-
i/e regjistruar
Njëanshmëria Dhe Mashtrimi Po Ia Zgjasin Jetën Moszgjidhjes Së Plotë Të çështjes Shq
NJËANSHMËRIA DHE MASHTRIMI PO IA ZGJASIN JETËN
MOSZGJIDHJES SË PLOTË TË ÇËSHTJES SHQIPTARE
« Po deshe të dishë se në ç’rrugë je, vetëm shiko, se puna që bën ti, po e gëzon apo po e hidhëron armikun ».
Proceset e zhvillimeve dhe të ngecjeve në trojet shqiptare, të manifestuara me pakënaqësinë e popullit shqiptar, më detyruan edhe mua si edhe shumë të tjerë të reagoj me këtë artikull.
Lidhur me kualitetin e jetës, të mbushur me përvojen e hidhur nën robëri, kanë dalë edhe shumë konstatime e sentenca, të cilat do të duhej të na sherbenin si busollë orientimi për të ardhmën. Por jo, ne edhe pse shumë herë i citojmë ato konstatime e sentenca, realiteti po dëshmon se nuk u përmbahemi atyre.
Edhe unë, i udhëhequr nga një kualitet i këtillë i jetës me plot pakuptimësi autoktone dhe me djallëzi të importuara nga jasht, kam nxjerrë këtë sentencë : « Po deshe të dishë se në ç’rrugë je, vetëm shiko, se puna që bën ti, po e gëzon apo po e hidhëron armikun ».
Për fat të keq, realiteti dëshmon, se gjatë tërë historisë sonë, jo pak herë, me punën tonë, jo gjithëherë të qëlluar, i kemi sherbyer armikut. Dhe, për të qenë e keqja më dëshpëruese, edhe pse dihet se shkaktarët e shërbimit për armikun dikur ishin më të fuqishëm se sa këta të sotmit, realiteti po tregon, se ne edhe sot e kësaj dite, kur kuantitativisht gjendemi në nivel më të lartë arsimimi dhe vetëdijsimi kombëtar, do të thonim se çdo gabim i PARISË SË SOTME SHQIPTARE është më i rëndë dhe më i pafalshëm se i atyre të më parëve. Dhe kjo ndodh kështu, sepse asnjëherë nuk e kemi bërë bilansin e shkaktarëve të pasojave. Prandaj edhe na janë përsëritur ato. Dhe do të na përsëritën edhe në t’ardhmën, përderisa të vazhdojmë me këtë mendësi, që shprehet me përfilljen e interesit personal, duke shkelur mbi interesin e përgjithshëm kombëtar. Dhe fatkeqësisht, argatët e tillë të së keqës ende gjallërojnë dhe veprojnë së prapthi. Si të thuhet ndryshe, kur PARIA UDHËHEQËSE E SHQIPTARËVE, në trekëndshin Tiranë-Prishtinë, Shkup, në vend që të angazhohet për forcimin e unitetit, për ruajtjen e vlerave jetike, që janë fituar me shumë sakrifica dhe viktima, për përkrahjen dhe stimulimin moral dhe material të profesionalizmit, për zhvillimin dhe përparimin e mirëqenjes shqiptare, ata sot po e luajnë rolin e trashëguesve përçarës, duke shkelur kështu mbi besimin që ua ka dhënë populli. Sjelljet kësisoji a nuk e gëzojnë armikun? Si të thuhet ndryshe, kur demokracia dhe derivati i saj pluralizmi shalohen katërçipërisht,duke krijuar vetëm në Kosovë më së 32 subjekte partiake? Nga epshe të tilla, për t’u bërë dikushi dhe për ta vënë vetën në dukje, duke e përçarë popullin, po na u fisnikëroka demokracia dhe pluralizmi? Jo jo, kurrsesi.Sepse kualitetin e demokracisë dhe të pluralizmit, si vlera universale shoqërore nuk e rritë numri i partive, por i veprimeve të mbara. Me formimin e kaq shumë partive, po i kontribojmë negativisht qytetarit tonë, duke e hedhur atë në kryqrrugë, që të mos dij se kah t’ia mbaj, që do të thotë, se moralisht po e demobilizojmë atë. Gjithashtu duhet ditur, se çfarë ndikimi negativ bën krijimi i kaq shumë subjekteve në mendësinë e atyre që gjenden në diasporë. E ata nuk janë pak, por afër gjysma e popullatës shqiptare, të cilët i ka hudhur dhuna dhe mjerimi jasht vendlindjes së tyre.
Edhe ata, do të thosha se janë dëshmorë të gjallë, sepse, përveç mallit e ëndrrave shqip që i shohin për t’u kthyer në vendlindjen e tyre të dashur, ata kanë sakrifikuar dhe kontribuar shumë, duke ndihmuar skamnorët dhe luftetarët e UÇK-në në shumë pikëpamje. Ndërsa sot, kur atyre në vend të huaj u kërcënohet dinjiteti,identiteti dhe asimilimi, sidomos fëmijëve, askush nuk e qanë hallin e tyre, me përjashtim kur duan ta nxjerrin ndonjë përfitim personal, se lëre më të bëhet fjalë për kthimin e tyre në vendlindje. Ndërsa për serbët që kanë bërë krime, nuk pushojnë përpjekjet për t’ua krijuar kushtet që të kthehen dhe të vazhdojnë edhe më tutje me shantazhe e veprime kundër shtetit të Kosovës.Insistimi në këtë mënyrë për t’u kthyer të zhvendosurit serbë, ta imponon pyetjen se : Kush do të duhej kthyer i pari në Kosovë, serbi që ka bërë krime, apo shqiptari që është ballafaquar dhe ka ikur nga krimet ?
Kush do të duhej kthyer i pari, serbi në tokën e huaj të okupuar, apo shqiptari i dëbuar nga trualli i vet ?
Kjo, aq më parë, kur përkundër të gjitha kushteve që u ofrohen dhe u krijohen serbëve, ata vazhdojnë me tendencat e tyre mospajtuese, duke ëndërruar ditën për diell për pozitën e tyre dominuese dhe privilegjuese. Ndërsa përfaqësuesit shqiptarë, të ngarkuar me epshet karieriste, vazhdojnë me përçarjen e tyre, duke i mbrojtur gjoja interesat partiake e pushtetore. Si të thuhet ndryshe, kur kjo përçarje ka bërë që t’i kemi sot :dy lloj luftetarësh, dy lloj patriotësh, dy lloj dëshmorësh, dy lloj heronjësh, dylloj përvjetorësh përkujtues, dy lloj kufinjësh, dy lloj gjuetarësh mbi vlerat e LNÇ-së dhe të UÇK-së, dy lloj pavarësishë, formale dhe esenciale, dy lloj flamujsh, dy lloj himnesh, etj. A nuk janë këto dyllojshmëri vlerash fryt i mospërfilljes së pluralizmit dhe i demokracisë? Ku të shkohet me këso mendësie që krijon përçarje e distanca në mes njerëzve ? Thash më vete : Sa hulumtues të « zellshëm » që jemi ! Siç thotë populli : « Mbi kokën e tjetrit e shohim mizën, ndërsa mbi kokën tonë nuk e shohim as tranin ». Jemi të prirur, që për gabimet e tjetrit, të rrimë gjithnjë me kandar në dorë. Jemi të prirur, që njeriun tonë, me kënaqësi ta etiketojmë dhe ta devalvojmë. Si të thuhet ndryshe, kur pa kursim, mbi tjetrin hedhim baltë e pluhur .
Shkaktar i ngecjes prapa të proceseve zhvillimore është edhe mungesa e kritereve në dallimin e vlerave. A s’është fryt i mungesës së kritereve edhe lëshuarja pe së tepërmi e përfaqësuesve të popullit, kur pranuan emërtimin e popullsisë së Kosovës si MULTIETNIKE, prej të cilit emërtim po lindin edhe shumë MULTI PROBLEME.?
Të shpresojmë, se faktori ndërkombëtar, me një pagëzim të këtillë që i bën popullatës së Kosovës, don ta fisnikërojë demokracinë në Evropë, ku edhe atje, ajo demokraci është me «gunga të shumta ». Realiteti po dëshmon se faktori ndërkombëtar, si arbitrues, me sjelljet dhe veprimet e veta, në të shumtën e rasteve të njëanshme, po e favorizon agresorin serb, duke u krijuar atyre supër kushte dhe supër statut, me të cilin po krijojnë probleme të shumta, duke shkelur mbi integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Sa apsurd dhe i paqendrueshëm del qendrimi i faktorit ndërkombëtar, kur në një anë e emërton popullaten e Kosovës si MULTIETNIKE, ndërsa në anën tjetër formon komuna të reja njëetnike !! Shkeljen e integritetit dhe të sovranitetit të Kosovës e vërtetojnë edhe shumë hyrje e dalje e udhëheqësve serbë nëpër Kosovë, pa kurrfarë leje. A s’është kjo shkelje flagrante e integritetit dhe e sovranitetit të Kosovës? Mbi të gjitha shkeljet që iu bënë integritetit të Kosovës, është edhe mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë më 30 maj 2010, më ç’rast, edhe përkundër mospajtimit dhe reagimit të shumë analistëve dhe subjekteve partiake e joqeverisëse, të cilat u manifestuan edhe me protesta, sidomos nga popullata e Mitrovicës, në krye me veteranët e luftës, serbët falë indiferentizmit të faktorit ndërkombëtar, i mbajtën ato zgjedhje pa asnjë therrë në këmbë. Ky indiferentizëm i faktorit ndërkombëtar tok me agresorët serbë testuan dhe provokuan rënd popullin e Kosovës. Një qendrim i tillë i faktorit ndërkombëtar, vetëm sa i frynë zjarrit, i cili ende tymon nga lufta që mori jetën e dhjetra mijëra njerëzve.
Njëanshmëria e faktorit ndërkombëtar, me « kompetencat » e veta të rezervuara, po shfaqet edhe në marrjen e masave ndaj të ashtuquajturve delikuentëve dhe penalistëve shqiptarë, sidomos ndaj pjesëmarrësve të UÇK-së. Këtë njëanshmëri të faktorit ndërkombëtar, gjegjësisht të UNMIKU-t dhe EULEKSI-t, si mekanizma arbitrues të OKB-së dhe të Europës e dëshmon mosnjohja e Kosovës si shtet, deri më sot, kur po e shkruaj këtë artikull (31.05.2010), kur dihet tani më, se shpallja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran është bërë legalisht edhe me pêlqimin e faktorit ndërkombëtar. Përndryshe t’imponohet pyetja
se pse luftuan shqiptarët, kush u ndihmoi shqiptarëve që të çlirohen dhe me çka mund të dëshmojnë serbët se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë? Andaj themi,se nuk është vështirë ta kuptosh shkakun, se pse ngurron edhe Serbia që ta njeh relitetin e pakontestueshëm (Kosovën si shtet më vete, të pavarur), kur vetë këta mekanizma (OKB-ja dhe BE) ende ngurrojnë ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe kjo aq më parë, kur dihet se OKB-ja e ka caktuar edhe personin Ahtisari si arbitrues, që të angazhohet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dhe ky person, pas shumë përpjekjeve shterrpe me të dy palët kundërshtare, duke mosmundur t’i bindë serbët që të zhgarkohen prej pretendimeve hegjemoniste, duke e lënë Kosovën prap me mundësi konflikti. Ndërsa përfaqësuesit shqiptarë lëshonin pe dhe e pranuan Planpropozimin e Ahtisarit, të cilin, siç thotë edhe ai (Ahtisari) vet, se «ky plan, me ¾ e tij është në favor të Serbisë ».gjë që po dëshmohet çdo ditë e më ashiqare. Ajo që dëshmon bindshëm njëanshmërinë në Planpropozimin e Ahtisarit është edhe kushti që Kosova të mos bashkohet me asnjë shtet tjetër, duke aluduar për me Shqipërinë. Dhe arsyeja tjetër, më e fuqishmja, pse Serbia nuk don ta njoh Kosovën si shtet të pavarur është, sepse faktori ndërrkombëtar nuk e ka ndëshkuar Serbinë për agresionin dhe pasojat që ia ka krijuar popullit shqiptar, por sillet ndaj saj sikur ajo (Serbia) të kishte qenë e robëruar. Pra, njëanshmëria e këtillë e faktorit ndërkombëtar me masat e veta dalluese, ua ka ndërruar rolin palëve kundërshtare. Prandaj, si rezultat i kësaj njëanshmërie, Serbia nuk pushon së kërkuari në stilin e saj të vjetër: « Në vend që të jep llogari, ajo kërkon hesap ».Pse të mos kërkojë hesap, kur nuk kërkohet prej saj të jep llogari ?!! A nuk e vërrteton njëanshmërinë e faktorit ndërkombëtar edhe 6 pikëshi i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së (Ban Ki Mun-it ?
Dhe për këtë rast reagova me një artikull që ia dërgova Pandi Gjatës, gazetar i ALSAT-it, i cili, në emisionin e tij KONTRAST, thërriste që ne shikuesit të shkruanim për këtë plan. Në atë artikull, veç tjerash kam thënë :.. »Edhe ky Plan gjashtëpikësh është një provokim testues, që don të nxjerrë në pah këmbëngultësinë dhe aftësinë mbrojtëse të interesave jetike të palës shqiptare »
Qendrimi kësisoji, i njëanshëm i Faktorit Ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare,vetëm sa e ruan për një kohë të caktuar statuskuonë në këtë rajon e kurrsesi ta zgjidhë çështjen e Kosovës në mënyrë të plotë. Si të thuhet ndryshe, kur në vend që të ndëshkohet agresori në masë të merituar, ai përkrahet dhe stimulohet në shumë aspekte. Dhe kjo përkrahje e ky stimulim, serbëve u bëhet në mënyra të ndryshme, disa prej të cilave i përmenda më lartë. Jo pak herë, deklarativisht është thënë se nuk lejohet ndarja e Kosovës as nuk lejohet veprimi e funkcionimi i strukturave paralele. Ndërsa realiteti dëshmon se ato po veprojnë dhe funkcionojnë pa kurrfarë pengese. Deklarativisht është thënë gjithashtu, se Kosova me rrethanat dhe argumentet e saj është sui generis (rast i veçantë). Kosovën e bën (sui generis) të veçantë edhe emërtimi i saj, si askund në botë MULTI ETNIKE me vetëm 10% të të gjitha komuniteteve pakicë. Dhe kjo bëhet vetëm për hirë të pakicës serbe, e cila nuk e kalon as 5%. Dhe asaj i është mundësuar si askujt në botë statusi i barabartë me shqiptarët që janë 90% edhe me gjuhën e dytë zyrtare.
Është e ditur se intelektualët i kanë borxh popullit të vetë që të sinjalizojnë për rrjedhat e rrezikshme që i kërcnohen popullit të vetë. Dhe këto sinjalizime nuk kanë munguar, por ka munguar bindja dhe vullneti i pushtetarëve që t’i lënë zënkat në mes veti e të reagojnë me kohë kundër ndërmarrjeve të armikut. Prioritet dhe kontribut i pushtetarëve dhe i liderëve tanë do të duhej t’ishte mbrojtja e shtetit sovran të Kosovës. Nuk është thënë më kot : se « më zor është me ruajt se sa me fitue ». Përndryshe, duke pritur që çështjen tonë ta zgjidhin të jashtmit dhe duke u zënë në mes veti krerët shqiptare, mund të na përsëritet prap historia.
Këtë lloj vesi tragjiko-komik, të plogshtisë diplomatike shqiptare, mjerisht e hasim në të tri këndet, qendra të shqiptarisë, Tiranë, Shkup dhe Prishtinë. Më një rast, lidhur me pasojat që krijojnë përçarjet, në një artikull timin me titull « Deri kur kështu », drejtuar parlamentarëve të Shqipërisë, i publikuar në internet, ndër të tjera kam thënë : « Sikur të bënim përpjekje për t’u afruar, sa bëjmë përpjekje për t’u larguar, nuk do t’ishim në këtë gjendje as në këtë pozicion që jemi tani ». Gjithashtu, në një artikull tjetër me titull « Reagim », lidhur me propozimin që jep I. Rugova për ndryshimin e pamjes së flamurit tonë kombëtar, ndër të tjera kam thënë : « Pesha e gabimit varet nga ai, gjegjësisht ajo, se kush e bën gabimin .Dikush gabon çdo ditë, por pasojat i bartë vetëm gabuesi e askush tjetër. Ndërsa, të gabojë një individ (institucion), siç është Ibrahim Rugova, pasojat mund të jenë shumë të rënda ». Edhe ky artikull është i publikuar në internet.
Po t’ishte gjykuar drejt e me kohë çështja shqiptare dhe t’ishin marrë masa adekuate ndaj hegjemonistëve agresorë, do t’ishin arritur zgjidhje të qendrueshme. E nuk do t’i kishim telashet e sotme, të cilat po i kërcënohen jo vetëm shqiptarëve dhe Ballkanit, por edhe tërë botës.
Thotë një fjalë e urtë e popullit : « Merr n’thue sivjet e rrëxohesh n’mot ». E ne kemi marrë n’thue dhe e kemi thye qafën shumë herë dhe kurrsesi të mbushemi mend.
Pa u lëshuar në gabimet e hershme historike, të cilat i kemi paguar me kosto shumë të lartë, dua ti përkujtoj edhe disa nga gabimet e qëllimshme të faktorit ndërkombëtar dhe disa nga « rezultatet » e paaftësisë së Parisë Shqiptare, për t’i deshifruar hilet e trashëguara të ndërkombëtarëve, që prej Marrëveshjes së Kumanovës e këndej.
Lidhur me këtë, në një artikull me titull « Kur mohohet e drejta dhe e vërteta, i zgjatet jeta armiqësisë dhe kaosit », i shkruar më 09.04. 2005 dhe i publikuar në internet, ndër të tjera kam thënë :.... « Por DARDHA E KA BISHTIN MBRAPA » dhe kam vazhduar mëtutje : « Tani kjo frazë e gjeti vendin e vetë në Marrëveshjen e Kumanovës, në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe në Kornizën Kushtetuese për Kosovën, nga të cilat po dalin bishtat herë më të dukshëm, herë më të fshehur, të cilët po krijojnë pengesa në proceset e mëtejme të stabilizimit të Kosovës, sidomos në politikë, jurisprudencë dhe në ekonomi .Dhe, me këto pengesa fitohet përshtypja, se Bashkësia ndërkombëtare, sikur është marrë vesh me Serbinë, se, për të hequr dorë ajo, (Serbia) nga Kosova, duhet t’ia ngrisim çmimin Lirisë së shqiptarëve dhe Pavarësisë së Kosovës », që do të thotë, të viktimizohen prap shqiptarët. Fatkeqësisht, realiteti po dëshmon, se përpjekjet e Serbisë po shkojnë në atë drejtim . Se a do të realizohet ky synim, varet prej kualitetit të qendrimit dhe të veprimit të BE, e cila ende hamendet dhe nuk e ka njohur deri më sot Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përkundër faktit se Kosovën e kanë njohur 22 shtete evropiane. Pra këto janë ato «gungat » paragjykuese, nëpër të cilat po has BE e që po reflektojnë në ngadalsimin e zgjidhes së drejtë të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Një qendrim të këtillë, të njëanshëm ndaj çështjes shqiptare në tërësi dhe Kosovës në veçanti, faktori ndërkombëtar do ta mbajë, përderi sa faktori shqiptar të mos arrijë pjekurinë, që të di ti dallojë vlerat e njëmendëta nga kundërvlerat, që të ketë kurajo dhe këmbëngultësi ti mbrojë ato vlera që vet i ka krijuar, që të zhgarkohet nga intereset e ngushta, me të cilat i ka kontribuar jo vetëm armikut, por edhe arbitruesit. Kështu që, « falë » kësaj papjekurie të shqiptarëve, arbitruesi shpikë detyra të reja që ti përmbushin shqiptarët, sikur ato tetë standardet sui generisë për Kosovën, bishti i të cilave, me atë decentralizimin që polli edhe shumë komuna të reja, edhe sot e kësaj dite po godet mbi pronat dhe mbi kurrizin shqiptar. Dhe këtë e bën faktori ndërkombëtar UNMIK-u dhe EULEKSI, për të përfituar në kohë, që serbët të kenë mundësi ti shtojnë dhe kurrë të mos ngopën me kërkesa shantazhuese. E kur këtyre t’u shtohen edhe shpikjet tjera, me të cilat kërkohet që shqiptarët t’i shpallin luftë korrupcionit dhe krimit të organizuar, thua se këto dukuri na paskan lindur në Kosovë. E dihet mirë se këto dukuri janë epidemi e importuar.
Në rregull, parimisht pajtohem se duhet luftuar çdo dukuri negative, por më parë duhen identifikuar shkaktarët e mandej të luftohet kundër dukurive në fjalë, gjithnjë duke pasur parasysh optimalitetin e kohës. E them këtë me bindjen, se masat për ti shpallur luftë korrupcionit dhe krimit të organizuar janë të parakohshme, sepse për momentin, UNMIK-u dhe EULEKS-it, si organ ndërkombëtar arbitrues, kanë detyra më të ngutshme, siç është zgjidhja e çështjes së Veriut të Kosovës, sqarimi i hollësishëm i kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, në mes Kosovës dhe Maqedonisë, në mes Kosovës dhe Malit të Zi, në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mandej të shqyrtohet çështja e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvexhës. Atëherë të merret në shqyrtim shkaku i mosrespektimit të Marrëveshjes së Ohrit, lidhur me statusin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, i cili po u shkilet çdo ditë e më djallëzisht.
Kjo, për arsye se, pikërisht moszgjidhja e këtyre pikave strategjike, që kanë të bëjnë me çështjen jetike shqiptare, do të bëhen shkaktarë të tensioneve në Ballkan dhe më gjërë. Përndryshe angazhimi në këtë kohë i Euleksit për ta luftuar korrupcionin dhe krimin e organizuar, do ta ngatërrojë agjenden e veprimeve sipas prioritetit. Dhe ç’është më e drejtë, kjo barrë e luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar do të duhej ti takonte institucioneve të Republikës së Kosovës e jo e Euleks-it.
Thuhet gjithashtu në popull se:
« Fjalët e shumta janë fukarallëk »
E kam fjalën për negociatat që (nuk) duhen zhvilluar në mes serbëve e shqiptarëve, që po i imponon faktori ndërkombëtar.
Dihet se edhe para luftës së fundit janë bërë negociata në mes serbëve e shqiptarëve, madje edhe me ndërmjetësues ndërkombëtar, por Serbia i injoronte ato negociata dhe sillej e mbështillej në stilin : « Mate kah ta matsh, livadhin lema mua ». Avaz ky që po përsëritet edhe sot. Serbia jo vetëm që nuk i përfillte vërejtjet as rezolutat, por ajo e shtrontë edhe më egër zullumin mbi shqiptarët, zullum ky që rezultoi me dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e veta.
Tani po thuhet se negociatat do të bëhen vetëm për çështje teknike e jo politike, gjë që fare nuk përkon me të vërtetën, sepse të gjitha këto çështje teknike, rrënjët i kanë në politikën hegjemoniste e diskriminuese serbe. Si mund të quhen çështje teknike, varret masive dhe 2000 e më tepër të zhdukur, për të cilët Serbia ende nuk ka dhënë kurrfarë llogarie ? Si mund të quhet çështje teknike plaçkitja e pensioneve të shqiptarëve të Kosovës. Ku janë masat e faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë për këto krime dhe plaçkitje që iu kanë bërë shqiptarëve? Edhe pas luftës u zhvilluan negociata të shumta në Vjenë. Dhe tani, këta negociatorë nuk do të kenë asgjë të re për të thënë.
Gjithashtu janë zhvilluar negociata dhe janë bërë marrëveshje për armpushim në Konçull, por Serbia, jo që s’ju përmbajt asaj marrëveshjeje, por, para syve të ndërkombëtarëve e vrau kryenegociatorin shqiptar, komandant Lleshin–Qazimin. Edhe tani, këto negociata, sikur edhe të mëparmet do të dështojnë. Dhe Serbia me këto negociata, jo vetëm që don të përfitojë në kohë, por don të shkëpusë ndoj copë të Kosovës. Andaj themi se Faktori ndërkombëtar, kur i ka të gjitha të dhënat për ato çështje teknike, dhe jo vetëm ato,lë të kqyret në pasqyrën e « sukseseve » të veta dhe lë të vendos vet. Atëherë do të bindet faktori ndërkombëtar se ato çështje vërtet i kanë rrënjët në politikë.
Edhe diçka për sjelljet dhe pasojat që po ia krijojmë vetës.
« Se ku do të jemi nesër, do të varet shumë nga veprimet që do t’i bëjmë sot » Akademik Esat Stavileci
Ne, me plot gojën ankohemi, pse faktori ndërkombëtar na i ka bërë gjith këto padrejtësi gjatë shekujve, e nuk ndalemi të gjykojmë esull as t’i korrigjojmë gabimet tona, të cilat i kanë kontribuar padrejtësive të faktorit ndërkombëtar. Andaj themi, se kot presim të na do dikush tjetër më tepër se që duhet ta duamë ne njëri tjetrin.
Në këtë çast se ç’mu kujtua një thënje e Novalisit, të cilën e kishte cituar i ndjeri Ejup Statovci në një intervistë dhënë Zërit :
« Armiku im më tha duaje armikun tënd. Unë e dëgjova dhe fillova ta dua vetën ». Andaj, sugjerohemi që të mësojmë të dimë ta duamë vetën, jo vetëm si individ, por edhe si kolektivitet. Përndryshe, realiteti i hidhur dëshmon, se shumica e dështimeve tona janë rezultat i MOSUNITETIT, i cili në momentet vendimtare për realizimin e aspiratave tona jetike, është shprehur me mospajtime dhe ndasi. Mjerisht, që këto tendenca po shfaqën edhe sot e kësaj dite, kur faktori ndërkombëtar, si kurrë më parë e ka kthyer kokën kah çështja shqiptare. Por, rezultatet e deritashme, po dëshmojnë se ai , jo pak herë, ka ditur të na e kthejë edhe shpinën.
E për ta quar çështjen shqiptare përpara, o sot o kurrë, Paria shqiptare në të tri qendrat e shqiptarisë duhet me përkushtim të sinqertë ta mundë vetën, duke i eliminuar veset, teket dhe huqet që shprehin, egoizmin, gjelozinë, lakminë dhe etjen karieriste, duke i zëvendësuar ato me dashurinë për punë dhe bashkëpunim.Vetëm në këtë mënyrë mund ta bindim faktorin ndërkombëtar, se ia vlenë të na ndihmojë. Vetëm në këtë mënyrë ( me UNITET) dhe me përkrahje dhe stimulim të profesionalizmit, kontribon në realizimin e aspiratave tona.
Hamzë Gashi
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt