Istogu shënon 11- vjetorin e çlirimit

Istog, 20 qershor- Në Istog, të dielën, me manifestime të ndryshme është shënuar Dita e çlirimit. Përfaqësues të strukturave komunale, këshilltarë komunalë, përfaqësues të subjekteve politike dhe të shoqatave të dala nga lufta, të prirë nga kryetari i komunës së Istogut, kanë vënë kurora lulesh para përmendores së dëshmorëve të lirisë në qendër të qytetit dhe kanë nderuar me një minutë heshtje dëshmorët e lirisë, ndërkaq vetëm gjysmë ore më vonë është mbajtur edhe një akademi solemne në sallën e KK-së, për të vazhduar me aktivitete përkushtuese kulturo artistike dhe sportive. I pari i Istogut, Haki Rugova, në akademinë përkushtuese është shprehur i kënaqur me rezultatet që janë arritur në këtë komunë 11 vjet pas luftës, por ka shprehur bindjen e tij se ka mbetur edhe shumë për t' u bërë duke është zotuar se do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Istogut, pa dallim. " Jemi mbledhur sot këtu për ta kujtuar 11 - vjetorin e çlirimit të Istogut " ka thënë ai, duke përkujtuar luftën e lavdishme të komandanit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, luftën përgjithshme të UÇK-së, flijimin e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, si dhe veprimtarinë atdhetare e politike të ish- presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe kontributin për zhvillimin e Istogut të ish- kryetari Fadil Ferati.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, majori Naim Gjura ka thënë se pikërisht më 20 qershor të vitit 1999, 11- vjet më parë, Istogu është çliruar nga pushtuesi serb, falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndihmës së forcave të NATOS-s dhe flijimit të qindrave dëshmorëve dhe martirëve që u flijuan për atdhe. Ai në fjalën e tij është shprehur i pakënaqur nga institucionet vendore e lokale, që sipas tij, nuk kanë bërë sa duhet për kategoritë e dala nga lufta. " Edhe 11 vjet pas luftës kategoritë e dala nga lufta kanë mbetur pas dore ", ka pohuar ai, duke kërkuar unifikimin e faktorit politik dhe lënien anash të interesave partiake, në mënyrë që të bëhet më shumë për këto kategori. /koha/