Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Si diktatori krijoi vetveten. Karakteri i vështirë dhe sëmundjet nga se vuante Stalin

    Si diktatori krijoi vetveten. Karakteri i vështirë dhe sëmundjet nga se vuante Stalini, zgjidhja për çdo problem ishte vrasja

    » Vendosur: 11/08/2010 - 10:11


    ...Stalini tashmë ishte i famshëm për padepërtueshmërinë e tij, i denjë për një Sfinks dhe për paturbullueshmërinë e tij flegmatike, që reflektohej bukur tek llulla e tij, të cilën e thithte me këmbëngulje, si një fshatar plak. Stalini i vërtetë ishte larg nga ai mediokriteti monoton burokratik, i përçmuar nga Trocki: ishte një personazh melodramatik, mburravec dhe plot energji, i aftë që t’i mbetej besnik në çdo situata të qenurit të tij i jashtëzakonshëm.
    Nën qetësinë misterioze të këtyre ujërave të padepërtueshme, fshiheshin shtjellat vdekjeprurëse të ambicies, të tërbimit dhe të palumturisë. I aftë për të përshkuar qoftë rrugën e një gradualizmi racional, qoftë atë të veprimeve shumë të guximshme, dukej i veshur me një korracë të çeliktë, por antenat e tij ishin shumë të ndjeshme dhe karakteri i tij kryelartë gjeorgjian, ishte aq i pakontrollueshëm, saqë gati i kushtoi karrierën, duke e shtyrë të përplaset me gruan e Leninit. Ishte vazhdimisht me nerva të dobëta, me temperament të nderë dhe të ankthshëm të një aktori të mbindjeshëm që reciton pjesën e vet. Po të marrim shprehjen e Nikita Krushovit, pasardhësi i tij, ishte një licedej, një njeri me shumë fytyra. Lazar Kaganoviç, një nga shokët e tij më të ngushtë për mbi tridhjetë vjet, është ai që na ka lënë përshkrimin më të mirë të këtij “personazhi unik”: Ai ishte një “ njeri i ndryshëm në çdo rast të ndryshëm...Kam njohur të paktën pesë apo gjashtë Stalinë”.
    Megjithatë, hapja për publikun e arkivave të tij, së bashku me shumë burime të tjera, të disponueshme para pak kohë, bëjnë që figura e tij të jetë sot me e kuptueshme nga sa nuk kishte qenë kurrë më parë. Tashmë nuk është e mundur të kufizohesh duke e përshkruar si një “enigmë”. Sot e dimë sesi fliste, (gjithmonë për vetveten dhe shpesh në mënyrë të sinqertë si i mbante shënimet dhe letrat, çfarë gjëje urrente, kush ishin këngët e tij të preferuara dhe çfarë lexonte. I vendosur në kontekstin e fisiparit( që shtohet me ndarje biologjike; sh.p.) bolshevik, - unik sipas mënyrës së tij, ai na paraqitet si një person me mish dhe kocka. Ishte një njeri me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe një politikan veçanërisht i talentuar, që shikonte rolin e tij historik si të jashtëzakonshëm, një intelektual i gjallë, që përpinte si një maniak veprat e historisë dhe të letërsisë, një mbimelankonik pa qetësi, që vuante në mënyrë kronike nga bajamet, nga psoriasi (sëmundje lëkure, sh.p.), nga dhembjet reumatike, të shkaktuara nga keqformimi i krahut dhe nga të ftohtit e akullt, që kishte vuajtur gjatë mërgimit në Siberi. Person fjalëshumë dhe i shoqërueshëm, këngëtar i mirë. Ky njeri melankonik dhe i palumtur, shkatërroi çdo marrëdhënie dashurie dhe miqësie të jetës së vet, duke sakrifikuar lumturinë mbi altarin e domosdoshmërisë politike dhe të një paranoje shkatërrimtare. Duke pasur një fëmijëri të vështirë, që i kishte lënë një temperament pabesueshmërisht të ftohtë, kërkoi të jetë një bashkëshort dhe prind i dashur, por arriti që, në mënyrë të pariparueshme, të helmojë çdo burim emocioni; mbeti gjithmonë një njeri melankonik, që donte trëndafilat dhe mimozat dhe që ndërkohë, besonte se zgjidhja për çdo problem njerëzor, ishte vdekja dhe qe i pushtuar nga makthi i ekzekutimeve. Ky ateist kishte marrë çdo gjë nga priftërinjtë dhe e vështronte botën në kufijtë e mëkatit dhe të pendesës, e megjithatë, ishte “një fanatik marksist që nga koha e rinisë së tij”. Fanatizmi i tij ishte diçka si “gati islamik”, egotizmi (dashuria për vetveten; sh.p.) mesianik ishte i pakufi. Ai i vuri vetes misionin perandorak të rusëve, duke mbetur megjithatë, nën shumë pikëpamje, një gjeorgjian dhe si i tillë, duke e shpënë hakmarrjen e baballarëve të vet në Veri, në tokat moskovite.
    Pjesa më e madhe e burrave të Shtetit ka të përbashkët zakonin cezarian, që të shkëputen nga vetvetja, për t’u admiruar si personazhe në skenën botërore; megjithatë, shkëputja e Stalinit, ishte diçka shumë më e thellë. Djali i tij i adoptuar, Artjom Sergejev, kujton se Stalini qortoi djalin e vet, Vasilin, duke e akuzuar se shfrytëzonte emrin e të jatit. “Por edhe unë jam një Stalin”, tha Vasili.
    “Jo, ti nuk je,”ia priti Stalini. “ Ti nuk je Stalin dhe as unë nuk jam Stalin. Stalini është fuqia sovjetike. Stalin është ai që duket në gazetat dhe në portretet, jo ti, dhe as unë!”.
    Ishte krijuar nga vetvetja, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Një njeri që shpik emrin e vet, datën e lindjes, kombësinë, formimin shkollor dhe gjithë të shkuarën e vet, me qëllim që të ndryshojë historinë dhe t’i veshë vetes rolin e udhëheqësit, ka shumë të ngjarë që të përfundojë i mbyllur në një klinikë psikiatrike, po të mos arrijë të përqafojë - në saj të forcës së vullnetit, të shkathtësisë dhe të fatit – lëvizjen dhe të kapë momentin e duhur, për të përmbysur rendin e natyrshëm të gjërave. Stalini qe një njeri i këtij lloji. Lëvizja ishte Partia Bolshevike; momenti, ai i perëndimit të monarkisë ruse. Pas vdekjes së tij, u bë e modës ta konsiderojnë Stalinin si një rravgim, por kjo thjesht do të thotë të duash të rishkruash historinë me po atë dhunë me të cilën e rishkroi ai vetë. Suksesi i Stalinit nuk qe diçka aksidentale. Asnjeri tjetër nuk qe më i përshtatshëm se ai për intrigat dhe konspiracionet, për simbolizmat e mistershme, për dogmatizmin vrasës dhe rreptësinë çnjerëzore të partisë së Leninit. Është e vështirë të gjesh një sintezë në mes një njeriu dhe një lëvizje, që të jetë më e mirë se martesa ideale në mes Stalinit dhe bolshevizmit: ai qe pasqyrë e virtyteve dhe të metave të këtij të fundit.
    * * *
    Edhe pse më 1932, ushqimet dhe pijet nuk mungonin. Nuk kishin ardhur ende ditët ku darkat e Stalinit do të bëheshin bankete të vërteta perandorake. Ushqimet (hors d’ouvres (mezetë), supa, pjata të ndryshme me peshk të kripur dhe ndoshta me mish qengji, të përgatitura në mensën e Kremlinit, silleshin ende të ngrohta në apartament, ku servireshin nga një kamerier dhe shoqëroheshin me vodka dhe verë gjeorgjiane, me dolli të pafund.. Përballë një rrënimi të pashoq në krahinat, ku dhjetëra miliona njerëz po vdisnin nga uria, komplotesh brenda Partisë, dyshimeve ndaj besnikërisë së ndjekësve të vet- i shqetësuar edhe nga problemet e së shoqes- Stalini e ndiente veten si në luftë, në rrethim. Si edhe persona të tjerë, që ndodheshin në mesin e vorbullës, Stalini kishte nevojë të pinte, që të dilte nga andej. Kishte qëndruar në mesin e tryezës( nuk ulej kurrë në krye) dhe Nadja i rrinte përballë.

    panorama.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Biografi i Stalinit premton një libër për Enver Hoxhën

    Biografi i Stalinit premton një libër për Enver Hoxhën

    » Vendosur: 11/08/2010 - 10:07

    Jo rrallëherë atë e kanë përshkruar si një sfinks, si një njeri i padepërtueshëm, por si çdo qenie tjetër vdekatare, edhe ai kishte pikat e veta të dobëta. (përveçse ishte një nga diktatorët më të egër që ka njohur njerëzimi).

    “Në oborrin e Carit të kuq, shkruar nga Simon Sebag Montefiore, një nga biografët më të njohur të diktatorit sovjetik, Stalinit, është libri më i fundit që ka hedhur në treg Shtëpia Botuese “55”. Ndonëse të tjerë libra janë shkruar për të, ky botim ka privilegjin të jetë i pasuruar me të dhënat më të fundit mbi jetën e diktatorit, qëmtuar në arkivat ruse, të sapo hapura. Kështu që libri është i mbushur me fakte të reja, të pabotuara më parë. Materialit të pasur i duhet shtuar edhe këndvështrimi i biografit, i cili tenton të na njohë më shumë me njeriun Stalin, në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Drejtoresha e Shtëpisë Botuese “55”, Alda Bardhyli, flet mbi librin, risitë që ai sjell, por edhe për komunikimin me autorin, i cili ka shprehur dëshirën që jo vetëm të vijë në Shqipëri, por të shkruajë edhe një libër për Enver Hoxhën.

    Sapo keni hedhur në treg një libër mbi figurën e ish- diktatorit sovjetik, çfarë sjell ai më tepër nga biografitë e tjera mbi figurën e Stalinit?

    Libri “Në oborrin e Carit të kuq”, shkruar nga Simon Sebag Montefiore, i shpallur si një ndër autorët më origjinalë dhe autoritarë të popullarizimit historik, është një pikë shkëputjeje me traditën letrare mbi diktatorin sovjetik: larg klisheve dhe rregullave të llojit, hedh një dritë krejtësisht origjinale mbi figurën e Carit të Kuq, që rijeton përmes historive të burrave dhe grave të “oborrit” të tij. Ndërmjet pallateve të Kremlinit dhe daciave në Detin e Zi, mes darkave me familjen dhe mbledhjeve të Politbyrosë, mes kongreseve, që e shpallnin me brohori udhëheqës dhe ligjësonin supremacinë e tij dhe rrjetës së marrëdhënieve informale, nëpërmjet te cilëve u konsolidua sundimi i tij, ekzistenca e tij, shtjellohet gjatë një filli tregimtar, që shikon si protagonist aspektet më intime dhe private të jetës së një njeriu. Diktatori na del kështu, si një personazh “më i kuptueshëm në tiparet e tij më të thella”, më real se ajo që na ka mësuar historiografia. Në saj të një sasie të madhe materialesh të pabotuara që përdor autori (nga arkivat ruse të hapura kohët e fundit për publikun, në intervistat e shumta me dëshmitarët e regjimit) futemi në sekretet e një oborri, në dukje madhështor, por që në realitet është i paralizuar nga terrori, ku jeta e secilit, të afërm dhe miq në radhë të parë, varet në fije të flokut. Hasim njerëzit e pasuesve të tij, të trajtuar me shkathtësi nga dora e autorit: nga më të njohurit, si pedanti Molotov dhe i paskrupullti Beria, në më pak të njohur, si “xhuxhi gjakatar”, Jezhov apo “bolsheviku i përkryer”, Orxhonikidze. Mund të lexojmë letrat e tyre, të jemi të pranishëm në festa dhe në të njëjtën kohë, të tmerrohemi nga lehtësia me të cilën ishin të prirur të vrisnin mijëra njerëz, në emër të atij besimi gati fetar, të bolshevizmit, të cilit i përkushtuan jetën e tyre, shpesh duke mbetur të ngërthyer në mes të ingranazheve vdekjeprurëse të asaj makine gjigandeske të terrorit, që ishte regjimi i Josif Stalinit. Libri është përkthyer në shqip nga Abdulla Sollaku.

    Ç’vend zë oborri i diktatorit në këtë rrëfim?

    Vetë Montefiore tregon se qëllimi që i ka vënë vetes me këtë libër nuk është thjesht të japë një portret të Stalinit, por të japë një portret të të njëzet personazheve më me influencë të oborrit të tij dhe familjeve të tyre, për të nxjerrë në dritë mënyrën se si jetuan dhe e ushtruan pushtetin në kuadrin kulturor, unik në mënyrën e vet, të viteve të sundimit të udhëheqësit sovjetik. Ky libër nuk mëton të paraqesë historinë e politikës së jashtme dhe të brendshme të zbatuar nga Stalini, fushatat e tij ushtarake, rininë e tij dhe përplasjen me Trockin. Dëshiron vetëm të jetë një kronikë e bëmave të oborrit të tij, duke nisur nga shpallja me brohori si “udhëheqës” në 1929-n, deri në vdekjen e tij, më 1953. Pra, është fjala për një biografi të oborrtarëve të Stalinit, një studim që lëviz mes politikës së lartë nga njëra anë dhe zakoneve të ushtrimit informal të pushtetit, nga ana tjetër. Ne një kuptim, bëhet fjalë për një biografi të vetë Stalinit, e parë nëpërmjet marrëdhënieve që mbante me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Në fakt, figura e tij mbetet gjithmonë në plan të parë.

    Thatë se libri kapërcen interpretimet tradicionale mbi Stalinin, çfarë shohim ndryshe në figurën e tij?

    Misioni i Montefiores me këtë libër është të kapërcejë interpretimet tradicionale që e mbajnë Stalinin si një enigmë apo si një të çmendur apo një “gjeni satanik” dhe njerëzit e tij si “njerëz pa biografi”, lajkatarë, të mjerë, mustaqemëdhenj, pa asnjë personalitet. Në sajë të informacionit që kishin arkivat e shumta të posahapura dhe kujtimet e pabotuara ndonjëherë, si dhe të materialeve tashmë të njohura dhe intervistave që ai vetë ka drejtuar, e bën Stalinin një personazh më të kuptueshëm, nëpërmjet tipareve të tij të thella, që nuk janë më pak të neveritshme. Duke lexuar figurën e Stalinit dhe oligarkëve të tij në sfondin e kontestit të veçantë bolshevik, ku jetuan dhe vepruan, si anëtarë të një “urdhri shpatëmbajtësish”, ushtarakë dhe fetarë në të njëjtën kohë, të jetë e mundur të kuptohen shumë dukuri të këtyre bëmave që ndryshe do të mbeteshin të pashpjegueshme. Stalini qe një personazh krejtësisht unik, por shumë nga idetë dhe karakteristikat e tij- si fakti i përdorimit të zakonshëm të vrasjes si një instrument politik apo si paranoja e tij personale, i kishin edhe shokët e tij. Sidoqoftë, ishte një njeri i kohës së vet, siç ishin dhe oligarkët e tij. Mes këtyre të fundit, më të famshmit ka gjasa të jenë Molotovi dhe Beria; por kishte edhe shumë të tjerë që nuk janë po aq të njohur në Perëndim. Jezhovi dhe Zhdanovi për shembull, i dhanë emrin periudhave të tëra të kësaj epoke, por figurat e tyre mbetën në hije. Disa, si Mehlis, praktikisht nuk u studiuan as edhe nga historiografia akademike. Mikojani kishte shumë admirues, ndërsa Kaganoviçi ishte më tepër i përçmuar. Edhe nëse në botën e jashtme mund të paraqiteshin të fshehur pas një maske të përhimtë, shumë prej tyre ishin në realitet persona të shkëlqyer, dinamikë, shumë më tepër se burokratë të panjohur. Sot është e mundur të lexosh korrespondencën e tyre dhe madje, letrat e tyre të dashurisë. Dhe kjo të jep mundësi t’i shikosh ata si persona krejtësisht të gjallë. Tregimi mbi bëmat e tyre të vë në mënyrë të pashmangeshme në beh: shumë nga personazhet për të cilët flitet në këtë libër qenë vrasës në masë, por vetëm Beria dhe Jezhovi iu nënshtruan procesit (dhe mes të tjerash, jo për krimet e tyre të vërteta). Ngasja ka qenë që të hidheshin të gjithë përgjegjësitë mbi vetëm një njeri: Stalinin.

    Si e ka pritur autori botimin shqip të librit?

    Simon Sebag Montefiore është një njohës i mirë i komunizmit ndaj dhe Shqipëria nuk është një vend i panjohur për të. Ai gjithnjë ka pasur dëshirën që libri i tij të botohej në gjuhën shqipe për vetë leksionin e madh që jep për të gjitha vendet post-komuniste. Së shpejti, Shtëpia Botuese “55” do të hedhë në treg dhe dy libra të tjerë të tij, të cilët në thelb plotësojnë figurën e ish-diktatorit sovjetik. “Stalini i ri” dhe “Sashenka” plotësojnë rrëfimin e tij mbi diktaturën ruse, e cila në thelb nuk ndryshon shumë nga filozofia që kanë të gjitha diktaturat. Montefiore i është përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për të vizituar Shqipërinë, vizitë e cila pritet të realizohet menjëherë pasi ai të mbyllë librin që ka në dorë, i cili ka të bëjë me një histori të Jeruzalemit. Në komunikimin që unë kam pasur me të, ai është shprehur se gjithnjë ka qenë i interesuar të shkruajë një libër për Enver Hoxhën. Ndoshta ardhja e tij në Shqipëri do të jetë një shenjë, që një autor me një prestigj të tillë si Montefiore të studiojë dhe figurën e diktatorit shqiptar.

    panorama.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •