Tetëdhjetekatër mësimdhënës të komunës së Malishevës vazhdojnë të japin mësim në shkollat fillore dhe të mesme të kësaj komune, pavarësisht se ndaj tyre tashmë janë ngritur aktakuza për falsifikim të diplomave.
Për katër muaj sa kanë zgjatur hetimet e Prokurorisë Publike të Gjakovës, zyrtarë të këtij institucioni, siç raporton e përditshmja Zëri, kanë arritur që të identifikojnë mësimdhënësit që kanë marrë diploma false në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, për t’u punësuar më pas në ndonjërën nga shkollat e Malishevës.
Zyrtarë të Prokurorisë Publike kujtojnë se gjatë fazës së hetimeve kanë hasur në shumë kandidatë që asnjëherë nuk kanë qenë studentë në Gjakovë, dhe si rrjedhojë nuk e kanë ditur se në cilën pjesë të qytetit ndodhej ish- Shkolla e Lartë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Gjakovës, Masar Vula, thotë se për të marrë një diplomë, një kandidat ka paguar prej 2 mijë deri në 4 mijë e 500 euro, ndërsa kujton se ka hasur në kandidat që diplomën e ka marrë para pesë vjetëve, ndërsa provimin e fundit e kanë dhënë katër vjet më pas.
“Procesi ka përfunduar për të gjitha rastet, aktakuza është ngritur dhe është dërguar në gjykatën e kompetente për gjykim, pra në Gjakovë. Ne i kemi filluar hetimet, dhe e kemi ngritur aktakuzën. Aktakuza është ngritur për të gjithë, edhe për zyrtarët e ish-shkollës së lartë që kanë dhënë diploma, edhe për kandidatët të cilët kanë qenë studentë”, ka thënë Vula, duke shtuar se ekzistojnë kandidatë mbi të cilët rëndojnë akuza për falsifikim të diplomës, për dhënie të mitos dhe akuza tjera. /Zëri/
Krijoni Kontakt