Tiranë, 2 korrik - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka anuluar vizitën në Këshillin e Evropës, ku është dashur të flasë para 600 pjesëmarrësve nga 16 vende të Evropës Juglindore dhe Kaukazit, në kuadër të Universitetit Veror për Demokraci, që mbahet për një javë në Strasburg të Francës. Siç raporton gazetari i KTV-së, Bashmir Xhemaj, i cili gjendet në Strasburg, arsyeja e anulimit është se Topit në momentet e fundit i është ndërruar agjenda. Presidentit Topi i është thënë që nuk do të pritet nga sekretari i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland dhe disa personalitete tjera të Këshillit të Evropës. Mos pritja në nivel të lartë duket se ka acaruar presidentin Topin dhe ai ka marrë vendim që të mos udhëtojë për në Strasburg. Zyrtarët e Këshillit të Evropës kanë thënë se ky nuk është ndonjë incident diplomatik, duke shtuar se presidenti është njoftuar me kohë. Ndërsa, Ambasada e Shqipërisë në Strasburg ka thënë se marrëdhëniet me Këshillin e Evropës janë të mira me gjithë këtë incident të vogël.
Krijoni Kontakt