Në Gjilan shpronësohen 3 hektarë tokë për memorialin e dëshmorëve
Gjilan, 20 qershor - Kuvendi Komunal ka miratuar vendimin për shpalljen e interesit publik në zonën e qujatur “Kodra e Dëshmorëve”, ku do të ndërtohet memoriali i dëshmorëve, projekt ky që do të kushtojë rreth një milion euro, por do të ndërtohet në faza, është thënë nga kreu i KK-së.
Gani Neziri, drejtor për Gjeodezi, ka thënë se mbi 2 hektarë i përkasin sektorit privat, mbi një hekar është pronë komunale, ndërsa sipërfaqja tjetër prej 75 arë, të cilat së bashku përbëjnë sipërfaqen e planifikuar për realizimin e projektit të memorialit, i përket ish-Kombinatit Bujqësor “Mladost” më vonë “Agrikultura”, dhe për këtë pronë duhet të bisedohet me AKP-në.
Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal, Izmi Zeka, rreth 70 për qind e kësaj sipërfaqje i´u takon pronarëve individualë, dhe ajo duhet të shpronësohet në përputhje me procedurat ligjore.
Në favor të shpalljes së kësaj prone si interes publik dhe ndërtimit të memorialit, ku tashmë është vënë gurthemeli, më 15 qershor, ka votuar edhe opozita (LDK, AAK e LDD), duke e vlerësuar qëllimin të qartë, të drejtë dhe të ligjshëm.
KK-ja ka miratuar edhe propozimin për lejimin e kompenzimit të pronarit Gani Mehmeti, të cilit në vitet e tetëdhjeta i është marrë një tokë në afërsi të ish-deponisë së mbeturinave, por nuk i është kompenzuar asnjëherë deri më tani, duke u dakorduar që atij, si kompenzim t`i jepet një pronë tjetër. /koha/
Krijoni Kontakt