Formohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës
Bujanoc, 3 korrik – Të shtunën, në Bujanoc, nga kuvendarët e Partisë për Veprim Demokratik, është themeluar Kuvendi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Me këtë rast, pa ndonjë kundërkandidat, Galip Beqiri-ish kryetar i Bashkësisë lokale të Tërrnocit, dhe aktivist i PVD-së, është emëruar kryetari i Kuvendit.
Ndonëse pa pjesëmarrjen e kuvendarëve të partisë së Unionit Demokratik Shqiptar, parti kjo që doli në votime dhe përkrahu formimin e këtij Këshilli, është themeluar Kuvendi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, por vetëm nga kuvendarët e Partisë për Veprim Demokratik .
Nëntëmbëdhjetë delegatët e Partisë për Veprim Demokratik, nga gjithsej 29 kuvendarë sa është paraparë me ligj për formimin e Kuvendit në fjalë, kanë konstituuar sot, Kuvendin e Këshillit Nacional.
Ashtu siç edhe ishte pritur, bazuar nga burimet brenga UDSH-së, në Kuvend nuk morën pjesë përfaqësuesit e Unionit Demokratik Shqiptar, parti kjo e cila e kishte përkrahur që në fillim iniciativën për themelimin e këtij institucioni shqiptar të këtij rajoni.
Nga ana tjetër, aksionin për formimin e Këshillit Nacional e kanë bojkotuar tri partitë tjera politike shqiptare që i tubojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës, si; Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Bashkimi Demokratik i Luginës dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare.
Themelimi i Kuvendit të Këshillit Nacional, bëhet pas përfundimit të procedurës së mbledhjes së nënshkrimeve për iniciativë, formimin e listës zgjedhore, zgjedhjeve të mbajtura më 6 qershor, dhe është përmbyllur të shtunën, me mbajtjen e Kuvendit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës.
Tashmë, mbetet të shihet nëse ky Këshill do të jetë funksional, duke pasur për bazë bojkotin e fundit edhe të UDSH-së. Ndërkohë, që konstituimi i tij është bërë vetëm nga delegatët e Partisë për Veprim Demokratik. /koha/
Krijoni Kontakt