Rasti Kiçina në Gjykatën Kushtetuese
Këshilli Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina” i ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kërkesën për të shqyrtuar, analizuar dhe rivlerësuar shkeljet dhe parregullsitë në rastin “Kiçina”, gjegjësisht dhënien e një mendimi dhe interpretimi rreth shkeljes së të drejtave të njeriut dhe padrejtësive që u janë bërë në të tri shkallët e gjykimit të akuzuarve, Burim dhe Arsim Ramadani, Arben dhe Jeton Kiçina.
Bashkë me kërkesën iu dorëzua edhe peticioni “Drejtësi në rastin Kiçina” si dhe dosja me materialin komplet të rastit.
Ankesa u bë me rekomandim të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, i cili në mbledhjen e mbajtur më 1 qershor e shqyrtoi kërkesën e Këshillit Organizativ dhe rekomandoi që Këshilli t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me padrejtësitë që u janë bërë të akuzuarve në fjalë, me rastin e shqiptimit të dënimit nga gjykatat, thuhet në një komunikatë për media të Këshillit Organizativ.
Këshilli konsideron se të akuzuarve në rastin “Kiçina” u është shkelur e drejta për të qenë të lirë, e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Gjithashtu, Këshilli konsideron se të akuzuarve në rastin “Kiçina” u është shkelur e Drejta për gjykim të drejtë, të paanshëm dhe gjykim brenda një afati të arsyeshëm, gjithashtu e garantuar me Kushtetutë.
Kërkesa është mbështetur edhe nga 19 organizata joqeveritare, lëvizje e parti politike, si dhe komisione të Kuvendit.
Zyrtarët e Gjykatës Kushtetuese e pranuan ankesën dhe e siguruan Këshillin Organizativ se shumë shpejt ankesa do të procedohet dhe do të jepet një përgjigje. /express/
Krijoni Kontakt