-
A është restorant “Gjeli” zyra e re e drejtorit të SHISH
A është restorant “Gjeli” zyra e re e drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri
Gazeta Sot
E Diele, 19 Shtator 2010 00:00
Nga Kastriot MYFTARAJ
Nëse doni të njihni për fytyrë të gjithë djemtë e sektorit të survejimit të SHISH, mjafton të shkoni tek restorant “Gjeli” në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, pak mbi ndërtesën ku
është Vizion Plus, dhe do t’ i gjeni atje duke bërë sfilatë përreth ndërtesës së restorant “Gjeli”, me kostumet e tyre të zinj, ose me jelekët në verë, dhe me qëndrimin që i shndërron në hieroglife të kuptueshme që lexojnë: Unë jam njeriu i shërbimit sekret!
Djemtë e sektorit të survejimit të SHISH gjenden shpesh në shërbimin e rojes përreth restorant “Gjelit” se drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri pëlqen që të drekojë shpesh atje. Natyrisht se djemtë e survejimit ndërrohen sipas një skeme që e dinë shefat e tyre dhe rezultati i padëshiruar i së cilës është që të gjithë djemtë e sektorit të survejimit të bëjnë sfilatë në trotuarin përreth restorant “Gjelit”. Prania e djemve të sektorit të survejimit të SHISH përreth restorant “Gjelit” është njëlloj sikur në hyrje të tij të jetë vendosur një tabelë me mbishkrimin: “Këtu po drekon drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri”. Kohëzgjatja e qëndrimit të djemve të sektorit të survejimit të SHISH në këtë vend, tregon dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri në restorant “Gjeli”. Drejtor Bahriu rri me orë të tëra në restorant “Gjeli”, pikërisht në kohën e orarit zyrtar të punës. Dhe shpesh merr me vete edhe shefat e tjerë të SHISH që nga zëvendësi i tij.
Kur ambasadori amerikan dhe ambasadorë të tjerë perëndimorë kundërshtuan para disa muajsh projekt-ligjin për SHISH, ata u shprehën se po ndërhyjnë në këtë çështje se Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe duhet t’ i bëjë këto lloj ligjesh sipas standardeve të NATO. A thua na qenka standardi i NATO-s që drejtori i shërbimit inteligjent të kalojë me orë të tëra gjatë ditës në një restorant të caktuar duke dekonspiruar atje të gjithë sektorin e survejimit të SHISH. Pyetja është: A do të guxonte të sillej kështu Bahri Shaqiri sikur të mos e kishin mbrojtur ambasadorët perëndimorë, kur mazhoranca deshi ta kufizonte me ligj mandatin e tij deri më tash të pakufizuar në kohë. Kufizimi kohor i mandatit të shefit të shërbimit inteligjent është një standard i NATO-s, i vendosur në vendin udhëheqës të NATO-s, SHBA. Kuptohet qartë se përse është vendosur ky standard. Që drejtorët të mos sillen si Bahri Shaqiri.
Tashmë Bahri Shaqiri mund të sillet si të dojë, se kryeministri, i cili sipas Kushtetutës ka të drejtë t’ i kërkojë Presidentit Topi shkarkimin e Bahri Shaqirit, e di se është e kotë që ta bëjë këtë, nisur nga marrëdhëniet e kryeministrit me presidentin dhe të Bahriut me presidentin. Bahriu tashmë jeton në shtëpinë e re që ka marrë në pallatin pranë Vilës “Goldi”, nga një ndërtues që është i njohur si miku i ngushtë i presidentit. Në të njëjtin pallat ka marrë shtëpi edhe Fatos Klosi, ish-shefi i shërbimit në vitet 1997-2002. Kjo të jep të kuptosh se Fatos Klosi është këshilltari kryesor i Bahri Shaqirit në drejtimin e shërbimit inteligjent. Vetëm ky fakt dhe vizitat e shpeshta mbrëmësore të Bahriut dhe Fatosit në shtëpitë e njëri-tjetrit do të mjaftonte që Bahriu të largohej nga detyra, por atë e mbrojnë ambasadorët që tregojnë… standardet e NATO-s. A thua standardet e NATO-s në Shqipërinë qenkan tekat e Bahriut!
Para disa kohësh, Bahri Shaqiri mbajti një raport në parlament, një pjesë e madhe e të cilit ishte konfidenciale dhe u bë me dyer të mbyllura. Por raporti, me të gjithë pjesët konfidenciale u botua në gazetën “Zëri i Popullit”. Nuk mund të mos bëhet pyetja se kush ia dha raportin gazetës “Zëri i Popullit”. Nëse dëshiron të zbulosh punët e Bahriut, duhet të investigosh qëndrimin e tij në restorant “Gjeli”. Pak para botimit të raportit, Bahriu drekoi atje me Ilir Gjonin e PS. Bahriu dhe Iliri njihen për shkak të miqësisë familjare që babai i Ilirit, Xhelil Gjoni, ka pasur me babain e Bahri Shaqirit. Xhelil Gjoni ka qenë i njohur për miqësitë e tij në rrethet e artistëve, dhe mbi motivet e vërteta të Xhelilit në krijimin e këtyre miqësive ka dhe shumë anekdota, që ushqehen sot edhe nga miqësia e Ilirit dhe Bahriut. Pa dashur të ndërhyj në aspektin sentimental të drekës së Ilir Gjonit dhe Bahri Shaqirit, nuk mund të mos dyshohet se në atë drekë Iliri ka marrë si dhuratë nga Bahriu raportin e plotë të SHISH, i cili u botua në gazetën e PS.
Presidenti i Republikës, në dorën e të cilit varet qëndrimi i Bahriut në detyrë, e ka të lehtë të marrë të dhëna mbi këtë çështje, se ai ka një dëshmitar të besuar në këtë ngjarje, vetë Kreshnik Spahiun, nënkryetarin e KLD, i cili është klient i shpeshtë i të njëjtit restorant. Problemi është se vështirë që Kreshniku të flasë se Bahriu e ka parë shpesh atje me femra adoleshente, të cilave u premtohet një karrierë në drejtësi.
Amerikanët pretendojnë si nën zë Bahri Shaqiri duhet të jetë në krye të shërbimit, se ka merita në luftën kundër terrorizmit, duke nënkuptuar terrorizmin islamik. Unë jam personi që mund të dëshmoj me prova të pakundërshtueshme se Bahri Shaqirit as që i bëhet vonë për luftën kundër terrorizmit islamik. Në korrik të këtij viti u vetëparaqit në internet një organizatë klandestine inteligjence (zbulimi) e mbiquajtur Shërbimi Informativ Musliman, e cila deklaroi se vepron në të gjithë trojet shqiptare dhe ka qendra në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Nga emri kuptohet se bëhet fjalë për një organizatë klandestine paramilitare e cila vetëparaqitet si dublim i shërbimit inteligjent zyrtar të Shqipërisë, por edhe atij të Kosovës. Pas atentateve të 11 shtatorit, një ndër gabimet më të mëdha që iu atribuan CIA dhe FBI ishte neglizhimi i veprimtarisë në internet të fundamentalistëve islamikë, të cilët përgatitën dhe kryen atentatet. Që atëherë kjo lloj veprimtarie nuk neglizhohet më dhe ky mund të quhet një standard i NATO për shërbimet inteligjente. Por ky nuk është qartësisht standardi i Bahri Shaqirit. Një agjenci tjetër inteligjente e shtetit shqiptar, tregoi përgjegjshmëri dhe profesionalizëm, duke kërkuar të dhëna për këtë çështje, gjë që nuk e bëri SHISH.
Në këto ditë kur ka filluar një konflikt në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, Bahri Shaqiri rri tek restorant “Gjeli” dhe përgatit raporte se bëhet fjalë për një luftë mes “të moderuarve” të udhëhequr nga kryetari aktual, Selim Muça, dhe ekstremistëve, të udhëhequr nga rivali i tij. Kjo në një kohë kur Selim Muça, në mesazhin zyrtar për fillimin e muajit të Ramazanit, në 10 gusht të këtij viti, e quajti Shqipërinë vend islamik, çka përbën një deklaratë antikushtetuese, që përbën madje edhe një vepër penale. Kur, si me Selim Muçën, si me rivalin e tij, nga altoparlantët e minareve të xhamive do të ushtojë ezani në arabisht, në dhunim të plotë të laicizmit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, ç’ të vërtetë ka në raportet që bën drejtor Bahriu.
Por ndoshta është e kotë që t’ i kërkohet llogari Bahri Shaqirit për punët e shërbimit inteligjent. Se ai ka të drejtë të thotë: Unë shisja bileta tek agjencia ajrore “Adria airlines” dhe më morën e më vunë në krye të shërbimit inteligjent. Çfarë prisnit nga unë. Natyrisht se ajo që pritej ishte që së paku të mos e kalonte ditën tek restorant “Gjeli” se kur punonte tek “Adria” nuk guxonte që ta bënte këtë gjë. Por drejtor Bahriut i ka pjellë gjeli, siç i thonë fjalës, derisa ai e kalon ditën tek restorant “Gjeli” dhe ambasadorët e vendeve të NATO e quajnë të domosdoshme praninë e tij në krye të shërbimit inteligjent. Por tashmë nuk duket se është vërtet kështu. Tashmë duket se amerikanët e kanë dhënë viston që drejtor Bahriu të shkarkohet, ndërsa ata do të bëjnë sikur protestojnë. Se Bahriu ka bërë dhe disa punë të tjera të cilat nuk u kanë pëlqyer amerikanëve, sidomos në historinë e Gërdecit, ku ka dërguar disa raporte, në të cilat, sipas udhëzimeve të Fatos Klosit ka dhënë versione të ngjarjeve të errta që pasuan shpërthimin e Gërdecit, duke u bazuar thjesht mbi të famshmet “të dhëna operative”, të cilat si të vetmin synim kishin diversionin politik në Shqipëri, dhe implikimin e ndonjë biznesmeni shqiptaro-amerikan i cili nuk i ishte bindur Fatos Klosit në të kaluarën.
E thënë më qartë, drejtor Bahriu, duke u inkurajuar nga statusi i vet i drejtorit të përjetshëm, e ka marrë në shpinë arkivolin e Kosta Trebickës dhe e ka shëtitur nëpër botë, duke e lënë tek pragu i shtëpisë së njerëzve të ndryshëm, në dy anët e Atlantikut. Drejtor Bahriu mund ta bëjë këtë sot, por nesër ai më tepër se ish-drejtor Bahriu do të jetë ish-biletashitës Bahriu, dhe do ta thërresin që ata që ua ka lënë arkivolin tek dera do ta thërresin që ta rimarrë, dhe pastaj do të duket se sa burrë është dhe a do ta mbajnë këmbët me arkivolin që ka shëtitur mbi shpinë.
Last Updated on E Shtune, 18 Shtator 2010 19:51
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt