Xhamia 500-vjeçare zëvendësohet me objekt të ri

Prishtinë, 5 korrik – Përderisa Ministria e Kulturës nxjerr vendime që Xhamia Hatunije të rindërtohet ashtu siç ka qenë, gjendja në terren është krejt ndryshe. Bashkësia Islame ka dhënë urdhrin për hapjen e themeleve që në vend të objektit 500-vjeçar të kultit - të cilin e rrafshoi javë më parë - të ndërtojë një xhami të re. Projekti për xhaminë e re – një kopje të të cilit e ka siguruar edhe gazeta - tashmë është hazër. Sipas projektit, objekti i ri që do të ndërtohet nuk ka asgjë të përbashkët me atë të vjetrin. Në Bashkësinë Islame të Kosovës deklarojnë se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga realizimi i projektit të tyre, ani pse Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve ka nxjerrë dy vendime për ndërprerjen e punimeve. Numri një i Këshillit të BIK-ut, Bahri Sejdiu, thotë se kanë leje për ta realizuar planin e tyre. Në anën tjetër, zyrtarë të MKRS-së deklarojnë se së shpejti do të nisin hetimet për ata që rrënuan Xhaminë Hatunije në qendër të Prishtinës së vjetër, e cila që nga viti 2001 është në listën pararendëse të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Në Këshillin e Bashkësisë Islame, dega e saj në Prishtinë, thonë se duke qenë pronar të xhamisë, nuk do të lejojnë që punët në xhami t’i mbikëqyrë dikush tjetër. “Nuk do të lejojmë parashutistë”, ka thënë i kryetari i këtij këshilli, Bahri Sejdiu. “Qajshin me zë ata në Ministri të Kulturës se ish rrëzuar xhamia, e shumica e tyre nuk e kanë ditur as ku është kjo xhami, aq shumë që e njohin kulturën edhe qytetin të cilit i shërbejnë”, ka ironizuar Sejdiu.
Kryeimami i Prishtinës, Burhan Hashani, thotë se e ka të pa qartë kërkesën e Ministrisë së Kulturës, për të ndërprerë punimet, kur një institucion i saj ka dhënë vlerësimin për mos qëndrueshmërinë e asaj xhamie.
“Megjithatë në adresë tonën nuk ka ardhur asnjë shkresë për ndërprerjen e punimeve”, ka thënë Hashani.
Por ndryshe theksojnë në MKRS. Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Salih Morina, thotë se urdhrin për ndërprerjen e punimeve, në adresë të Bashkësisë Islame e kanë dërguar vetëm katër ditë (më 21 maj) pasi këta të fundit rrafshuan xhaminë. Me vendim urdhërohej Bashkësia Islame e Kosovës dhe punëkryesi që t’i ndërpresin punimet në rrënimin e Xhamisë Hatunije, si dhe kërkohej nga BIK që më pas të marrë veprimet e duhura dhe të zbatojë udhëzimet e marra nga Instituti i Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës. Kjo, sipas Morinës, nënkupton “kthimin e xhamisë në gjendjen e mëparshme”.
MKRS-ja, vetëm dy ditë më parë ka nxjerrë një tjetër vendim, sipas të cilit përcaktohet formimi i një komisioni tre anëtarësh. Sipas këtij vendimi të cilin e ka siguruar gazeta, komisionit do t’i prijë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Agim Gërguri. Detyrë e tij do të jetë inspektimi i punimeve në Xhaminë Hatunije, e nga kjo të hartojë një raport me shkrim dhe nëse ka nevojë të propozojë masat konform Ligjit për trashëgimi kulturore.
Në krejt këtë situatë, Morina, nuk ka përjashtuar angazhimin e gjykatës.
“Gjithçka që ka qenë në kundërshtim me ligjin do të iniciohet procedurë gjyqësore”, ka thënë Morina.
Arbër Hadri, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, ka thënë se qëndrimi i MKRS-së është i prerë: Xhamija Hatunije duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“Edhe pse në aspektin e vlerës së trashëgimisë kulturore ky është një element i diskutueshëm”, ka thënë Hadri.

Kryeimami i Prishtinës, Burhan Hashani, dhe kryetari i Këshillit të BIK-ut, Bahri Sejdiu, kanë thënë se projekti i ri për Xhaminë Hatunije është bërë në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Por në lejen e marrë nga komuna dhe në planin të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, kompania “Pro Cad Ing” është hartues i projektit të ri të xhamisë.
Arkitekti udhëheqës i këtij plani, Habib Ymeri, ka thënë të jetë konsultuar nga një projekt ideor, për të cilin nuk është i sigurt nëse e ka bërë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, si bazë për përpilimin e projektit kryesor.
Drejtues të këtij institucioni mohojnë që të kenë dhënë vlerësim që Xhamia duhet rrënuar. Në një përgjigje që kohë më parë i kishte dhënë gazetës, ish - drejtori i IKMMK-së, Baki Svirca, pati thënë se ekipi i tij ka bërë vlerësimin dhe ka ardhur në përfundim “se Xhamia Hatunije është jashtëzakonisht e dëmtuar përderisa prej viteve’70 deri në vitet ’90 i është ndërruar tërësisht struktura”.
Ndërkaq Fejaz Drançolli, i cili ka qenë udhëheqës i projektit të incizimit të gjendjes në Xhaminë Hatunije, gjithashtu ka mohuar t’i kenë dhënë dritë të gjelbër rrënimit të xhamisë. Megjithatë ai, nuk ka dashur të japë asnjë detaj më shumë për këtë çështje.
Në konkludimin e këtij raporti, i nxjerrë në vitin 2007, të siguruar nga gazeta, ndër të tjera thuhet se “duke parë gjendjen e mjerueshme të Xhamisë si trashëgimi kulturore dhe fetare në veçanti është e udhës dhe e mirë që të intervenohet në objekt, përkatësisht të bëhet rikonstruktimi i tij mundësisht duke ruajtur sadopak nga elementet origjinale të kohës”.
Në anën tjetër edhe Haxhi Mehmetaj, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës, thotë se që nga viti 2006 vlerësimi i tyre ka qenë që ai objekt duhet të konservohet, restaurohet dhe në asnjë mënyrë të rrënohet. “Tash qëndrimi ynë është që xhamia të kthehet në gjendjen e mëparshme. Ai objekt nuk e ka lejen që të ndërtohet i ri, por duhet t’i përshtatet arkitekturës së vjetër”, ka thënë Mehmetaj.
Por megjithatë ekziston një vendim për rrënimin e këtij objekti, i lëshuar që në vitin 2008 nga Drejtoria e Urbanizimit e Komunës së Prishtinës. Në leje për rindërtimin e xhamisë nuk përmendet askund që vendimi për rrënimin e kësaj Xhamie është marrë bazuar në vlerësimin e bërë nga IKMMK-ja. Por në anën tjetër pika VI e aktvendimit thotë se kjo leje ndërtimi vlen dy vjet nga dita e lëshimit. Xhamia Hatunije ka nisur të rrënohet më 17 maj 2010, 11 ditë pasi që lejes për rindërtimin e saj i ka skaduar afati.
Shefi i sektorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Mustafë Halili, ka kritikuar kolegët e tij nga Drejtoria e Urbanizmit që kanë vënë firmat në atë aktvendim.
“Është bërë gabim në rrënimin e saj”, ka thënë Halili.
“Me ndërtimin e një objekti të ri të Xhamisë ne kemi fituar një objekt fetar, mirëpo kemi humbur një objekt të rëndësishëm kombëtar në Prishtinë”, ka shtuar ai. /koha/