08/06/2010
Besim Dybeli
Gazeta Shqip
Babai i tre fëmijëve hyri me armë në një komunë të Librazhdit, pasi i refuzuan ndihmën ekonomike
Nuk i jepnin ndihmë ekonomike, merr mitralozin dhe del në qendër të komunës për të vrarë kreun e saj. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur rreth orës 13:00 të së hënës, në qendër të fshatit Lunik, të komunës me të njëjtën emër, rreth 30 kilometra në verilindje të qytetit të Librazhdit.
Në kulmin e varfërisë, 50-vjeçari Xhelil Gjata nuk ka gjetur rrugë tjetër për të dalë nga varfëria dhe skamja, përveçse asaj me armë. Që nga viti 1997, ai mbante të fshehur një mitraloz të lehtë në tavanin e shtëpisë së tij, ndoshta pa menduar se një ditë do të detyrohej ta përdorte kundër të zgjedhurve vendorë në fshatin e tij.
Xhelil Gjata është baba i tre fëmijëve dhe megjithëse është përpjekur të sigurojë bukën e gojës, si emigrant në shtetin grek nuk ka mundur të sistemohet dhe është detyruar të kthehet në vendlindje. Mësohet se ka vetëm tre dynymë tokë, gjysma e së cilës nuk vaditet e nuk prodhon. Për këto shkaqe, vite me radhë kërkon në Komunën Lunik që familja e tij të trajtohej me ndihmë ekonomike, si shumë familje të tjera në fshat. Por me gjithë kërkesat e vazhdueshme, nuk ka mundur të përfitojë një status të tillë.
Dje, ka marrë mitralozin në duar dhe është drejtuar për nga zyrat e komunës. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Xhafa ka thirrur me zë të lartë se donte të vriste kryetarin e kësaj komune, Astrit Xhafën, pasi sipas tij, ai ishte pengesa kryesore që nuk merrte ndihmën ekonomike. Me mitraloz në krahë ka hyrë në ndërtesën e komunës, por duket se është zhgënjyer kur nuk ka gjetur as kryetarin e komunës e as punonjësit e zyrës ekonomike.
Atëherë ka dalë në shesh dhe ka gjuajtur disa herë në ajër, pa e lëshuar armën nga krahu. Dhjetëra banorë të lagjes “Qendër” janë futur të frikësuar në shtëpitë e tyre, ndërkohë që 30 nxënësit e klasës së nëntë të shkollës nëntëvjeçare, të cilët ishin duke dalë nga provimi, janë tmerruar nga skena.
Nuk dihet se cili ka qenë personi që ka lajmëruar shpejt me telefon celular policinë lokale, e cila është gjendur rreth orës 14:30 në vendin e ngjarjes. Gjatë gjithë kohës, kryefamiljari i dëshpëruar ka deklaruar se do të qëllonte ndaj punonjësve të komunës dhe kryetarit të saj, duke shpjeguar se këtë veprim e bënte pasi e ndjente veten të poshtëruar, se nuk i sigurohej nga pushteti lokal një ndihmë minimale financiare, për t’i mbijetuar varfërisë në familje e tij.
Uniformat blu kanë rrethuar zonën. Pas negociatave prej disa minutash, për fat të mirë, ngjarja është mbyllur pa pasoja. Ndërsa i është tërhequr vëmendja nga tre agjentë të krimeve, tre specialistë të policisë për ndërhyrje të tilla kanë gjetur mundësinë që t’i hidhen në pak sekonda sipër Gjatës, duke paralizuar çdo lëvizje të tij.
Më pas, 50-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Librazhdit, nga ku pritet që sot Prokuroria e Elbasanit të kërkojë ndaj tij masën e arrestit. Sakaq, përpjekja jonë për një lidhje të mundshme telefonike me kreun e komunës, Xhafa, ka dështuar, pasi telefoni tij që nga koha e kësaj ngjarjeje, ka qenë i fikur.
Krijoni Kontakt