Receta e fshehtë e ekonomisë kineze
Publikuar: Sot, më 01 korrik 2010
Receta e fshehtë e ekonomisë kineze Në njëfarë mënyre ajo që ka bërë Kina më duket krijim “i një bote të vërtetë të Kejnesit”: më shumë biznese private dhe konkurrencë për çmime të lira në nivelin mikroekonomik dhe politikë aktive kundërciklike në nivelin makroekonomik
Pekin, 29 qershor – Rritja e GDP-së kineze këtë vit mund t’i afrohet dhjetpërqindëshit. Derisa disa shtete janë ende duke u përballur me krizën ekonomike apo pasojat e saj, sfida e Kinës është – sërish – se si ta menaxhojë rritjen.
Falë politikës këmbëngulëse për të parandaluar rritjen e çmimeve të shtëpive, ky treg është stabilizuar derisa korrigjimet e mëtejme priten së shpejti. Është ky një lajm i mirë për ekonominë e Kinës, mirëpo mbase edhe zhgënjyes për ata që kanë supozuar se qeveria nuk do të ndërmerrte taktika parandaluese.
Se a do ta godasë ky korrigjim i çmimit të shtëpive zhvillimin e përgjithshëm varet se si definohet “goditja”. Çmimet më të ulëta të aseteve mund ta ngadalësojnë rritjen e përgjithshme të investimeve dhe GDP-në, mirëpo po qe se rënia është prej 11 në 9 për qind, atëherë Kina do t’i shmanget trazirës ekonomike dhe do të ketë një rritje të lartë. Është e vërtetë se niveli aktual vjetor kinez për 37 për qind në investimet në shtëpi është gjë negative. Do të ishte ideale që të bjerë në 27 për qind këtë vit.
Kina e ka mbajtur rritjen rapide ekonomike për 30 vjet pa luhatje të mëdha apo pengesa – deri më tani. Me përjashtim të ngadalësimit të 1989-1990 pas krizës në Tiananmen, rritja mesatare vjetore gjatë kësaj periudhe ishte 9.45 për qind, me nivelin më të lartë 14.2 për qind më 1994 dhe nivelin më të ulët prej 7.6 për qind më 1999.
Derisa pjesa më e madhe e ekonomive të mëdha në fazat e hershme të zhvillimit pësuan kriza, rrëfimi i Kinës duket i pazakonshëm (apo i rastësishëm) dhe shpesh janë dhënë parashikime për një “rënie”. Që të gjitha parashikimet e tilla kanë dalë të jenë të gabuara, mirëpo sa më shumë që zgjat kjo periudhë, aq më shumë njerëz parashikojnë një fund të keq.
Për mua, nuk ka asgjë më të pazakonshme rreth skemës së papenguar të rritjes kineze që ka ardhur si rezultat i ndërhyrjes efektive makroekonomike në periudhat e rritjes.
Për të qenë të sigurt, si zhvillimi ekonomik, ashtu edhe reformat institucionale mund të shkaktojnë jostabilitet. Është e vërtetë se pushteti qendror i trashëguar prej ekonomisë së planifikuar të kohëve të vjetra shkakton luhatje dhe i ka kontribuar në masë të madhe jostabilitetit të fillimviteve të tetëdhjeta.
Mirëpo, pushteti qendror duhet të jetë i përgjegjshëm për inflacion në kohët e vështira. Qeveritë lokale dhe ndërmarrjet shtetërore nuk kanë domosdoshmërisht shqetësimet e tilla. Ata duan një nivel të lartë të GDP-së, pa u brengosur shumë rreth pasojave makroekonomike. Ato duan të huazojnë sa më shumë që të jetë e mundur, për financimin e projekteve ambicioze të investimit, pa u brengosur rreth shlyerjes së borxhit apo inflacionit.
Është e vërtetë se shkaku kryesor i vështirësive ekonomike në fillim të nëntëdhjetave ishte huazimi i tepërt prej qeverive lokale. Inflacioni arriti në 21 për qind më 1994 – nivelin më të lartë gjatë 30 viteve të kaluara – dhe një pjesë e madhe e borxhit lokal mbeti si hua e papërfunduar, duke e ngritur në 40 për qind shifrën e kredive totale në sektorin shtetëror bankar gjatë mesit të nëntëdhjetave. Burimi i vështirësive është bërë më pak i rëndësishëm, si rezultat i rregullave strikte të miratuara që nga të nëntëdhjetat mbi kapacitetet huazuese të qeverive lokale.
Tani, megjithatë, e ashtuquajtura “frymë shtazarake” e gjeneratës së parë të ndërmarrësve kinezë është bërë burim i rrezikut. Ekonomia është duke lulëzuar, të ardhurat janë rritur dhe të gjitha tregjet janë në ekspansion: e tërë kjo krijon potencial për rritjen e ndërmarrjeve; që të gjithë duan të shfrytëzojnë mundësitë e reja dhe secili investitor dëshiron të pasurohet për një kohë të shkurtër. Ata kanë pasur sukses dhe deri më tani nuk kanë përjetuar kohë të vështira. Prandaj, ata investojnë dhe spekulojnë me të madhe, pa e marrë parasysh rrezikun.
Inflacioni relativisht i lartë i fillimit të të nëntëdhjetave shërbeu si paralajmërim për pushtetin qendror rreth rreziqeve makroekonomike që paraqet rritja e shpejtë. Trazirat në ekonominë japoneze në fillim të të nëntëdhjetave, ashtu si edhe në ekonominë e Azisë Juglindore nga fundi i atij dhjetëvjeçari, shërbyen si paralajmërim nga shtetet fqinje që të mos besohet se rritja nuk ka kufi.
Që nga ajo kohë politika e pushtetit qendror ka qenë që t’u vihet frerë ekonomisë, sa herë që ka tendenca për vështirësi. Masat strikte u zbatuan në fillim të të nëntëdhjetave për ta ulur furnizimin me para dhe të mos investohet me të mëdha, duke e parandaluar kështu hiperinflacionin.
Në ciklin e kohëmëparshëm, autoritetet filluan që ta frenojnë ekonominë qysh në fillim të vitit 2004, kur Kina doli prej rënies së shkaktuar nga frika prej SARS-it më 2003. Nga fundi i vitit 2007, kur rritja e GDP-së arriti në 13 për qind, qeveria zbatoi masa më strikte në industri (atë të çelikut, për shembull) dhe tregut të aseteve (patundshmërisë), gjë që krijoi hapësirë për korrigjimet e hershme.
Teoria ekonomike thotë se të gjitha krizat shkaktohen prej rritjes së madhe, prandaj nëse mund të menaxhosh parandalimin e rritjeve të mëdha, do t’i parandalosh edhe krizat. Gjëja më e rëndësishme për “rregullimin e cikleve” nuk është politika stimulative e zbatuar pasi që ndodh rënia, mirëpo të qenit proaktiv në kohë të rritjes. Nuk jam i sigurt nëse të gjithë politikëbërësit kinezë janë studentë të mirë në fushën e ekonomisë moderne. Mirëpo duket se në praktikë ata kanë qenë më të mirë sesa homologët e tyre në shtetet e tjera. Problemi i ekonomisë botërore është se të gjithë e kanë mbajtur në mend leksionin e Kejnesit rreth domosdoshmërisë së politikave kundërciklike kur ndodh kriza.
Në njëfarë mënyre, ajo që ka bërë Kina më duket krijim “i një bote të vërtetë të Kejnesit”: më shumë biznese private dhe konkurrencë për çmime të lira në nivelin mikroekonomik dhe politikë aktive kundërciklike në nivelin makroekonomik.
Mund të jenë faktorë të tjerë që do ta ngadalësonin apo pengonin rritjen e Kinës. Vetëm shpresoj se kujdesshmëria e politikëbërësve do të mbizotërojë, duke i mundësuar Kinës që rritjen ekonomike ta vazhdojë edhe për 10, 20 apo 30 vjet të tjera.
(Autori është profesor i ekonomisë në Universitetin e Pekinit dhe në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, drejtor i Institutit Kinez për Hulumtime Ekonomike, sekretar i përgjithshëm i Fondacionit për Reforma në Kinë dhe anëtar i Komitetit për Politikë Monetare në Bankën Popullore të Kinës. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)
Faleminderit për rekomandimin
Krijoni Kontakt