Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Ali Pashë Tepelena, një poemë e panjohur e 1820, rrëfen fundin tragjik

    Ali Pashë Tepelena, një poemë e panjohur e 1820, rrëfen fundin tragjik

    Dërguar më: 27/06/2010 - 15:23

    Dr. Irakli Koçollari

    Në Shtator të vitit 1873, studjuesi dhe neohelenisti i njohur francez, Emil Legrand, i cili aso kohe ndodhej për punët e tij kërkimore në Athinë, takoi krejt rastësisht, në një prej parqeve të njohur të Athinës, Zhapio, një plak analfabet, 77 vjeçar. Quhej Jani Paguni. Ai jetonte prej vitesh si emigrant në qytetin e Athinës, por në vitet e rinisë së tij kishte punuar si bukëpjekës në kryeqëndrën e pashallëkut, në qytetin e Janinës.
    Kujtojmë këtu lexuesin se, Paguni, kishte jetuar dhe punuar në atë qytet, kur Ali Pasha kalonte vitet më të zulmshme të jetës dhe prania e tij tek banorët e Janinës ishte sa fizike aq edhe psikologjike, morale dhe shpirtërore.
    Në bisedat që francezi bënte ato çaste me plakun “epirot” – Paguni, papritur kishte dëgjuar prej tij se ai dinte përmëndësh vargjet e një poeme të tërë, kushtuar Ali Pashës.
    I befasuar nga ky fakt, Legrandi, ky studjues pasionant, i cili merrej dhe punonte me hulumtimet pikërisht në këtë fushë dhe që i ka lënë Greqisë një punë kërkimore të admirueshme, të përmbledhur në katër vëllime, filloi të dëgjonte një pasuri poetike, e cila qëndronte në gojën e një plaku pothuaj anonim.
    Një laps dhe letër për të fiksuar gjurmët e një thesari poetik
    ... dhe plaku kishte filluar ti rrëfente vargjet e rapsodive për bëmat e fundit të Pashait tepelenas.... Francezi, ndërsa dëgjonte vargëzimet, ishte mahnitur nga niveli i lartë artistik i vargjeve, fuqia emocionale e krijimit por dhe dimensioni i kësaj poemë epiko-elegjike.
    “Autori, me një fjalë, ka qenë në mënyrë të padiskutueshme i talentuar – shkruante në vlerësimin e poemës Legrandi, - dhe kjo marrëdhënie kaq e saktë e kaq e vërtetë, në këndvështrimin tonë, është mëse e denjë për t’u konsideruar symbol i veprave më të shënuara të letërsisë neohelenistike. Ajo duhet konsultuar si një dokument, si një burim i radhës së parë për këdo që do të shkruante një monografi serioze për Ali Pashën.”
    .... I papërgatitur se mund të ndodhej ashtu papritur përpara një thesari poetik, francezi i është lutur plakut që të vinte edhe një herë të nesërmen për të shkruar me laps në letër gjithë ato çfarë ai rrëfente në vargje.
    Paguni korrekt, të nesërmen kishte shkuar përsëri në vendin e takimit dhe sikurse një ditë më parë ka filluar të riprodhojë vargjet e poemës me saktësi.
    “Ai, - shkruan Legrandi në kujtimet e tij, - e dinte përmendësh “Vajtimin e Ali Pashës” që nga rinia e tij dhe e tha atë pa më të voglin hezitim. Unë e shkrova me laps poemën në dy séanca dhe, disa ditë më vonë, iu luta Jani Pagunit të ma recitonte edhe njëherë, ndërkohë që unë ndiqja kopjen time.”
    Po kush ishte vallë autori i kësaj poeme?

    Një poet anonim shqiptar për një hero shqiptar

    “Autori me siguri ka qenë shqiptar myslyman, - shkruan në vëzhgimin e tij aso kohe studjuesi francez Emil Legrand. Ai shprehet me fjalë qortuese dhe ngarkesë kundër turqve, nga ana tjetër ai është i përmbajtur dhe i butë edhe në rastet kur pjesë të reparteve shqiptare braktisin prijsin e tyre.”
    Por, ajo ç’ka e bën më të lexueshme autorësinë shqiptare, të pa nominuar, të kësaj poeme, janë tërësia e vargjeve të cilat flasin vetëm për Pashain shqiptar, për shqiptarët, që luftojnë, qëndrojnë dhe sakrifikonë gjer në fund pranë Aliut, i cili në mënyrë të përsëritur u thërret, jep alarmin dhe ngacmon emocionalisht vetën krahinat shqiptare Dibrën, Beratin, Matin, Kolonjën, Labërinë, Konispolin, Shkodrën, Gegë e Toskë dhe Arbërinë, në tërësi që të bashkohet kundër të keqes së madhe që afrohet dhe kërcënon fatalisht.

    Krijim me vlera poetike dhe rëndësi historiko-dokumentare

    Por, jo vetëm kaq, “me një vështrim të shpejtë, kupton qartë se autori ka qënë një dëshmitar okular, ndoshta-ndoshta një nga aktorët e dramës mallëngjyese (prekëse) që u mbyll me vdekjen e Pashait të frikshëm- nënvizon Legrandi.
    Për këto arsye dhe në këtë kuptim, veç vlerave të padiskutueshme në gjininë e saj, kjo pemë e ndërtuar në trajtën e rapsodive, ka edhe vlera të rëndësishme dokumentaro-historike. Ajo përshkruan ekzaktësisht kronologjinë e ngjarjeve që përfshinë pashallëkun dhe vetë Ali Pashën të paktën vitin e fundit të jetës së tij. Të gjithë personazhet dhe luftëtarët që përmënden në vargje, qenë aktorë të vërtetë në skenat historike të kohës. Nuk ka ngjarje apo emra personazhesh në këtë poemë të stisur. Nuk ka naracion poetik apo skena të përshkruara në vargje të pjella prej imagjinatës së autorit, përkundrazi ato të gjitha janë pasqyrim jashtzakonisht korrekt i atyre që kanë ndodhur vërtet atë mot; ndeshje, beteja, rreshtimet e ushtrive, goditjet e artilerisë, britmat, rënkimet, kurthet, gjer vrasja e Pashait dhe rënia përfundimtare e fortesës së Janinës.

    Klima dhe begatia kulturore, roli dhe vendi i Ali Pashës

    S’ka as më të voglin dyshim se poeti që shkroi vargjet e kësaj poeme, u rrit dhe u formua në territoret e Pashallëkut, nën pushtetin politik por edhe në një klimë të caktuar kulturore dhe intelektuale. Dhe klima kulturore nga shumë tregues duket që ka qënë e ngrohtë për të vegjetuar krijues dhe krijimtari!
    Zhvillimet e vrullshme politike, kreshendo e ndjeshme ekonomike, tregëtare, sociale, mbështetja dhe stimuli që kish ofruar Ali Pasha për terrenet kulturore dhe artistike kishin krijuar një klimë të favorshme krijimtarie, për intelektualë, artistë e krijues në tërësi. Është meritë e padiskutueshme e këtij njeriu, i cili megjithë vështirësitë e brendëshme të organizimit shtetror osman... megjithë mjerimin kulturor dhe arsimor të trashëguar tek populli i tij, nga e kaluara dhe rrethanat historike, me kurajën e një misionari dhe furinë e një tribuni, nxiti dhe frymëzoi turma të tëra të braktisura në mjerim dhe injorancë drejt një jete të re, të gjallë, drejt transformimit të tyre moral, arsimor e kulturor. (1) Gatos, Georgios; “Istoria ton Ioaninon”, Athina, 1965, f. 10-13)
    Nën kërkesat, shijet dhe prirjet e këtij hegjemoni, ato kohë, u ngritën në Janinë dy akademitë arsimore; “Zosimeja” dhe “Bolanu”, ku filluan të shkojnë dhe ndjekin studimet gjenerata të tëra të rinjsh shqiptarë dhe grekë. Për herë të parë, në fillimet e viteve 1800, nën nxitjen dhe mbështetjen direkte të Ali Pashës qenë dërguar një numër të rinjsh për të vazhduar studimet e tyre jashtë shtetit, në Universitetet europiane.
    “Nën qeverisjen e tij, Janina u bë kryeqyteti letrar i kombit grek.... kolegjet, libraritë dhe shkollat lulëzuan dhe shijuan lirinë e talentit.- shkruan Konsulli Britanik në Janinë, Ë.M. Lik, në librin e kujtimeve të tij. (1) (Leak, Ëilliam. M; “Travels in Northern Grece and...” London 1835, f. 20)
    “Ai i porosiste vazhdimisht mësuesit grekë të bënin shumë kujdes për moralin e nxënësve....- thotë Zotou. (1) ( Zotou, Dimi, A; “I dhiqeosini is tou krato tou Ali Pasha..” Athina 1965)
    Krahas njerëzve, përfaqësues tipikë të një kohe të shkuar, në vitet e Aliut, në rrugët e Pashallëkut “shikoje elementë të një shoqërie të re, që do të kish mundur ti kishte bërë vend vehtes dhe të shfaqej me dinjitet edhe jashtë Shqipërisë, në ndonjë nga kryeqytetet në zë të Europës, - shton studjuesi francez A. Boppe. (1) (Boppe, A; “L’Albanie et Napoleon”, Paris 1914,, f.81.)
    Ndërsa studjuesi J.L.S. Bartholdy na bën me dije se: “Të gjithë të huajt që vizituan Janinën vlerësuan progresin e shkëlqyer dhe befasues kulturor, shpirtëror dhe ekonomik të këtij qyteti. Nën Aliun, Janina u bë qëndra shpirtërore e helenizmit.” (1) (Bartholdy, J.L.S; “Voyage en Grece... “ Paris 1807, f.170)
    Ndërsa historjani dhe studjuesi i njohur britanik, Finalay, duke iu referuar kontributeve dhe transformimeve të mahnitshme që realizoi tepelenasi në fushën e kulturës dhe arsimit, nënvizon: “Greqishtja u bë gjuha letrare e Shqipërisë së Jugut. Studjohej sa nga muslimanët aq edhe nga kristjanët, sepse gjuha e tyre (shqipja) nuk shkruhej. Poemat, këngët, letrat, llogaritë shkruheëshin nga muhamedanët shqiptarë në greqisht dhe shumë nga to qarkullonin edhe në dorëshkrime. Fatkeqsisht, asnjë përmbledhje e këngëve apo poemave të poetëve shqiptarë nuk ka qënë publikuar..” (1) (Finlay, George; “A history of Greece, I-VIII, vol. VII, Oxford, 1877, f.52)
    Jo një por disa krijime poetike të panjohura e të pabotuara.
    Dhe duket që G. Finlay ka pasur plotësisht të drejtë!
    Fjalët e tij profetike, të thëna para njëqind vjetësh se; “.... Fatkeqësisht, asnjë përmbledhje e këngëve apo poemave të poetëve shqiptarë nuk ka qënë publikuar.!!!”, koha po e provon se kanë qënë të sakta. Gjetja e poemës së mirënjohur “Alipashaida” e poetit Haxhi Shehreti, nuk ka qënë krijim i vetëm dhe as fenomen i shkëputur shqiptar i epokës së Ali Pashës.
    Pranë dhe bri saj duket se kenë qënë edhe të tjera krijime dhe krijues. Të paktën gjer tani, në qëmtimin e gjatë të dokumentacionit arkivor të kohës, kemi gjetur edhe dy të tilla.
    Njëra nga këto është poema, për të cilën flasim, “Vaje për Ali Tepelenën, Pasha i Janinës”, një krijim unik i ngritur mbi një cikël rapsodish epiko-elegjike, që i kushtohet tepelenasit të famshëm, dhe kryesisht ngjarjeve të ditëve të fundit të jetës së tij, të cilat nuk trajtohen kështu, me kaq detaje dhe hollësi, nga ndonjë dokument tjetar i veçantë..
    Ndërsa, një e tretë, e gjetur muajt e fundit, është një fragment i shkëputur i një poezie, e cila gjendej në “Arkivin e Ali Pashës”, të publikuar pak muaj më parë. Autori i kësaj poezie fragmentare, është Zaho Kasneci, nga Vunoi. Për të nuk dimë se sa vargje ka pasur, pasi ajo është vetëm fragment i një krijimi ndoshta të gjatë. Vargjet i dedikohen aktit tragjik të ndëshkimit të Kardhiqit dhe kardhiqiotëve prej Ali Pashës, në vitin 1818, por për të do të flasim veçmas më vonë. (1). (Arxeio Ali Pasa: Tomos G. 1817-1822. Instituto Elenikon Erevnon, Athina 2010, faqe 685)
    Pra, duket qartë, dhe është bindës fakti se nuk jemi as para një krijimi të shkëputur dhe as para një poeti të vetëm. Në botën shqiptare të të asaj kohe, në terrenet e pashallakut dhe nën prirjet e shpallura apo të heshtura të atij monarku, Ali Pashës, ishin krijuar kushte të ngrohta për krijues dhe krijimtari.

    Zbulohet poema e humbur për një shekull e gjysmë

    Menjëherë pas publikimit, kjo poemë “u harrua”! E shkruar në greqisht, e shkruar në një kohë kur nuk kish asnjë vëmëndje institucionale për artin – bile kjo lloj krijimtarie që fliste për një njeri “të nëmur” nga turqit mund të ndëshkohej; kur nuk kishte asnjë vëmëndje intelektuale për artistët, sepse ata të paktët nuk dihej se ku kishin shkuar; e shkruar në një kohë kur nuk kishte një shtet shqiptar që të interesohej për grumbullimin e pasurive dhe trashëgimive kulturore...
    Pas krijimit prej shqiptarit të panjohur, poema, si ajo fara e pakët ishte hedhur në vëmëndjen e njerëzve të kohës dhe kish mundur “të mbinte” në kujtesat e tyre në mënyrë të çuditshme. Ata e këndonin dhe e ripërsërisnin në emër të mallit dhe nostalgjisë për Pashain e famshëm dhe kohët e lavdishme të shkuara. Kur kishin kaluar disa dekada dhe kapërcente gjysmën e tij një shekull, ndoshta atëhere kur poema i kishte ralluar bartësit oralë të saj dhe rrezikohej të shuhej përfundimisht, Emil Legrandi, e hidhte atë me laps në letër.
    Por, edhe pasi frëngu do të mahnitej dhe njoftonte për këtë perlë poetike, bota e letrave nëpër Europë do të dëgjonte pak, sepse atdheu amë i poetit, që kishte krijuar poemën, gjendej në një nokdaun të rëndë sundimi. ... Dhe për më shumë se një shekull e gjysëm poema do të harrohej, pothuaj humbiste!!!
    Por, kishte mbetur letra e shkruar e cila do të riçfaqej tani në dekadën e parë të shekullit të XXI.

    Ja disa pasazhe të saj:

    Vaje për Ali Pashën

    Kushdo që do të njohë bëmat e tij,
    le të lexojë dhe mësojë tërë ç’pati bërë
    dhe të përcjellë lutje për të.


    Kush në botë mos gënjehet, mos mendoj se është i lumtur
    Mbi këtë dhe përsa jeton, i zhgënjyer rron, i humbur
    Se kjo botë si rrethi i rrotës shkon ngado tutje-tëhu
    Kurrë në vend nuk rri ndaluar, i përmbys dhe shëmb tabu
    O lavdia Ali Pashë, bir, heroi i gjithë Epirit
    I llahtarshëm dhe i tmerrshëm, si të ish i Pirros, biri
    Ç’qe për ty vallë kjo mandatë, çishte vallë kjo lemeri
    Pleqërisë hidhëruar, shëmbur bashkë me Mbretëri
    Jo, askush nuk e pandehu, rënë, përmbysur ... derexhe
    Kokën prerë e mor’ Stambolli, trupi palsur tej, përdhe
    Hakëryer dhe xhindosur tek shikon kush vjen kaluar
    Ky Dovleti nis ushtritë turë a vrap për të ndëshkuar
    Vrap gatitet nis habere, nis ushtarë urdhër ngado
    Nëpër tërë Arbërinë të zënë grykat domosdo!
    Dhe hajdutve të njohur, gjith të çartur, kapedanë
    Grekët bashkë me Shqiptarë, tok të mblidhen nga çdo anë

    ......
    ......
    ......

    Ali Pasha mbyllet në kështjellë.
    Kurajon luftëtarët e tij,
    djeg Janinën dhe fillon luftën.

    I pafati Ali Pashë, ti dhe gjithë trimat e tu
    Ngrehur gati nëpër mure, zjarre ndez tutje tëhu....
    Tremijë janë gjithë bashkë, Toskë, Gegë dhe Dibranë
    S’luan syri dhe qerpiku, lukuni turqit osmanë
    “Hajde ti Toskë luani, bijtë e mij ju o Dibranë!
    Lidhur bashkë të gjithë qëndroni, trima for a kapedanë!
    Hajde Gegë, ju pantera, ju besnikë të mij Matjanë
    Bini ju holldupit para, të mos njoh biri të ‘anë
    Eni o luanë të Arbrit, ju sokola Tepelenë
    Shpejt pranë meje që të gjithë ju Rëzjotë bashkë të vemë...
    Mbahi fort përmbi kështjella, bini, bini sa të mundni
    Mbi armikun e pa shpirt, mos u çani gjer së fundi
    Zini shtigjet dhe trashetë, bini, shkrepni burërisht
    Mos u trëmbni, mos u jepni, sup më sup e trimërisht
    Mos tërhiqi, çap mos bëni, pas mos shtyjë osmanllija
    Jo tumanja mos guxojë se u mbron dhe perëndija
    Armë nëse nevojiten dhe këllëçë dhe jataganë
    Shpata mprehur dhe dyfekë ... do të qajnë e shkreta nënë!
    Kumbaratë e bukura, ti zjarrtar, o artiljer!
    Drejt në ballë, mirë të shënoni Pashobeun me të tjerë
    Topa!, grykë bukur ju, ju o nishanllinj të zotë!
    Masni mirë dhe qëlloni, Dramalinë ... n’ atë botë!”
    Kështu tha dhe urdhëroi tërë Janinës zjarr ti vënë
    Flakë nëpër katër anë, dhe kusur mbi të mos lënë
    O Janinë, Janinë e shkretë, ti, më ndih në ditë rreziku
    Kishe shkruar pas të keqen, zjarri, flakët qenë armiku
    Flakët marrin anë më anë, ah, e shkreta ti, Janinë!
    Sa hap, mbyll njeriu sytë, hi e shkrub bien çatitë.
    Kjo mëhalla mbi saraje, për Janinën hijeshia
    Marusi, Mitropolia, Pazari ish’ bukuria
    Qenë tre kisha dhe dy shkolla, plot shtëpi, saraje fina
    Pranë Rapit fillon lagjia shkonte tej tek Aj’Marina
    Gjithë bëhen shesh e rafsh, fushe e shkretë, zi nga zjarri
    Vend të fshihesh s’ka kërkund, plumbi ballit të të mari
    Ali Pash’ s’të qesh më buza, as hare, kohë të gëzuar
    Ngrehur për stuhitë e luftës bijat i largon mërguar
    Tërë bedenat armë rënduar, Litharica është gatitur
    Përreth ishullit në Liqen, manastiri duke pritur
    Po rënkojnë e dridhen malet, ndeshen keq me bubullimat
    Musliman, kristjan’, çifutë po friksohen dhe më trimat
    Gjylet bien porsi shiu, thua u përmbys vetë qielli
    Bombat vijnë në breshëri vetë mandata do ti sjelli
    Uturijnë nga lart dhe bien, plasin tokën thellë e çajnë
    Fati i zi kë gjejnë përpara, qindra copëza e ndajnë
    Ditë e natë e ndezur lufta, plasin topat, kumbaratë
    Dhe rruketat e francezit, me trumpeta, dufek gjatë...
    Përmbi kulla tym zë ngrihet i pllakos në mugëti
    Burrat nxirë zjarr baruti nëpër ledh qëndrojnë përmbi..
    ....
    .....
    .....

    Vjen Hrushid Pasha dhe vendos kushtet

    Ishte Mars, pesëmbëdhjetë, më ‘tetqind njëzet e një
    Hurshid Pasha zbet Janinës, vjen nga larg e sjell një zë
    “Tmerri” njihet Hurshid Pasha, është ai që mor Halepin
    Për Pashain e Janinës do të zgjidhë hesap sikletin
    Ish ai nderi për Portën, ishte ylli, krenarija
    Në fushata kudo shkoi lart u ngrit lavdi e tija
    Mendjehollë dhe i matur, dreq, dinak nuk kish të dytë
    Me të mbritur urdhër nxorri të shtrëngojnë çdo rrugë, çdo grykë
    Hurshid Pashës fort i tuten tërë grekët, shqipëtarë
    S’fal kërkënd për pak gabime, do, kërkon çdo gjë në radhë
    Mos i rëntë fati keq që dikush ta spiunojë
    Mish të gjallë mbi prush e vë nga kjo bot’ llahtarë të shkojë
    Babapasha rahmetliu për të qe i shkruar fati
    Vdekje e zezë në Janinë, Ja, atje mbaroi sahati...

    .....
    .....
    .....
    Hurshid Pasha bën yrysh mbi Litharicë

    Porsa ra Ishulli i shkretë, menjëherë pas tij dhe Struni
    Dramali dhe Ismail..., veç mbi ta do bjerë huni
    Mbi Rumelin dhe Isufin shprazet keq Hurshid Pashaj
    Llogarit’ u merr të tëra, tej i zbon, më mos i mbaj
    E nderon Imer Pashanë, copë kaftan të artë i vesh
    Me mision hajdutërinë ta godas ta bëjë përshesh
    Topa dhe mortaja bien, nga të katër anë rethuar
    Natë e ditë kumbaratë, shkoi vera e uruar
    Fort godasin Litharicën, kjo kala e shkretë, e mjerë
    Kullë e madhe dhe të voglat zënë coptohen fut e bjer
    Bien muret dhe fërngjitë s’jepen trimat në rënoja
    Çarë kullat dhe bedenat, dje fortesë - sot e pazonja
    Po bombartat bien godasin, muret tunden në themele
    Shëmben, tym e shkatërrim, prishur, rafsh e bërë fërtele
    Hurshid Pasha lajm u çoi – Gegët të dorzojn’ fortesën!
    Dhe me nder rrugën të marrin, s’do ti prek!, e kanë besën!
    “Ju, o Gegë, ju o Toskë! Ikni! Dhe unë borxh mos mbetem
    Në mos palla do t’u grijë – them, në qafë mos merni vehten!
    Mirë ta dini po s’pranuat, në yrysh do të lëshohem
    S’ka bir nëne që më mban, n’dasmën tuaj do harbohem...”
    Dhe ata vrik ju përgjigjën: “S’na lot kush nga istikami!
    Ne fortesën nuk e japim! Përmbi shpatë të na dalë xhani!
    Fundit ne si druhemi, fundin ne se llogarisim
    As delijtë, as dudumët nuk na trëmbin, s’na trondisin
    Kurrë në gjunjë Gegë e Toskë, lufta, vdekja nuk i gjeti
    K’tu i thonë Arbëri, mos ngatroni, s’është Haleti!”
    I dëgjoi, britmat, thirrjet, Hurshid Pasha turpëruar
    Gjith tërbim urdhër ngado, o të gjallë! o e rafshuar!
    Urdhër merr Kallkandelia që ushtrinë në sulm të hedhë
    Por, më parë nga tërë asqerët, trimat më të mirë të zgjedhë
    “Hajd’ kuzum Kallkandelia! Mos vonomi ju dekikën
    Litharicën me hyxhym do ta marrim, mprehni thikën!
    “Hajde kuzum ajanite!” ju të zgjedhurit deli
    T’a provojnë Arnautët, ç’do të thotë Osmanlli!”
    Tërë natën u gatitën, në mëngjes prisnin sinjalin
    Por, se dinin çfarë i priste, për shinjestër kishin ballin
    Do humbisnin dritë kandili,... drejt një nate pambarim
    Thellë në tmerin tokë të zezë,poshtë në Had, ku s’ka shpëtim
    Shumë nëna do të qajnë, kur të zbardh’ a bjerë nata
    Dritë e diellit terr do duket, kur në derë do vij mandata!

    N’erësirë, mes të natës, vendin mbushën armatime
    Fort në dhëmbë mbanin shpatën, dorë dyfeqet për luftime
    Llamburisin gjithë nga flakët,male, gërxhe, shkëmb e brinjë
    Nga ky tmerr edhe llahtara, osmanllinjt ndën tokë...të hyjnë
    Britma, klithma, ulërima, vrap, rrëmujë e tym mbuluar
    Para shtyjnë me kërcënim, pas komanda e tërbuar
    Siç pret kosë e kosaxhiut, barin njomë në livadhe
    Ja, ashtu burrat në luftë, bien, shkojn’ nga botë me halle
    Gjashtë orë zjarr dhe barut dhe mandej në sulm me shpatë
    O të zijnjt’ dudumë ku venë? Veç për ujkun një kafshatë
    Shtatë herë muret i ngjitën, përmbi kulla dhe bedenat
    Shtatë herë përmbysur rënë, natës shkojnë si hijenat
    “Bjer ti kumbara, bëj fora, mistralia, bjer buri !
    Vrap, rëmbim ti grijmë të gjithë, porsi pjepri në mulli!”
    Ndërsa vjen agimi i bardhë, yjtë natës shkojnë, shuhen
    Mbahen trimat nuk dorzohen dhe nga vdekja hiç nuk druhen
    Shkon ngadalë hija e natës zbardhëllimi ndrin ngadalë
    Dërmë, fillojnë badërditë, mure, kulla bien gërdallë
    Shfaqet dielli ngjyrë artë edhe botën ndrin në flakë
    Natën vrasëse tmerr i jep, shkon kërrusur si një plakë
    Pikëlluar rinë halldupët, nuk vështrojnë, nuk ngrenë sytë
    Se si ndrin djelli i praruar, shohin tokën varr i dytë
    Qan Kallkan delia, qan, lot i zi rrëke mbi sy
    Mbenë ushtrarët e coptuar, përmbi fushë lemëri.

    ....
    ....
    ....

    Ali Pasha qëndron në Uçkale.
    Vendos të digjet me të gjithë të tijët

    O, fatkeqi Ali Pashë, mbetur i braktisur vetë
    Ah, tashmë tërë pasuria nuk të vlen ta ndrosh me jetë
    I hutuar shkon dhe ulet, mbyllur uçkalesë menduar
    Shtatëdhjetë trima besnikë pas i rrinë pikëlluar
    Ka vendosur shkrumb të bëhet gjithë ç’pati në kët’ jetë
    Shenjë mos mbetet, rrafsh e hi, pluhur,hiç, asgjë mos mbetë
    Krusp, mbështjellë, rri vetmuar, tetëqind fuçi baroti
    Nëpër sy i tyrbulluar, llahtar’ ndihet dhe vetë zoti...
    Brenda, të stivosur rrinë, pasuri një jetë të tërë
    Qese me flori, stolira, aty mbledhur sërë, sërë
    Zjarr dhe pasurisë të gjithë, zjarr gjithçkaje që ka mbetur
    Natë e ditë vdekja afron, shtegun, qiejt për të gjetur
    I reshton të gjith dyfeqet, gati çarkun për të shtënë
    Plot pisqolla bukuroshe, shpata xhveshur ndrijnë në hënë
    Kurrë, askush s’do ta besonte, kurrë, braktisur, katandi
    Nga luan dhe zot i lirë, kafshë e mbyllur në kuvli
    “Zjarr barutit le të digjem, i zhuritur bëhëm hi
    Unë nga duart e armiqve mos përdhosem, lemeri
    Vdekja nuk më dredh qerpikun, e përçmoj në istikam
    Rojta boll gjersa u plaka, pas çfarë bëra s’jam pishman
    Zjarr! Me të, të gjitha vafshin, shpirti, trupi ç’kam në jetë
    As shkërmoqur të mos gjenden ç’pata mbledhur të mos mbetë
    Zjarrin le ta ndez me duar, flakë të shkrihen gjith’ fuçitë
    Nga kjo botë mos shkoj i vetëm, le të vijn dhe osmanllijtë
    Shpirti im të shkojë përtej, mos vejë vetëm, me të tjerë
    Te gjejë shpirtrat e larguar, miqtë e mij, miqtë e mjerë!”

    .....
    ....
    ....

    Ali Pasha ndryshon mëndje, mashtrohet,
    del nga kështjella, shkon në Ishull
    dhe përgatitet të niset drejt Stambollit.

    I pafati Ali Pashë e kandisën me mashtrime
    Drejt në lak të Hurshid Pashës si kafaz prej kanerine
    Dhelpërisht e nxorrën jashtë, osmallijtë besëprerë
    Pas lë depon e barutit, del të hyj’ në tjetër derë
    Vetëm gjashtë emra qenë, që pas tij gati do t’rinë
    Nga tefteri jetës, emrin, seç’ e fshinë për Alinë
    Osmanllijtë plakun e mjerë dhe pse ishte i moshuar
    Ngrehur kthetrat gati mbajnë poshtë ta vënë robëruar
    Silihtari bashkë me të hip kaikes përmbi valë
    Kuvenduar të dy bashkë tej në Ishull çon ngadalë
    Fjalë të kota mollois, fjalë boshe, fjalë, fjalë...
    Fjalë në erë pa kuptim për një plak, shkret, kurizdalë
    Fati vallë ku po të shpie? Të tërheq, pas të të qasë?
    Nga hareja drejt trishtimit një gaztor do të qirasë!!!
    Ndoshta tej Pandelejmonit, Manastirit aty pranë
    Orët ndalen dhe qëndrojnë, orët duket se hap s’kanë
    Duket presin të ngarkojnë, udhë pastaj të marrë karvani
    Drejt Stambollit që po pret ti bëjnë ndere tek mejdani
    Që Sulltani t’a nderojë, çfar ti thotë një fjalë të mirë?!
    Që një vend ti japë si plak, të jetojë i qetë i lirë?!
    Po se di thinjosh i mjeri, presin që ti hanë kokallat
    Ja, atje në Ishull tej, përgjithmonë do mbyllë qepallat.
    Ja atje tek Manastiri, Hurshid Pasha çon vetmuar
    Dhe peshqeshe nga Janina i dërgon për ta qetsuar
    Qingja pirës i dërgon, i bën qefin, i bën nderin
    Ëmbëlsira dhe kafe të mos ndjejë dreq, qederin
    Gajdexhinjtë me violi që të dergjet i haruar
    Edhe këngët me oi... të qetohet, rehatuar....

    .....
    .....
    .....


    Mehmet Pasha bëhet gati, Manastirit i vjen pranë
    Portën hap ai ngadalë, në oborr dëgjon, vesh mban
    Të pafatit Ali Pasha, shkojnë, i bzajnë ngadal në vesh
    Mehmet Pashai paska mbritur për dy fjalë pret në shesh
    Kurrë, vertet nuk e pandehëm, kurrë s’na shkoi nëpër mënd
    Se do t’vinte ditë e zezë dhe për të s’do kishte vend


    Tek divani lart në dhoma ngjiten që të përshëndeten
    Dhe dy fjalë pranë ti thonë, larg mos flasin, larg mos mbeten
    Mehmet Pasha i ngjit shkallët, drejt divanit ca nga ca
    Kafas-basha i shkon pranë për shërbim, për temena
    Fjalë e parë; “selam” i thonë ditën që po vjen e re
    Hapin duart përqafohen, përshëndetje e ëmbël qe
    Mehmet pasha, Hurshid Pasha, djem levenda, mjekërzi
    Ali Pasha mjekërbardhë, plakur, thinjur, mjerë ai...!
    Mehmet Pasha i pabesë, derdhet, bishë e tërbuar
    Tërë zjarr’ që mban me vehte shpraz papritur me dy duar’
    Zjarr të rëndë dhe Ali Pasha i përgjigjet vrik, rrufe
    Por, pisqollat shpuar kanë shpirtin plakur,... rënë përdhe
    Kafas-beu turret tutje të thithë gjakun vragë, rëke
    Trupi i ngrohtë i Ali Pashës nën satër po pret atje...
    Fehim Çami zjarr lëshon si rrufe e plas nxituar
    Kafas-bashi rënë në brinjë hungërin si derr i shpuar
    Siç përmbys metali i sharrës pemët radhë mbarë pyllin
    Ja ashtu dhe Fehmi Çami, kafas bashit, shuan yllin
    Rend nga trupi, vragë shpërndahet, gjak i zi, i ngrohti gjak
    Toka merr vlagën e ngrohtë, zë e pi pak e nga pak
    Është e rëndë kjo peshë e vdekjes fatin dot se ndryshon kush
    Bashk’ me të bjen errësira që gjithë Kaosin mbush...
    Ja! asqerë të Mehmet Pashës shprazin zjarr mbi Femi Çamin
    Bataretë e pisqollës tej për tej i marrin xhanin.
    Bukuri i prishet trimit, ah, kjo mortje e rëndë vrastare
    Ah, kusare e pabesë, që merr trimat! Mëkatare!
    Shuan dritat – Ndjesë pastë! S’do të ngrihet nga ky gjumë
    Pranë të zotit Ali Pashë bashk’ do shkojnë ku ka shumë....
    Beh Bajrami djalë besnik, duart mbushur me pisqolla
    Edhe Mantho sekretari si shqiponja kthetraholla
    E rrëmbejnë Ali Pashën dhe me trup në dhomë e mbrojnë
    Shkarkojnë krisma batare, osmanllijtë nga jasht qëllojnë
    Të rrethuar mbenë tetë, vetë shprazin zjarr, barut
    Mehmet Pasha me asqerë bëjnë yxhym, sprapsen me ngut
    Bashkë lidhur dorë për dorë mbahen Manthua dhe Bajrami
    Ja atje në anë të djathtë, shpirt po jep dhe Fehmi Çami
    Ali Pashën tek pulson.... e vështrojnë në pikë të lotit
    “Unë, u thotë, bijtë e mij, shkoj drejt vdekjes, drejt të ftohtit!
    Por, hallall i paçi asprat, hallall bukën dhe kafshatën!
    Boll luftuat bijtë e mij, u kam lënë nga pas uratën.
    Që i gjallë në turk mos bie veç nga arma plumb e zjarr
    Botës tjetër ju më çoni, veç me nder, drejt e në varr
    Prandaj bini pa u dridhur përsa shpirti s’më ka dalë
    Që të huajt mos më prekin, copë ndamëni të gjallë...”
    Dritë, si djell, që shkon në qiej, porsi mbret e zot mbi zota
    Ashtu shkon dhe Ali Pasha, hegjemon ku mbaron bota.
    Shuhet heshtur rahmetliu, nuk lëshon ah-e, rënkime
    Gjumi i thellë e rëmben, larg e larg në shtegëtime
    Rrugën marrin ashtu bashkë, krah me vdekjen lehtë, lehtë
    Si një shi të ngrohtë lotët, nëpër syt’ e tij do ketë.


    Ja, ashtu dy orë qëndruan, nga rrethimi pastaj shkuan
    Brenda hynë me Mehmetin, osmanllijtë dhe qëndruan
    Gjejnë trupin, ftohur shtati, si një hekur shtangur, ngrirë
    Zënë kokën i këpusin, trupin lënë përdhe të shtrirë...
    Vrap e vrap tek Hurshid Pasha, kokën prerë mbajnë në dorë
    Veç flori do kenë shpërblim, të mbuluar, si flokë borë
    Hurshid Pashai sheh përlotur dhe vështrim i tij hutohet
    Në mëndime bjen hutuar fat’ ... si rrota rotullohet
    Fati i njerëzve nepër kohë, porsi retë në qiejt lart
    Pastaj lodhur i cfilitur, bie, rrëzohet, zbret në Had
    E vështrojnë gjith’ Shqiptarët, sypërlotur, shpirt plaguar
    Osmanllijtë tej qëndrojnë me sytë mprehur, zgurdulluar.

    Eja, o i mjerë Ali, mbarë botës i dëgjuar
    Ishe lart.. ku katandise?!, dert i hidhur, hidhëruar
    Vjen nga larg një zog i shkruar, shkon mërguar në kurbete
    Mbetet ishullit Aliu, rënë pa kokë, veç trupi mbetet
    Tufa lulesh, karafila, tërë mbuluar borzilok
    Bukuri e pikëlluar, mjekr’ e bardh si borë, flok’....

    * * *
    F U N D

    Përktheu dhe shqipëroi
    Dr. Irakli Koçollari

    Gazeta Shqiptare

  2. #2
    EPIROT Maska e EDLIN
    Anëtarësuar
    16-07-2007
    Vendndodhja
    ku bëhen qinglat
    Postime
    1,527
    Shume faleminderit Dydrinas.
    Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar ashtu si e krijoi natyra dhe historia - A. Frasheri

  3. #3
    Harambash Killer Maska e Gameness
    Anëtarësuar
    13-03-2006
    Vendndodhja
    Aty-ktu... por, parasegjithash në "kullën e fildisht".
    Postime
    623

    Sabri Godo "Ali Pashe Tepelena"

    ...Ai ndenji ne qoshk deri pasdite duke pire kafe e shurup me uje debore. Here-here, rregullonte armet ne brez, shikonte malet dhe liqenin. Asnjehere nuk i ngriti syte nga qielli. Koka e tij e madhe rrinte pa levizur mbi zverkun e thate e te holluar.
    Ne oren tre i thane se ishin shkeputur nga Litharica disa barka plot me njerez. Ai llogariti kohen. Duheshin treçerek ore qe barkat t'i binin rrotull per te dale ne lindje te ishullit. Pa u ndjere qene grumbulluar njerez ne qoshk dhe poshte ne oborr.
    - Rrini ketu kater veta, te tjeret te zene vendet brenda - tha Aliu.
    Kur dy barkat e para u afruan te hunjt, te tjera kishin dale afer bregut nga ana e shelgjeve. Disa njerez kercyen ne uje dhe ecen ne lendinat me drure. Shikonin rrotull me shqetesim dhe mbanin hapin.
    Grupi ne balle erdhi afer nje te shtene kobureje, Ali Pasha u ngrit, u perkund mbi kembet dhe thirri fort me ze kercenonjes.
    - Qendroni aty. Cfare me sillni?
    - Vullnetin e mekembesit te profetit Muhamet, - thirri Hasan pasha. Nxori nga gjoksi nje ferman, beri dy hapa para, shpalosi fermanin dhe tha: - I njeh keto shenja?
    - I njoh dhe i nderoj, - u pergjigj Aliu, me te dy duart ne brez.
    - Perulu, merr avdes dhe drejtoja zemren allahut. Koka tende kerkohet nga sulltani, - thirri Hasani.
    Aliu u afrua te parmaku si per te pare fermanin dhe mbajtesin. çdo gje po behej ne rregull dhe kjo e kenaqi, po edhe i nxehu gjakun. I kishte mbajtur ne largesine e duhur Hasan pashen dhe grupin e oficereve qe i rrinin ne krah me armet ne duar. Hasanit i bridhte ne fytyre nje nenqeshje qe nuk kuptohej a ishte turpi, ligesia apo frika, meqe e dinte qe aty do te ndodhte diçka e madhe dhe e rende, qe do kerkonte shpage e do permendej ne breza. E mbeshtolli fermanin, e futi prape ne gjoks dhe priti. Ishte radha e Aliut te bente ate qe duhej si musliman, te zgjaste qafen lumturisht per te dhene koken e kerkuar nga kalifi.
    Aliu pa si me habi fytyrat e kyçura e te zbardhura te oficereve. Ata vertet besonin se Aliu do te kerkonte ujin e avdesit.
    - Tradhetar! Koka ime nuk merret lehte - tha Aliu.
    U kenaq prape kur degjoi zerin e vet si qemoti, nxori me shpejtesi dy koburet dhe i shprazi mbi grupin pa marre shenje. Kishte qelluar mire, se Hasan pasha u praps i plagosur, kurse njeri nga pashallaret e tjere ra i vdekur. Oficeret u permenden dhe zbrazen armet. Po trimat e mbuluan me trup Aliun dhe ai nuk u godit. Filloi shkrehja e armeve nga lendinat nen pemet dhe nga dritaret e nderteses. "Lufte" tha Aliu. Ate kishte dashur, vdekjen ne lufte. U kthye te hynte brenda ku mbante pushket e shumta, po nje plumb e mori ne sisen e djathte. Vuri doren te ndalte gjakun dhe thirri "qendroni perjete, zjarr!". Nga kati prej derrase i shtepise gjemonin krismat, u mbush ajri me tymin e barutit. Mbi shtepine shtinin nja pesedhjete pushke, qe afroheshin gjithnje e me teper. Ishin oficere e ushtare te zgjedhur qe kishin premtimin e nje çmimi shume te larte per koken e Ali Vezirit.
    Te dera nje plumb tjeter e fshikulloi Aline ne ije. S'kish kohe ty hynte te armet. Nxori jataganin me veshtiresi dhe deshi te zbriste shkallet, te perleshej ne fushe te hapet. Ny sy i shkrepi nje drite e madhe gezimi dhe egersie. Kishte gjetur vdekjen qe i duhej. Plumbi i trete i erdhi nga poshte bodrumit, i hyri ne kofshe e deri ne boshtin e kurrizit. Ra ne gjunje dhe u kap pas parmakut, deshi t'i buzeqeshte vdekjes, po s'pati kohe, u kthye e ra ne shpine.
    Pushuan krismat. Oficeret dolen qe prapa pemeve e nga poshte bodrumit u afruan ne heshtje. Ali Pasha shtrihej ne shkallare me trupin e lare ne gjak. Po dukej se gulçinte ende, dhe jataganin e mbante shtrenguar ne dore sikur nuk donte te jepte shpirt.
    Gueghes and Toskes are an iron race, as hard as the rocks they inhabit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •