Basha paralajmëron kandidaturën për Bashkinë e Tiranës
Gazeta Standard
“Unë nuk i jam trembur asnjë sfide, fitoren e se cilës gjykoj së i shërben arritjes së objektiva të këtij vendi”
Ministri i Brendshëm dhe një ndër politikanët kryesorë të PD-së la të kuptohej mbrëmë se do të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2011 përballë kryetarit aktual Edi Rama. Duke folur në emisionin “opinion” të Blendi Fevziut në përgjigje të pyetjes: “Ju jeni një kandidat?” ai tha se, “nëse ka një ofertë konkrete të jeni të bindur që të gjithë angazhimin përkushtimin dhe energjitë e mija do të vihen në dispozicion”. Basha po drejton mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, proces për të cilin ai dha siguri të plotë se do të përfundojë me sukses në pak muaj. Më poshtë po japim një pjesë të intervistës së tij që ka të bëjë me mundësitë e kandidimit për garën e kryeqytetit në pranverën e vitit që vjen.
Kishit një gjuhë të ashpër ndaj të opozitës, kishte një adresë të saktë, Edi Rama.
Mua m’u krijua ideja se ka nisur një fushatë elektorale që ka një rivalizim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Mund të ndodhë që në të ardhmen të ketë një përballje midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës? A mund të jeni ju një kandidat i përzgjedhur për të konkurruar për Bashkinë e Tiranës?
Fushata elektorale përfundoi në qershor. Fushata tjetër, sipas gjasave, vjen vitin tjetër.
Jeni ju një kandidat?
Këto janë çështje të cilin i përkasin për nga vendimmarrja, në radhë të parë të Partisë Demokratike, në radhë të dytë koalicionit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse ka një ofertë konkrete, të jeni të bindur që të gjithë angazhimin, përkushtimin dhe energjitë e mia do të vihen në dispozicion.
A jeni do të jeni i gatshëm të konkurroni përballë Edi Ramës, që i ka mundur tre herë kandidatët tuaj?
S’më impresionon fare kjo e fundit që the. Edhe njëherë të thashë, jemi goxha kohë përpara zhvillimeve. Nuk bëj kalendar politik për çështje të cilat nuk më takojnë ekskluzivisht mua. Është çështje vendimmarrje të Partisë Demokratike dhe forumeve të saj, dhe koalicionit. Është kjo vendimmarrje, nuk dua dhe as nuk mundem ta paragjykoj. Por, angazhimi dhe energjia ime janë, siç kanë qenë deri më sot, në dispozicion të kësaj mazhorance.
Jeni i gatshëm të përballoni një sfidë me kryetarin e PS, Edi Rama?
Unë nuk i jam trembur asnjë sfide, fitoren e së cilës gjykoj se i shërben arritjes së objektiva të këtij vendi dhe atyre për të cilat unë besoj...
...Nuk ju ngjan një sfidë e pamundur përballja me Edi Ramën?
Nuk i trembem absolutisht asnjë sfide, e cila do të kontribuonte në arritjen e objektiva dhe shërbimit ndaj qytetarëve të këtij vendi. Absolutisht as sfidës që ju përmendet. Natyrisht që nuk mund të paragjykoj procesin, se procesi është vendimmarrja e partisë sime, e Partisë Demokratike. Absolutisht kam të gjithë angazhimin dhe energjinë të përballem me çdo sfidë dhe të dal fitimtar.
standart
Krijoni Kontakt