“Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!”
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!”
Kjo sure është emërtuar Kafirun – kaptina mbi jobesimtarët. Me pak fjalë mund të themi, meqë është sure e shkurtër dhe ka vetëm gjashtë ajete, ajo paraqet përmbledhjen e qëndrimit të jobesimtarëve, politeistëve, mynafikëve – të cilët fshehin mosbesimin brenda dhe shfaqin të kundërtën jashtë, dhe ateistëve; gjegjësisht qëndrimin e jomuslimanëve.
Po ashtu nga ana tjetër Allahu i Madhëruar e porosit Pejgamberin e tij (kjo vlen edhe për të gjithë besimtarët), që të mbaj(n)ë qëndrim në fenë e tyre dhe mos të lëkundet fare, mos të pranojë me ta asnjëfarë kompromisi.
Loja e djallit dhe e miqve të tij është e atillë, se kur nuk munden të të shmangin nga e vërteta tërësisht, atëherë orvaten pjesërisht. Këto intriga u bënë shkak i zbritjes së kësaj sure madhështore.
Ibën Abasi na e rrëfen këtë ngjarje, se Velid ibën Mugire, El-As ibën Vail, Esued ibën Abdulmutalibi dhe Umeje ibën Halefi e kanë takuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue sel-lem dhe i kanë thënë:
“O Muhamed, eja të adhurojmë atë që ti adhuron dhe po ashtu të adhurosh ato që ne adhurojmë, e kështu të bashkohemi ne dhe ti në çështjet tona. Nëse është ajo me të cilën ke ardhur ti, më e mirë se ajo që bëjmë ne, atëherë të kemi shoqëruar në të dhe kemi marrë hisen tonë nga ajo, e nëse është më e mirë ajo që ne bëjmë, se sa atë që ke sjellë ti, atëherë na ke shoqëruar në çështjen tonë dhe e merr hisen tënde prej saj.” Për këtë Allahu i Madhëruar ka zbritur “Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni!…”
Në një transmetim tjetër na përcillet, se mushrikët mekas nga injoranca e thellë që kanë pasur, i kanë kërkuar Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue sel-lem, që ai të adhurojë zotat e tyre një vit e këta pastaj të adhurojnë Allahun një vit dhe si shkak i kësaj ka zbritur sureja Kafirun.
Urdhri i Allahut në këtë sure, që ia përcjell pejgamberit të Tij:
“Thuaj: “O ju jobesimtarë!” i dedikohet të gjithë jobesimtarëve, të të gjitha llojeve. Të gjithë ata emëruesin e tyre të përbashkët kanë kufrin, mosbesimin. Allahu i Madhëruar shumë qartë dhe haptas e mëson Pejgamberin e Vet, që të shmanget tërësisht nga feja e tyre duke iu thënë atyre:
“Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni!”. Mirëpo i tregon atij, edhe nëse jobesimtarët pohojnë se do të adhurojnë Allahun, ajo nuk është e vërtetë. Për këtë shkak i ka thënë, që t’ua shprehi këtë që ata e fshehin brenda: “As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj!”
Dobi nga lëmi i tefsirit: në gjuhën arabe pjesëza “maa” mim me elif të gjatë përdoret për sende, ndërsa “men” mim dhe nun përdoret për frymorë. Mirëpo në këtë ajet “maa” është përdorur me kuptimin e pjesëzës “men”.
Allahu i Madhëruar në Kuran ka treguar për jobesimtarët, se kush janë, çfarë cilësish kanë, çfarë adhurojnë, kujt i vihen pas.
Për ta ka thënë:
“…Po ata (idhujtarët), nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë, megjithëqë prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi.” Nexhm 23.
Allahu që i njeh mirë krijesat e Tij, ua din të dukshmen dhe të fshehtën. Në shumë nga ajetet na ka treguar për jobesimtarët, ndërsa në këtë sure, suren Kafirun pra, na tregon qëndrimin përfundimtar.
Ngjashëm Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar Profetin t’u drejtohet me një pyetje retorike:
“Thuaj: “O ju injorantë, a mos më thirrni të adhuroj tjetër në vend të Allahut?” Zumer 64.
“Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni!”
- Pra qëndrimi edhe më i vendosur shihet në këtë ajet, që mos t’u lejë jobesimtarëve asnjë shpresë se ata mund të bëjnë ndonjë kompromis.
“Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj!”
- Ky ajet përsëritet në këtë sure me ajetin e tretë.
Ndodh në Kuran, që një ajet të përsëritet, dy apo më shumë herë dhe po ashtu i njëjti ajet të përsëritet në një sure tjetër. Me këtë përsëritje të këtij ajeti i bën jobesimtarët të dëshpëruar, që mos t’u shkojë fare ndër mend se mund të ndërrojë i Dërguari i Allahut nga qëndrimet e tij.
“Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!”
Kjo i përngjan ajetit 41 në suren Junus:
“Po nëse ata të përgënjeshtruan ty, thuaj: “Mua më takon (shpërblimi nga) vepra ime e juve veprimi juaj, ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë, e as unë për atë që bëni ju”.
Allahu i Madhëruar e ka dërguar këtë pejgamber për t’i përudhur njerëzit në Fenë Islame, por e ka porositur që vetëm t’ua kumtojë këtë fe, e mos të ushtrojë dhunë mbi ta. I ka thënë:
“Ti vetëm kumtoja atyre (ajo që të shpallet)”.
Po ashtu i ka thënë:
“E ti pra këshillo, se je vetëm përkujtues, Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues!” Gashije 21, 22.
Po të ndalemi te Kelime Teuhidi: fjalia “la ilahe il-lallah” (nuk ka të adhuruar me të vërtetë, përpos Allahut), e cila përbëhet prej dy pjesëve, mohim dhe pohim, sureja Kafirun paraqet pjesën e parë, gjegjësisht mohimin.
I nderuar lexues, lexoje suren Kafirun dhe analizoje me pjesën e parë të Kelime Teuhidit!
Ndërsa pjesën tjetër të pohimit e paraqet sureja Ihlas (Kul huvallahu Ehad). Prej këtu e kuptojmë pse Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem i ka lexuar këto dy sure në dy rekatet e sabahut dhe në vitër, sepse me këto dy sure e ka filluar ditën dhe më këto dyja e ka mbaruar. Shkak i zbritjes së kësaj sureje, siç përmendëm edhe më sipër kishte qenë se kurejshët i ofruan të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem pasuri, saqë të jetë ndër më të pasurit në Mekë, ta martojnë me cilën dëshiron nga gratë vetëm të mos ua sulmojë hyjnitë e tyre.
Mushrikët ishin të gatshëm të sakrifikojnë për idealet e tyre me pasuri dhe me gjithçka.
Ne si besimtarë muslimanë, sa jemi të gatshëm ta mbrojmë fenë tonë, sa jemi të gatshëm ta ndihmojmë fenë sonë? Më në fund, sa jemi të përqendruar në fenë tonë?
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem për të qartësuar mirë distancimin e tij nga jobesimtarët ka thënë:
“Kush ngjason me një popull, ai është prej tyre”.
Allahu i Madhëruar e ka lënë zgjedhjen e fesë në vullnetin e njeriut dhe ka thënë:
“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” Kehf 29
Allahu dëshiron që të gjithë të besojnë, por i ndëshkon ata që refuzojnë besimin, si për shembull mësuesi në shkollë: ai dëshiron të gjithë të mësojnë dhe t’i vlerësojë mirë të gjithë, por nuk mundet t’i vlerësojë ata që nuk mësojnë me nota të larta.
Po ashtu drejtori i një fabrike, i cili me plot të drejtë u thotë punëtorëve, kush punon do të marrë rrogën, por kush nuk punon do të marrim masa ndaj tij me mosdhënien e rrogës dhe me përjashtim. Kështu edhe Allahu për ata që refuzojnë të besojnë ka thënë:
“Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” Kehf 29.
Ndërsa për besimtarët ka thënë:
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës. Të tillët e kanë vendin në xhenetin e Adnit, nën të cilin rrjedhin lumenj; e aty stolisen me rrathë të artë dore dhe ata veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë, janë mbështetur aty në shtretër. Sa shpërblim i mrekullueshëm është dhe sa vend i bukur është ai.” Kehf 30, 31
Vlera e kësaj sure: Na përcjellin Muhamed ibën Nasër dhe Taberani në “El-Eusat” nga Ibën Omeri, se i Dërguari i Allahut ka thënë:
"“Kul huvallahu Ehad” e ka vlerën sa një e treta e Kuranit, ndërsa “Kul ja ejjuhel kafirun” e ka vlerën sa një e katërta e Kuranit dhe i ka lexuar këto dy sure në dy rekatet sunet të sabahut. "
Bejhakiu na përcjell në Shuabul iman nga Fervete ibën Neufel ibën Muavije El Eshxhei, e ky nga babai i tij, se i ka thënë Pejgamberit:
"O i Dërguari i Allahut, më mëso çfarë të them kur të shtrihem në shtrat. Ai i ka thënë: “Lexo “Kul ja ejuhel kafirun” e pasi ta mbarosh, fli se ajo është pastrim nga shirku.”
E lusim Allahun Fuqiplotë, që të na mbrojë nga njollat e kufrit, shirkut dhe nifakut. Amin.
Selam alejkum we rahmetullahi we berekatuhu!
Krijoni Kontakt