Vihet gurthemeli i kullës së Azem Galicës
Kulla e Azem Galicës nuk ishte vetëm një objekt banimi me vlera të traditës sonë të pasur të arkitekturës popullore, por edhe kështjellë e pamposhtur e qëndresës shqiptare ndër vite, thanë të pranishmit me rastin e vënies së gurthemelit të kullës së heroit të kombit Azem Galica.
Me rastin e 86-vjetorit të rënies heroike të Azem Galicës, të enjten në në fshatin Arbëri të Vogël të Vushtrrisë u vu gurthemeli i kullës së Azem Galicës, si dhe u kujtua lufta e tij heroike.
Vënia e gurthemelit është bërë nga Rifat Jashari, Jakup Krasniqi, Ali Ahmeti dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku. Kjo kullë do të ndërtohet me gurët e kullës së shkatërruar nga forcat serbe.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se kulla e Azem Galicës nuk ishte vetëm një objekt banimi me vlera të traditës sonë të pasur të arkitekturës popullore, por edhe kështjellë e pamposhtur e qëndresës shqiptare ndër vite.
“Sot po ngrehim themelet për të ndërtuar kullën kala të Azem Galicës për të kujtuar luftën heroike që bëri në krye të qetave çlirimtare për t’i bërë rojë zotit të kullës dhe fitores të atdheut të tij, dhe për të simbolizuar pavdekësinë e idealeve që ai përfaqësonte”, ka thënë Krasniqi.
Akademik Rexhep Qosja ka thënë se sot po vendosen gurthemelet e kullës që Azem Galica e ka bërë historike me jetën, luftërat dhe sakrificën e tij, e cila u bë frymëzim për gjeneratat e tjera.
“Kulla e Azem Galicës po rindërtohet me gurë të kullës së rrënuar që e ka rritur Azem Galicën. Kosova po gjen identitetin e vetë shtetëror jo vetëm në të sotmen, por edhe në të kaluarën e vet dhe po e gjen prapë në zemrën e saj, Drenicën”, ka thënë Qosja.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se vënia e gurthemelit të kësaj kulle është nderim dhe përjetësim i figurës dhe veprës së Azem Galicës.
“Ai u ngrit kundër gospodarëve, naqallnikve, krajlave e krajlive dhe fitoi disa dhe krijoi zona të lira, të cilat pa frikë mund t’i quajmë paraardhëse të Kosovës së lirë që po e gëzojmë ne sot”, ka thënë ai.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se populli ynë nëpër shekuj ka jetuar me lavdin e bëmave të heronjve të historisë, dhe më të drejtë radhitet ndër kombet e mëdha me histori të bujshme dhe heroike.
“Neve të gjallë na ka mbajtur porosia e madhe që buron nga vetë jeta dhe vepra e kryetrimit të Ballkanit të fillimit të shekullit të njëzet. E kemi për nderë dhe detyrë të përjetësojmë kujtimin e tij, vendin ku lindi dhe u rrit dhe ky gurthemel. Ky fillim simbolik që po shënohet sot për rindërtimin e kullës së Azem Galicës dëshmon se Kosova tashmë është bërë shtet dhe shtetin e vet e vërteton me kujdesin që po tregon për familjet e mëdha të kauzës sonë kombëtare”, ka thënë Ahmeti.
Një fjalë rasti kanë mbajtur edhe kryetari i KK të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, historiani Liman Rushiti dhe ish-deputetja Sala Ahmeti, ndërsa në emër të bashkëfshatarëve foli Bedri Tahiri, të cilët vlerësuan lart kontributin e Azem e Shote Galicës, duke thënë se Galicës dhe këtij kompleksi janë duke iu munguar edhe eshtrat e Shote Galicës.
Për të pranishmit u shfaq edhe një program kulturor-artistik. Ndërtimi i kësaj kulle është iniciativë e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë në bashkëpunim me PTK-në, e cila së shpejti pritet të dalë në treg me pullën e re postare me portretin e Azem Galicës.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim në komunën e Vushtrrisë është në procesin e iniciativës së kthimit të eshtrave të heroinës Shote Galica nga Fushë Kruja në kompleksin në Galicë. Kulla e Azem Galicës do të përurohet vitin e ardhshëm. /kosovapress/
Krijoni Kontakt