Prishtinë, 23 qershor - Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, vizitën e tij në Malavi e ka shfrytëzuar edhe për “t’ua lëshuar një sy” kompanive të çajit në këtë vend.
Sipas ueb-faqes “Africa News” të këtij shteti, presidenti i Kosovës ka shprehur gatishmëri që të dërgojë një grup afaristësh nga Kosova në këtë vend për të blerë çaj direkt nga kompania “Steco” e Malavit. Në grupin e biznesmenëve që merren me import të çajit është edhe djali i tij, Bardhyl Sejdiu, i cili është aksionar i kompanisë “Empire”.
Aktivitet kryesor i kësaj kompanie është tregtia me shumicë e kafes, çajit, kakaos dhe erëzave. Ndërsa data e themelimit të kësaj kompanie në ARBK shënon se është më 21 prill të vitit 2008.
“Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është i gatshëm të blejë çaj nga Malavi. Ai vizitoi një kompani të çajit, ‘Steco’, në distriktin jugor të qytetit Mulanje, së bashku me presidentin nikoqiri, Bingu wa Mutharika”, raportojnë mediat e këtij vendi.
Drejtori menaxhues në “Steco”, Leston Mulli, ka bërë të ditur për mediat e atjeshme se Kosova ua ka vënë syrin gjetheve lokale.
"Diskutova me presidentin Sejdiu dhe ai synon që ta dërgojë një delegacion afaristësh. Ata dëshirojnë të blejnë çaj direkt nga ne”, citon drejtorin e kësaj kompanie, faqja e internetit “Africa News”.
Sipas mediave afrikane, kompania “Steco” prodhon 60 mijë kg çaj në kulmin sezonal dhe midis 25 mijë deri në 30 mijë kg në ditë jashtë sezonit. Sipas këtyre medieve, çaji për eksport në Kosovë është një përzierje nga prodhues të ndryshëm.
"Çaji ‘Steco’ është ndryshe. Të gjithë aksionarët e kësaj kompanie janë shtetas të Malavit. Si vend, kjo tregon se kemi biznes të qëndrueshëm të çajit dhe si malavianë ne mund të rrezikojmë. Faza tjetër e marrëveshjes me Kosovën është nënshkrimi i disa kontratave”, citohet nga këto media Eunice Kazembe, ministër i Industrisë dhe Tregtisë në Malavi.
Çaji i Malavit, siç raportojnë mediat, shitet në Mombasa dhe në Dubai.
Në anën tjetër zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, ka deklaruar se në këtë vizitë nuk ka pasur konflikt interesi edhe me gjithë atë që djali i presidentit merret me tregtinë e çajit.
“Presidenti i Malavit ka zgjedhur cilin vend ta vizitojmë. Nuk ka qenë kërkesë e presidentit kjo që të vizitohet kompania ‘Steco’”, ka theksuar Beqiri.
Ndërsa biznesmeni Bardhyl Sejdiu edhe pse është kontaktuar nga gazeta nuk ka pranuar të flasë rreth këtij problemi. Sejdiu, që është edhe zyrtar i korporatës së Postë-Telekomit, shfaqet mjaft aktiv në sferën e biznesit. Ortakët e tij nga kompania “Empire” kanë edhe firma të tjera përveç aksioneve të përbashkëta me djalin e presidentit. Në shkurt të këtij viti, ortaku i tij, Meriton Abazi, ka hapur kompaninë “Media Press”, e cila boton gazetën e përditshme “Prishtina Post”. Ndërkaq, ortaku tjetër i tij, Isuf Zymeri, është pronar në kompaninë “Tofior”, e cila merret me pastrimin e rrugëve. Kjo kompani ka fituar tenderë dy herë rresht nga Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa, që është edhe këshilltar i presidentit Fatmir Sejdiu.
Krijoni Kontakt