Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi priti të premten ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri.

Gjatë takimit, presidenti Topi ndër të tjera vlerësoi veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe për çështjen e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj, si vendi i parë i Gjirit që hodhi këtë hap të rëndësishëm, si dhe rolin aktiv në Organizatën e Konferencës Islamike dhe bashkëpunimin me delegacionin shqiptar për miratimin e Rezolutës “Për situatën në Kosovë”, të miratuar pak kohë më parë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme.

Ministri Al Nahyan ndërkaq, e siguroi kreun e Shtetit shqiptar për bashkëpunimin e mëtejshëm në drejtim të rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë takimit, presidenti Topi vlerësoi pozitivisht klimën e dialogut politik që ekziston midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe shprehu dëshirën për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke vlerësuar shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, presidenti Topi shprehu besimin se këto takime do të kontribuojnë në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm, kryesisht në sektorin ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve. /Telegrafi/

Jo muslimanet nuk po na perkerahin?!