Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Perjashtuar Maska e xnjeri
    Anëtarësuar
    26-12-2006
    Postime
    267

    Kur të verbërit u kërkojnë të tjerëve të shohin

    Kur të verbërit u kërkojnë të tjerëve të shohin
    Written by Gazeta SOT
    E Diele, 20 Qershor 2010 00:00
    Nga Hajrudin S. MUJA

    “Për të verbërit, dëshmitë janë të vdekura” (Sokrati)

    Në “sihariqin” e z. Pirro Prifti, se: “në periudhën Mars - Qershor 2010, 1.5 milion shqiptarë paskan shkuar për lutje në Kishën e bekuar të Sh’na Ndout” dhe se “shumica e tyre janë të besimit islam“ (Gazeta “SOT”, 15 Qershor 2010),

    ka diçka të vërtetë! Këtu ka të drejtë z. Prifti! Unë nuk jam njëri nga ata 1.5 milion banorë që kanë shkuar për lutje në Kishën e Sh’na Ndout, por jam njëri prej atyre, që në një të diele verore, kisha shkuar në kishën e komunitetit ku jetoj, për një arsye personale. Për çudinë time, aty gjeta më shumë muslimanë se të krishterë, shumica të rinj, disa prej të cilëve i njihja personalisht. Qëndrova deri në fund dhe kuptova se ata nuk kishin shkuar aty për meshë e për lutje, as (siç thoni ju) për të “mbajtur ndërgjegjen (subkoshiencën historike) të besimit të fshehur nga frika për 450 vite rresht”, por për shkak të adoleshenteve gjysmëlakuriqe, me gjokset e mbuluara vetëm me kryqe, të cilat edhe kur erdhi koha e meshës, as ato vetë nuk hynë në kishë. Duhet ta kuptoni edhe ju, se cila ishte arsyeja a atyre të rinjve të cilët nuk lenin të diele pa shkuar në kishë, por edhe faktin se sa janë të krishtera ato adoleshente që qëndronin në oborrin e kishës pa hyrë në meshë. Po të mos më etiketoje me broçkat e “radikalistit islamik të Arabisë”, mund të më thoje edhe mua “i krishterë” pasi paskam shkuar disa herë në kishë. Pikërisht këto janë ata “djajtë e zgjuar” që citonit ju në “gazeta SOT” më 13 korrik 2007.
    Aty ishit paraqitur vetë i tillë, kur lëshonit propozimin tuaj “të urtë”, sipas të cilit te shqiptarët “duhet ngritur kolona e moralit fetar (besimi unik fetar) nëpërmjet një unifikimi fetar kristian të ngadaltë dhe pa dhunë: Atëherë Shqipëria do të marrë frymë lirisht...” që frymëzoje më së miri idetë e shovinizmit grek kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Në Shqipëri, fetë janë pranuar si një pasuri e çmuar e kombit që nga Rilindasit, shumica e të cilëve, për ju z. Prifti janë edhe tradhtarë, pasi paskan formuar “Lidhjen famëkeqe të Prizrenit”. A jeni të vetëdijshëm se “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” ka qenë “famëkeqe” vetëm për grekët e serbët? A jeni të vetëdijshëm se këta burra që formuan LSHP-në ishin të gatshëm të flijoheshin për mbrojtjen e identitetit të gjithëmbarshëm të qenies shqiptare, për bashkimin, çlirimin, pavarësimin, zhvillimin, përparimin e qytetërimin e shqiptarëve pa dallim feje, besimi dhe krahine. Nëse ata, sikurse pjesa dërmuese e shqiptarëve, fillimisht kërkuan të qëndronin në mbrojtjen e Perandorisë, kjo nuk ishte tradhti, siç e quani ju, por meritë e vizionit të tyre largpamës, nga droja se do të ishin gjithmonë të pambrojtur ndaj sllavëve e helenëve armiqësorë dhe parashikimi i kobshëm nën sundimin e tyre. Ishin ato të pajisur me dije të mjaftueshme se duhej të mbështesnin Perandorinë, pa e humbur ndjenjën e zgjuar kombëtare që i shikonte “turqit” si armiq. Ishin mu ato që parashikonin me saktësi gjymtimin e tokave shqiptare me të shkëputur nga Perandoria, pasi i kishin të freskëta kujtimet e Luftës së Krimesë, kur sllavët e helenët i përndoqën shqiptarët me urrejtjen më të thellë: në Nish, në jug të Malit të Zi, në zonën e Janinës etj. Shfletoni dokumentacionet historike të kohës që të bindeni se ishin gjyshërit tuaj ortodoks ata që nuk pranonin madje as të nënshkruanin peticione kundër Shën Stefanit, pasi donin të bashkoheshin me Greqinë.
    Nga një kënd vështrues, shumë zëra janë dëgjuar të thonë se edhe porosinë: “Mos shikoni kisha e xhamia”, Pashko Vasa ua kishte drejtuar ortodoksëve të atëhershëm, kisha e të cilëve ishte bërë stacion i antishqiptarizmit dhe vepronte në asimilimin e shqiptarëve. Po kështu ngjau edhe me kishën serbe në Veri. Tanimë misioni antishqiptar grek është kthye në Shqipëri bashkë me liderin tuaj shpirtërorë Janullatos, për të na treguar se cilit identitet i përkasim e plot gjëra të tjera që u ka skaduar afati. Prandaj s’kemi pse çuditemi që u pengon aq shumë islami i shqiptarëve dhe pse nuk e shihni radikalizmin ortodoks grek që ua ka zënë frymën. Ndoshta për ju e kishte fjalën edhe Konica, kur thoshte: “Nëse ka kush do t'i bëjë keq Shqipërisë, janë vetë shqiptarët”. Thirrja e juaj për “unifikim” fetarë në Shqipëri, është shkelje e historisë, kushtetutës, ndërgjegjes dhe e lirive fetare. Kundërshtarët e logjikës tuaj të “arsimimit të mire” që u thotë shqiptarëve të harrojnë se ç’janë dhe të shtiren se janë ata që nuk janë: “me një fe, me një atdhe nën një flamur të krishterë”, në fjalorin tuaj nuk kanë asnjë rrugëdalje vetëm të përballen me nofkën “radikalist i njohur i grupeve islamike”. Akoma nuk e keni kuptuar z. Prifti se ajo që të bën shqiptar nuk është feja, është Atdheu dhe lidhja që ke me të. Të mendosh se e vetmja pengesë e përparimit dhe inkuadrimit të Shqipërisë është prania e islamit ndër shqiptarët dhe të mos shohësh me sy të ligat që i kanë zënë frymën këtij populli, është hiç më pak se verbëri. Thirrja juaj për unisimin e feve (në të krishterë) për Shqipërinë e shqiptarët, me atë arsyetimin (tashmë të dalë boje) të integrimit në Evropë, sjell konkluzionin e heshtur sikur Bashkësia Evropiane të ishte një klub të krishterësh dhe anëtarësimi në të, të kushtëzohej me konvertimin fetar. Aq shumë të jetë lajthitur Europa vallë, që të mendojë se botëkuptimet me ndjenjat fetare ndërrohen kaq lehtë? Çfarë do të bëjë ajo vetë me gjithë ato muslimanë e xhami në vetë zemrën e saj? Çfarë do të bëjnë anglezët, me 2 milion muslimanë (400.000 të islamizuar pas 11 shtatorit 2001), ndër ta 5000 milionerë, 5 në “House of Lords”, 2 në “House of Commons”, 220 anëtar të koncilit lokal dhe rreth 12 në “City Mayors” (The New York Times 6 mars 2005). Çka do të bëjnë ata me më shumë se 600 xhami (nga 13 më 1963) e 1400 organizata Islame (www.newstime7.com)? Çka do të bëjë Vjena me 53 xhamitë e saj? Çka do të bëjë Franca me shtimin e përditshëm të muslimanëve dhe me konvertime të shumta të manastireve në xhami? Çfarë do të bëjë Gjermania me 3 milion muslimanë e me 2.300 xhami? Ç’ka do të bëjë Rusia me 20 milion muslimanë? Çka do të bëjë Italia, Danimarka, Belgjika, Spanja, ku vendasit vullentarisht po konvertohen në Islam?
    Përgjigja juaj “shembullore” që i jepni “radikalistit Muja dhe radikalistëve të tjerë që vegjetojnë si kërpudha në Shqipëri”, dhe përralla se edhe mbiemri “Muja” është “mbiemër jo mysliman por i krishterë” nuk ka asnjë logjikë të shëndoshë që mund ta pranojë. Gjyshërit e mij nuk kanë qenë katolikë, por ortodoksë si puna e juaj, dhe u jam mirënjohës që pranuan islamin, sepse vëllezërit e tyre që nuk e ndërmorën një hap të tillë, sot flasin serbisht e greqisht. Që në atë kohë, një pjesë të tyre i mësonin: “Atdheu im i dashur, i bukur - Greqi. Si nënë tjetër do të dua... Gjithçka do të jap në altarin tënd: dëshirat, pasurinë dhe jetën. Po, në qoftë se nuk do të bëhem biri yt besnik, le të kem mallkimin e Perëndisë... Amin” (Studime historike nr.2, 1980, f.104). Këto z. Prifti, nuk janë histori tradhtarësh, janë histori që nuk i shohin vetëm të verbërit. Në Turqi kam dëgjuar për një plak 80 vjeçar që ka lindur e është rritur atje (në mesin e një komuniteti të madh shqiptar) dhe nuk njeh e nuk flet gjuhë tjetër veç shqipes. A ka ndonjë të tillë në Greqi Z. Prifti? Ka më shumë që e kanë harruar fare – do të thuash. Sigurisht ka edhe në Amerikë në emigrimet e vonshme (sidomos rinia) të cilët nuk e njohin shqipen fare, mos ka faj Amerika e amerikanët? Kështu ngjanë kur të verbërit u kërkojnë të tjerëve të shohin...
    Në reagimin e artikullit tuaj “Ri-konvertimi në fenë e të parëve, një opsion i nevojshëm” (Gazeta “SOT”, 9 gusht 2008), ide e huazuar nga Aurel Pasari (“Vija e Teodosit”, Tiranë 1995), Mehdi Hyseni u kishte treguar ju dhe të gjithë atyre që shohin me sy, se strategjia antifetare dhe antishqiptare: “është vetëm një “letër e djegur” e disa fanatikëve fundamentalistë të krishterë, të cilët, po qe se nuk kursehen nga një rrugë e tillë fataliste, ekziston gjasa reale, që të vetëdigjen në flakën e saj. Të tri religjionet shqiptare nuk janë në konflikt as në konfrontim mes tyre, por armiqtë e tyre me naivitetin dhe me verbërinë e tyre po orvatën, që të fusin “mish dhie” mes tyre për të përçarë dhe copëtuar kombin shqiptar dhe Shqipërinë Etnike” (4 Shtator 2009). z. Hyseni, duke polemizuar me ju, ua bënte me dije se: “Gjendja faktike e të tri feve të shqiptarëve, nuk mund të ndryshohet kurrë, as me dialog paqësor, as me dhunë, as me terror e as me gjenocid” dhe se fetë “në gjithë historinë e tyre, nuk kanë qenë pengesë për bashkëjetesën fetare, kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve, e as për zhvillimin dhe përparimin e tyre të përgjithshëm kulturor, demokratik, politik dhe shtetëror...” Këtë mendim kishte edhe At Anton Harapi, kur më 1944 nënvizonte: “Bashkimi i tri klereve asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim”. Kurse tipave si puna e juaj u thoshte: “Po fole në këtë rast, ke qitur tharmin e shqetësimit, je atentator i vëllaznimit, i rrezikshëm për besim e shtet...”.
    Për fund do t’u këshilloja të mos luani me ndjenjat e besimtarëve të cilësdo fe qofshin. Mos pandehni se mund t’i shpëtoni syrit të Zotit, gjithkund të pranishëm e të Plotfuqishëm. Besimi në Zotin e ka bërë shqiptarin ta njohë njeriun, jetën, shoqërinë, Atdheun… t’u njohë edhe ju me petkun e zi, me të cilin jeni mbuluar.

  2. #2
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043
    eshte mbushur tirana me pseudogazetar.

    nuk e dime kush jane te verberit.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •