Butrinti dhe kapteri i Zall-Herrit
Prof. as. dr. Ylli Cerova* 03/06/2010 10:35:00
Sezoni turistik për Parkun Kombëtar Butrint prej kohësh ka ngritur siparin e tij. Qyteti antik i Butrintit gumëzhin nga zërat e nxënësve të shkollave të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por dhe më tej, nga Kosova dhe Maqedonia. Vizitorët e huaj pothuajse nga të gjitha kontinentet e botës mrekullohen me bukuritë arkeologjike dhe mjedisore të Butrintit. Stafi i Parkut të Butrintit është në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës për mirëmbajtjen, ruajtjen e qytetit antik dhe në shërbim të të gjithë vizitorëve të shumtë, vendas dhe të huaj. Bashkërendimi i punës sonë me agjencitë turistike ka bërë të mundur harmonizimin e orareve të vizitueshmërisë në Butrintin antik nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20 të darkës, çdo ditë dhe gjatë gjithë sezonit turistik.
Nga viti në vit rritet vizitueshmëria e Butrintit si dhe të ardhurat monetare që grumbullon Parku i Butrintit nga biletat. Të ardhura këto që riinvestohen pjesërisht përsëri në Parkun e Butrintit nëpërmjet buxhetit të shtetit.
Gjatë 4-vjeçarit të fundit, nga viti 2006-2009, grafiku i të ardhurave është dyfishuar. Konkretisht, gjatë vitit 2005, Parku i Butrintit kishte realizuar rreth 100 milionë lekë (të vjetra), kurse në fund të vitit 2009, pra gjatë 4-vjeçarit të parë të qeverisë “Berisha”, të ardhurat e realizuara janë mbi 200 milionë lekë (të vjetra). Kjo arritje ka ardhur si rezultat i punës së një stafi të specializuar që sa vjen dhe ngrihet profesionalisht dhe është i ndërgjegjshëm për punën që kryen në Butrint. Për këtë vit, gjatë periudhës janar-maj është rritur numri i vizitorëve në masën 25%, ndërsa të ardhurat financiare nga biletat në masën 7% në raport me vitin 2009. Diagrama e të ardhurave financiare tregon qartë që në periudhën e viteve 2003-2005, Parku i Butrintit ka pësuar një humbje rreth 80 milionë lekë që dihen shumë mirë në xhepin e kujt kanë shkuar ato para.
Strategjia e zhvillimit të eko-turizmit për vitet në vijim do të bëjë të mundur se shpejti shtrirjen e vizitueshmërisë së Butrintit gjatë gjithë vitit. Pasuria e florës dhe faunës së Butrintit ka tërhequr prej kohësh ambientalistë të shumtë nga vendi dhe bota. Në këtë kuadër Parku i Butrintit në bashkëpunim me Bankën Botërore po punon për përshtatjen e strukturave ekzistuese dhe ngritjen e tyre rishtazi në shërbim të ambientalistëve. Realizimi i infrastrukturës dhe sinjalistikës mjedisore do të bëjë të mundur rritjen e numrit të turistëve gjatë periudhës vjeshtë-dimër dhe njëkohësisht rritjen e të ardhurave të parkut.
Gjatë këtij viti po punohet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore nga Kanali i Cukës deri në Butrint, një investim i qeverisë shqiptare. Përfundimi i kësaj rruge do të rrisë më tej fluksin e vizitorëve vendas dhe të huaj në Butrint dhe do t’i shërbejë se tepërmi gjithë komunitetit përreth Parkut Kombëtar. Mbas shumë diskutimesh në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë të MTKRS-së për monumentet që ndodhen pranë rrugës, nga ana e ASHA, DRKK dhe Parkut të Butrintit zbatohen me rigorozitet të gjitha udhëzimet e dhëna nga ministri Ferdinand Xhaferaj për ruajtjen e monumenteve dhe mbarëvajtjen e punës për ndërtimin e rrugës. Vetëm për ruajtjen dhe ekspozimin e qendrës arkeologjike të murit antik të Demës në manastirin e Shën Gjergjit u hartua një projekt i veçantë me vlerë 400 milionë lekë që iu shtua kostos së rrugës.
Në fillim të muajit qershor do të fillojnë të zbatohen në Butrint një sërë projektesh në bashkëpunim me fondacionin “Butrinti”, Institutin e Arkeologjisë dhe Institutin e Monumenteve. Projektet për këtë vit do të përqendrohen në konsolidimin dhe restaurimin e monumenteve, në menaxhimin e vegjetacionit dhe në vazhdimin e traditës tepër pozitive të trajnimit të studentëve shqiptarë dhe të huaj në fushën e arkeologjisë dhe të restaurimit.
Këto arritje gjatë katër viteve të fundit të Parkut Kombëtar Butrint kanë shqetësuar disa persona jokompetentë në fushën e arkeologjisë dhe të trashëgimisë kulturore, të cilët shquhen vetëm si fanatikë politikë. Konkretisht, në Sarandë njihet mirë personi që të gjithë e thërrasin kapteri i Zall-Herrit, për shkak të formimit të mangët universitar. Ky kapter shfaqet herë pas here si fantazmë në territorin e Parkut të Butrintit, sidomos kur acarohet klima politike dhe deklaron me të madhe se do të jetë ministri i ardhshëm i Kulturës i Edi Ramës. Kjo miopi politike, injoranca shkencore dhe ligësia që e karakterizon, e shtyn këtë person të drejtojë sms drejt titullarëve të MTKRS-së për problemet e arkeologjisë dhe të monumenteve në jugun e vendit. Të gjitha këto janë vetëm mashtrime dhe kanë vetëm ngjyrime politike.
Konkretisht, në njërin nga sms-të, kapteri i Zall-Herrit u shkruan titullarëve për ndotjen e liqenit të Butrintit nga rreth 2000 fuçi plastike ne zonën e Diaporitit dhe u kujton se përgjegjësi mban drejtori i Parkut të Butrintit. Për fat të keq nuk e di i ziu kapter i Zall-Herrit, se ato nuk janë fuçi të hedhura në liqenin e Butrintit, por janë bova plastike që i përkasin teknologjisë së re të rritjes së midhjeve dhe jo më si përpara viteve ‘90 kur teknologjia zbatohej në kolona betoni. Biznesi privat tashmë i licencuar praktikon metoda bashkëkohore.
Duke zbatuar të njëjtën metodë me sms kapteri i ngratë sajon problemin madhor që rruga e re Kardhiq - Delvinë po shkatërron tumat në Bajkaj. Përsëri kam qenë i detyruar të sqaroj titullarët që kapteri i Zall-Herrit nga injoranca në fushën e arkeologjisë nuk e di që tumat në Bajkaj janë gërmuar nga i ndjeri arkeolog Dhimosten Budina në vitet ‘70. Tumat ose kodërvarret, kur gërmohen arkeologjikisht, njëherazi ato asgjësohen. I gjori kapter do të ketë dëgjuar diku për tumat e Bajkajt dhe për të ngritur një problem në MTKRS, i lidh ato nga padija sikur janë shkatërruar nga ndërtimi i rrugës së re.
Më e fundit, që mos t’ju lodh me sms-të e shumta që dërgon kapteri i Zall-Herrit, ka të bëjë me murin antik të Demës në manastirin e Shën Gjergjit, në territorin e Parkut të Butrintit. Për fat të keq, në këtë rast, kapteri i gjorë përdor edhe një prej kanaleve televizive shumë të shikuara, për të mashtruar opinionin publik.
Sa mirë do të ishte që të gjithë turistët e huaj, që zbresin në portin e Sarandës, të vizitonin Butrintin antik. Por gjynahqarët nuk e kanë të qartë se në qytetin e Sarandës dhe rrethinat e tij ka edhe shumë qendra të tjera historike dhe mjedisore që vizitohen nga turistët. Kohët e fundit, siç dihet, qyteti antik i Foinikes është kthyer në një destinacion të kërkuar turistik. Për transparencë, meqë kjo fjalë kohët e fundit po përdoret shumë, ju konfirmoj që para 2 javësh nga një kruazier në Sarandë zbriten rreth 2000 turistë dhe në Butrintin antik erdhën rreth 190 vizitorë, pra rreth 10% e tyre. Në lidhje me vizitorët në Butrint ka një sistem kontrolli dhe çdo gjë është lehtësisht e verifikueshme. Nuk ia vlen të zgjatem më me sms-të e kapterit të Zall-Herrit, mbasi kemi shumë punë për të realizuar. Kapterit të Zall-Herrit i kujtoj dosjet e shumta në prokurorinë e Sarandës për vjedhjet e tij dhe shkatërrimin e mozaikut të Teqesë së Melanit në luginën e Drinosit. Të ziut kapter do t’i rikujtoj vazhdimisht shprehjen e të madhit Kadri Roshi: “Gërmo Tare gërmo, se qenin e ngordhur do të gjesh”.
*Drejtor i Parkut Kombëtar Butrint
http://www.standard.al/index.php/ana_rexha/7176.html
Krijoni Kontakt