Energjia, tjetër rritje çmimi më 2011-n
25/06/2010
Ard Kola
ERE: Korrigjimi i nivelit të humbjeve favorizoi OSSH. Gjyqi, palët drejt kompromisit
Shqiptarët do të përballen me një tjetër rritje të çmimeve të energjisë elektrike në janar 2011. Konfirmimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili sapo ka korrigjuar nivelin e humbjeve në rrjet, element tepër i rëndësishëm në përcaktimin e tarifave të reja. Të dhënat e fundit tregojnë për një nivel humbjeje me të paktën 34 për qind, ose 1 për qind më lart nga periudha kur ERE mori vendimin për rritjen e çmimeve me rreth 13 për qind. “Në vendimin e muajit dhjetor për rritjen e çmimeve, niveli i humbjeve ishte 33 për qind, gjë që u kundërshtua nga OSSH-ja, duke pretenduar një masë prej 35.7 për qind. Nga verifikimet në terren dhe te linjat e përcjelljes së energjisë, rezulton se niveli i humbjeve paska qenë 34 për qind. Kjo do të thotë se OSSH-së i lind e drejta që tani të kërkojë rritje me të paktën 1 për qind, por analizat dhe studimet do të nisin në shtator, për të marrë një vendim përfundimtar”, tregon për “Shqip” një burim zyrtar i ERE-s. Sipas tij, me situatën aktuale, rritja e çmimeve të energjisë është e pashmangshme në vitin 2011.
Humbjet e energjisë elektrike janë treguesit që përcaktojnë nevojën e kompanisë për të investuar në rrjet, e për pasojë detyrimin e saj për të kërkuar rritje çmimi, në mënyrë që të krijojë të ardhura dhe fond për të përballuar shpenzimet. Kur CEZ bleu OSSH-në, nisi studimin për të parë nivelin e humbjeve, nisur dhe nga fakti që shifrat e paraqitura nga qeveria ishin pak të besueshme. Gjendja e humbjeve të energjisë, nga faktori teknik dhe më së shumti nga vjedhja në linja, ishte tepër katastrofike dhe për ta përmirësuar, OSSH-ja planifikoi një nivel investimi tepër të lartë. Ajo çfarë kishte ndodhur në OSSH-në shtetërore ishte fshehja e të dhënave te faturimi, ku për të kamufluar nivelin e arkëtimeve, energjia e konsumuar i adresohej Operatorit të Shpërndarjes për qëllimet e veta. Kur çekët panë nga afër manovrën e fshehjes së humbjeve reale, dolën me konkluzionin se energjia që hidhet në rrjet humbet rrugës në masën 35.7 për qind dhe jo 33 për qind sikurse i kishte deklaruar qeveria para privatizimit. Në rast se kemi nivel humbje të lartë, aq më e madhe është mundësia për rritjen e çmimeve, për shkak të nevojave për para në sektorin e investimeve. ERE nuk e mori në konsideratë kërkesën e OSSH-së për humbje rreth 35 për qind, por e la të hapur rrugën e verifikimit, ndërsa mori vendim për rritje tarifash me 13 për qind, duke marrë si të qenë humbjet me 33 për qind. Në këtë konflikt, palët u gjendën në gjyq, e në rast se humbiste ERE, qeveria shqiptare duhet t’i paguante CEZ-it 60 milionë dollarë, si dëm i shkaktuar nga mosrritja e tarifave, sikurse e parashikon deklarata rregullatore.
I gjithë debati lidhej me nivelin e humbjeve për vitin 2008 e tutje, kur OSSH ishte në pronë të shtetit dhe ku të dhënat për privatin janë pak të besueshme. Kur kanë kaluar një vit nga verifikimi i të dhënave, del se OSSH-ja kishte pak të drejtë, ose më saktë 1 për qind më tepër nga pretendimet e qeverisë. Kjo e drejtë na detyron të kemi rritje të çmimeve për vitin që vjen me të paktën 1 për qind.
Sa i takon gjyqit, palët janë duke parë mundësinë e një kompromisi, në mënyrë që të mos preket garancia 60 milionë dollarë. ERE dhe OSSH-ja kanë kryer vetëm një seancë gjyqësore ku janë njohur me pretendimet, ndërsa të tjera janë shtyrë pa fund që prej muajit shkurt.
Krijoni Kontakt