Heqja e vizave për Shqipërinë, pa vonesa
Bruksel, 11.06.2010 11:36
Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fule, lidhur me çështjen e heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën ka deklaruar: “Pasi komisioni monitorues do të konfirmojë se janë përmbushur të gjitha kushtet për heqjen e vizave dhe se i gjithë Udhërrëfyesi është implementuar në masën 100%, askush nuk do të kërkojë ta vonojë këtë çështje një orë apo një ditë më tepër".
Fule po ashtu është shprehur se “shpreson se politika në Shqipëri do të gjejë një zgjidhje kompromisi për t’i dhënë fund ngërçit politik, përpara se Parlamenti dhe Këshilli Evropian të marrin vendimin për heqjen e vizave”. E megjithatë, sipas tij, ky është proces që nuk do të ketë asnjë vonesë.
Duke folur në konferencën mbi përshpejtimin e integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, e organizuar nga “EU Observer”, Fule tha se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur pjesën më të madhe të kushteve të Udhërrëfyesit për vizat, ndërsa 2 apo 3 çështje të tjera janë të menaxhueshme dhe brenda një periudhe të shkurtër mund të implementohen dhe vëzhgohen nga një komision monitorues.
Komisioni monitorues mendohet se do të jetë i pranishëm në të dyja këto vende diku nga korriku i këtij viti, kështu që vendimi do të merret më pas.
Ndërsa lidhur me situatën politike në Shqipëri, Fule u shpreh se ka një ngërç për të cilin po punohet për krijimin e një strukture për arritjen e një kompromisi.
Krijoni Kontakt