Përkujtimi i shpeshtë i vdekjes
Pejgamberi i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
"Përkujtoni shpesh shkatërruesin e kënaqësive d.m.th. vdekjen."
Përkujtimi i vdekjes të largon nga mëkatet dhe e zbut zemrën e vrazhdë. Nuk do të përkujtojë askush kur ka të këqija e që të mos i vijë më lehtë e as kur është mirë e që të mos i rëndohet. Vdekja më së miri përkujtohet gjatë vizitës së varreve. Për këtë, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka urdhëruar që të vizitohen varrezat, duke thënë:
"Ua kam ndaluar vizitën e varrezave, prej tani vizitojini ato, sepse ajo jua zbut zemrat, jua loton sytë dhe jua përkujton ahiretin. Dhe mos flitni për të keq."
Muslimanit i është e lejuar të vizitojë edhe varrezat e jobesimtarëve për të kujtuar vdekjen. Këtë e vërteton hadithi në të cilin transmetohet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kishte vizituar varrin e nënës së tij, kishte qarë dhe i kishte shtyrë të qanin edhe ata që kanë qenë me të. Ai kishte thënë:
"Kam kërkuar nga Zoti im që të më lejoj që të kërkoj falje për të dhe nuk më ka lejuar. Dhe kam kërkuar që të më lejoj të vizitoj varrin e saj dhe më ka lejuar. Pra vizitojini varrezat, sepse ato jua kujtojnë vdekjen."
Vizita e varrezave është mjeti më i mirë për zbutjen e zemrës. Ai që i viziton ka leverdi sepse i kujtohet vdekja, ndërsa të vdekurit kanë dobi prej duasë suaj, e cila është vërtetuar me sunet:
“Es selamu alejkum (shpëtimi qoftë mbi ju) banorë të varrezave, besimtarë dhe muslimanë, Allahu i mëshiroftë të parët dhe të fundit nga ne, edhe ne në dashtë Allahu, do t'ju bashkëngjitemi."
Ai i cili dëshiron të vizitojë varrezat duhet të përgatitet me sjelljet e tij, të jetë i pranishëm me zemër, qëllimi i tij duhet të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut dhe shërimi i zemrës, e pastaj të marrë shembull nga ata të cilët i kanë braktisur familjet e tyre. Të përkujtojë ata të cilët kanë qenë para tij dhe kanë shkuar, të cilët kanë punuar dhe arritur pasuri, se si u janë ndërprerë shpresat e as pasuria nuk i ka ndihmuar.
Dheu ka mbuluar bukurinë e fytyrave të tyre, pjesët e trupave të tyre po shkatërrohen në varreza, pas tyre kanë mbetur gratë e veja, kurse fëmijët e tyre i ka kapluar mallëngjimi i jetimëve. Varrezat vizitohen që t’i kujtohet vizitorit fatkeqësia e gabimeve dhe besueshmëria në shëndet dhe rini si dhe animi nga kënaqja e epsheve, ta kujtojë se edhe ai duhet të shkojë në atë rrugë. Duhet të kujtojë e të mendojë mbi gjendjen e të vdekurve, se si u janë lëshuar këmbët, sytë u janë mbyllur, krimbat ua kanë ngrënë gjuhët e tyre, kurse dheu ua ka mbushur gojën.
Ai që e kujton shpesh vdekjen, ka tri të mira: pendohet shpejt, kënaqet me atë që ka dhe ka vullnet për adhurim. Kurse ai që harron vdekjen, do të dënohet me tri gjëra:
e vonon pendimin,
është i pakënaqur me atë që ka
dhe është përtac në adhurime.
Ajo që ndikon te njeriu është shikimi i vdekjes dhe i të vdekurit, sepse shikimi i të vdekurit apo frymëmarrjet e tij të fundit si dhe vuajtjet, ose të menduarit mbi pamjen e tij pas vdekjes, e largojnë atë nga epshet, e largojnë gjumin nga sytë dhe trupin nga qetësia e kësaj bote, e inspiron për punë dhe bëhet më i zellshëm.
Hasan el-Basriu ka shkuar ta vizitojë një të sëmurë dhe e ka takuar atë në frymën e vdekjes. Ai ka shikuar vuajtjet e tij si dhe frikësimin e tij, se çfarë e ka kapluar, pastaj është kthyer tek familja e tij me ngjyrë të ndryshuar në fytyrën e tij. E thirrën për të ngrënë bukë, kurse ai u tha:
"Hani e pini, se unë pasha Allahun e kam parë vdekjen dhe do të punoj për vdekjen derisa të takohem me të."
Nga mjetet që i forcojnë ndjenjat për vdekjen është edhe falja e namazit të xhenazes, mbartja dhe përcjellja e saj deri te varri, varrosja e të vdekurit, duke e mbuluar atë me dhe. E gjithë kjo ia kujton njeriut ahiretin, siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem:
"Vizitoni të sëmurët dhe përcillni të vdekurit, do të ua kujtojnë ahiretin."
Përveç kësaj, përcjellja e xhenazes e ka shpërblimin e madh, siç thotë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem:
"Kush e përcjell xhenazen prej shtëpisë së saj (në një transmetim tjetër: Kush e përcjell xhenazen e një muslimani, me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin nga Allahu) e derisa t'i falet namazi i xhenazes, do të ketë shpërblimin e Kiratit, e ai i cili merr pjesë edhe derisa të varroset, do të ketë shpërblimin e dy Kirateve." As’habët pyetën: “O i Dërguar i Allahut, ç‘ është Kirati?" Është përgjigjur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: "Sikur dy kodra të mëdha." E në versionin tjetër qëndron: "Si kodra e Uhudit."
Paraardhësit tanë të mirë, kur e shihnin dikë duke gabuar, do t’i kujtonin atij vdekjen. Kështu, njëri prej tyre, në praninë e të cilit dikush kishte përgojuar dikë, i dha vërejtje tjetrit dhe e kërcënoi me fjalët:
" Kujtoje pambukun, kur do të ta vendosin në sy." d.m.th, kur do të të veshin qefinin.
Selam alejkum.
Krijoni Kontakt