Statusi dhe kufijtë e Kosovës, çështje e kryer
Prishtinë, 20 qershor- “Kam marrë mbështetje të gjithanshme të Brukselit në agjendën të cilën e kam përpara me vizionin të cilin e kam prezantuar. Është një mbështetje për progresin e arritur në Kosovë nga Brukseli për vazhdimin e qeverisjes së mirë dhe të sundimit të ligjit, të angazhimeve tona shtesë që kemi integruese dhe në të njëjtën kohë dua të potencoj se si kurrë ndonjëherë në këto dy vite kemi një mbështetje të fuqishme dhe unike nga Brukseli për institucionet e Kosovës”, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas kthimit në Prishtinë nga vizita zyrtare në Belgjikë, ku ka zhvilluar takime me autoritetet e larta të këtij vendi, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, komisarin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, dhe shefen e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.
Duke folur rreth procesit në GJND, Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se nuk do të ketë hapje të bisedimeve për statusin.
“E di që opinioni i GJND-së është duke u pritur me padurim nga të gjithë, por duhet të siguroj dhe garantoj të gjithë qytetarët se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa dhe nuk do të ketë hapje të çështjes së statusit e gjithashtu as të çështjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Kryeministri i vendit u ka thënë gazetarëve se në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s ka kërkuar që të mos ndryshojë marrëveshja ushtarake e Kumanovës, duke përkujtuar se Kosova po ndërton mekanizma te vet të sigurisë, të mbrojtjes dhe se reduktimi i trupave të KFOR-it është mesazhi më i mirë i stabilitetit.
Gjatë kësaj vizite kryeministri Thaçi tha se me kryeministrin Belg Iv Letern ka nënshkruar dy marrëveshje bilaterale, për transport rrugor dhe transferimin e të burgosurve.
Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve që janë duke u mbajtur në Partesh, Thaçi ka thënë se këto zgjedhje janë shenja më e mirë që jemi në fazën përmbyllëse të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.
“Këto zgjedhje janë shenja më e mirë se jemi në fazën e përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur pasi që po implemetojmë në tërësi planin e Ahtisaarit. Pas prezantimit të opinionit të GJND-së do të hyjmë në kapitullin e ri të integrimit në strukturat e NATO-s dhe të BE-së”, ka vlerësuar ai. /koha/
Krijoni Kontakt