovës, dhe do të ishte mirë që kështu të jetë derisa Kosova të bëhet pjesë përbërëse e Paktit NATO dhe e BE-së.
Është koha, pra, për t’i bërë Planet e reja për kalimin prej fazës së parë kalimtare, të funksionimit të shtetit të Kosovës në atë kur Kosova do të jetë shtet i qëndrueshëm dhe stabil.
(Blerim Shala është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express)
Krijoni Kontakt