Flamur Vezaj | 12/06/2010 |Shekulli
Drejtori i RTSH-së Beci: Nuk kam dijeni ku janë paratë, por do ta verifikoj të hënën. Banka: llogaritë administroheshin nga TVSH-ja
Paratë u mblodhën nga donatorë të ndryshëm gjatë emisionit televiziv "7 X&", të gazetarit Agron Bala
TIRANË- Shoqata e Familjareve të Viktimave të Gërdecit, i kërkon Radiotelevizionit Shqiptar paratë e mbledhura nga dhurues të ndryshëm, në një edicion special të emisionit televiziv "7 x 7" me tematikë mbledhjen e ndihmave për familjet e viktimave të Gërdecit mbrëmjen e 24 marsit 2008.
Kryetari i shoqatës, Feruzan Durda, nëpërmjet një shkrese i është drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar, z.Petrit Beci dhe drejtorit të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ku ishin hapur llogaritë bankare në lekë, dollarë dhe euro në ndihmë të familjeve të viktimave.
Sipas shkresës, 2 vite pas ngjarjes dhe zhvillimit të emisionit të drejtuar nga gazetari Agron Bala, ku nisi mbledhja e donacioneve, të ardhurat nuk janë dorëzuar pranë familjarëve të viktimave në Gërdec. Madje nuk dihet destinacioni i tyre.
"Emisioni arriti të grumbullojë, afërsisht 67 mijë euro, sipas të dhënave që jepte drejtuesi i emisionit Agron Bala, dhe sinjalizimeve të regjisë. Kjo shumë konfirmohej nga banka gjatë emisionit.
Përveç kontributeve të deklaruara në dy numrat e telefonit të atij emisioni nga qytetarët B.K.; L.D.; D.P.; A.T.; A.K.; N.B.; I.Z.; G.F. etj, u deklarua nga gazetari që drejtonte emisionin edhe kontributi i Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH, në shumën e 400 mijë lekëve.
Në studio gjithashtu personalisht një administrator i një kompanie private deklaroi se kishte derdhur në llogarinë bankare përkatëse 200 mijë lekë"-thuhet në shkresën dërguar drejtuesit të TVSH-së, si dhe drejtorit të filialit të bankës. "Këto shuma, megjithëse, sipas vullnetit të dhuruesve duhej t'iu ishin dorëzuar familjeve të viktimave, kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Prej kohësh kemi pritur në heshtje, por sot, pas dy vjetësh ju drejtohemi me këtë kërkesë për informacion"-thuhet në shkresën e firmosur nga kryetari i Shoqatës së Familjareve të Viktimave të Gërdecit, Feruzan Durda.
Në fund të kërkesës, familjarët e viktimave kërkojnë të informohen rreth fatit të këtyre parave, pasi familjet e tyre vazhdojnë te jenë në vështirësi ekonomike dhe këto para iu takojnë atyre. "Shekulli" ka kontaktuar me Drejtorin e Përgjithshëm të TVSH-së, z.Petrit Beci, në lidhje me këtë shkresë.
"Sot (dje) kam marrë një shkresë të tillë ku kërkohet informacion për shuma të caktuara. Unë të hënën do të kryej verifikimet e duhura dhe do t'i kthej përgjigje shoqatës.
Një gjë ju them se ato llogari bankare janë hapur nga një sponsor që ishte banka dhe nga banka deri më sot (dje) nuk kam marrë një shkresë që të më njoftojnë se në llogaritë e TVSH-së janë kaq para të mbledhura për X arsye.
Unë si drejtor nuk kam marrë apo njoftuar nga njeri për këto lekë që përmendën në shkresë, por do të kryej verifikimet e nevojshme"-tha Beci duke hedhur poshtë dyshimet se lekët janë zhdukur nga TVSH-ja.
Banka ku janë depozituar paratë, saktësoi për "Shekullin" se llogaritë janë hapur nga punonjës të TVSH-së dhe ato menaxhohen dhe kontrollohen nga vetë hapësi i llogarisë. "Llogaritë bankare janë administruar nga vetë hapësi i llogarive dhe jo nga banka.
Të hënën do kryhen verifikimet e nevojshme dhe do të analizohen veprimet e kryera në këto llogari bankare dhe prej kujt",-thanë burime të bankës ku janë hapur llogaritë.
"Shekulli" nuk arriti të kontaktojë me drejtuesin e emisionit televiziv "7 x 7", Agron Bala, por ai në media vizive deklaroi dje se me këtë çështje është marrë Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së dhe ajo Juridike. Më tej ai pohoi se vetë ai i kishte sqaruar familjarët e viktimave për këtë çështje.
Paneli i emisionit, kishte pjesëtarë të familjeve të viktimave
Pas tragjedisë së Gërdecit ku u vranë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen, thuajse të gjithë emisionet televizive në vend organizuan emisione në ndihmë të familjarëve të viktimave të tragjedisë.
Ndër to ishte edhe ai i 24 marsit 2008, në orën 20:45, në TVSH, ku është zhvilluar një edicion special i emisionit televiziv "7 x 7" me qëllim "mbledhjen e ndihmave për familjet e viktimave të Gërdecit".
Emisioni është drejtuar nga gazetari Agron Bala dhe në një bankë të nivelit të dytë janë hapur tri llogari bankare, ku janë ftuar shikuesit të kontribuonin në ndihmë të familjeve të tragjedisë.
Emisioni pati një panel të formuar edhe me pjesëtarë të familjeve të viktimave, si Zamira Durda, e ëma e Erison Durdës, 6 vjeçar, Suzana Alla, e ëma e Roland Alla, Elio Ase dhe Elona Ase, fëmijët e të ndjerit Arben Ase. Në auditor morën pjesë personazhe të shquar të jetës publike shqiptare.
Mes tyre ishte kleriku katolik, Imzot Rrok Mirdita, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Shefi i Reanimacionit në Spitalin Ushtarak Tiranë Prof. As. Mihal Kërci, shkrimtari Zija Cela, Kryetari i Bashkisë së Vorës Z. Fiqiri Ismaili, psikologu i njohur Prof. Edmond Dragoti, aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj, kompozitori i njohur Gjergj Leka, artistët Frederik, Rita dhe Juli Ndoci, etj.
Krijoni Kontakt