Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1

    "Kur historia që je pjesë e saj falsifikohet...", Muhamet Pirraku

    KUR HISTORIA QË JE PJESË E SAJ FALSIFIKOHET - ÇKA MUND TË NDODH ME ATË TË ETËRVE?!?!

    - Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Kuvendit të pajtimit të gjaqeve

    - Kur faktet shtrembërohen. ec e beso në faktet historike që na servohen
    ( nëntitulli i dytë është i redaksisë. në pjesën tjetër të shkrimit nuk ka asnjë ndërhyrje )

    Nga, Muhamet Pirraku

    “Mos bëj dëshmi të rrejshme!”- Jezusi

    Me 1 Maj 2010, partia “opozitare” aktuale AAK shënoi 20-vjetorin e “Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve” për mjediset e Dukagjinit Verior, të mbajtur “Te Verrat e Llukës”. më 1 Maj 1990. Këtij manifestimi, ditë më parë i priu, për shumë ditë, një ftesë e “Patronit”, Z. Rasim Selmanaj, Kryetar aktual i Komunës së Deçanit, kurse RTV-21, me 30 Prill, i nxori në studio dy veprimtarë të Lëvizjes së Pajtimit të Hasmërive: Akademik Mark Krasniqin dhe Prof. Dr. Mujë Rugovën, sot anëtarë të “Pozitës” qeveritare aktuale. Ndërkaq, Televizioni Publik i Kosovës – RTK, pas “Lajmeve Qendrore”, të 1 Majit 2010 shfaqi një film hiç “dokumentar”(!?!), kryesisht intervista për Lëvizjen Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992, sponzoruar nga “Patroni” i manifestimit, faktikisht nga AAK-ja.
    Një variant më të gjerë të këtij hiç “dokumentari” RTK-ja, e shfaqi edhe pas një jave, ku defiluan edhe “veprimtarë”, të cilët nuk kanë pasur ndonjë rol organizues në Lëvizje. Më 17 Maj 2010, në Prishtinë do të mbahet një “Akademi Solemne” e mbiquajtur: “20-Vjetori i Lëvizjes gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave”, organizuar nga tashti i quajtur: “Këshilli Nismëtar i Lëvizjes gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave”(!?!), i cili faktikisht nuk ka ekzistuar. Të nesërmen, më 18 Maj 2010, RTK-ja “qeveritare” solli në studio të thuash “organizuesit” e “Akademisë Solemne”(!?) të Prishtinës, të “freskuar” edhe me dy ish-veprimtarë të “Lëvizjes...” (Rugovën e Çekun) të cilët, aktualisht, u përkasin dy partive kosovare kundërshtare për “vdekje” që publikisht kanë pozita të “PD-së dhe PS-së” së Tiranës, e të BDI-së –PDSH-së së Iliridës.
    Të shtoj edhe këtë: Udhëzuesja e “misionit” fillimisht sikur ua kujtoi “mysafi¬rëve” se çka ata (dhe ndonjë veprimtarë tjetër i Lëvizjes) kishin “konfirmuar” në prononcimet për hiç “Dokumen¬ta¬rin”, qartë sikur të donte që të mos i linte të dilnin kundërthënës me veten, përndryshe çka kishte nevojë t’i shihnim se çka ata kishin thënë ndonjë ditë më parë, për ngjarje të njëjtë!?!
    Këtu nuk e shoh të udhës, as kam vend të nevojshëm, të ndalem gjatë në mangë¬sitë dhe në defektet në “hopet” e përmendura të aktiviteteve kushtuar 20-Vjetorit të “Lëvi¬zjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve” nga 1-18 Maji 2010. Fillimisht dua të konstatojë se po të mos ishin defektet, të cilat do t’i përmendi në vijim shumë shkurtazi, me gjithë zemër do ta përgëzoja AAK-në për organizimin e këtij “Përvjetori” të Lëviz¬jes, e cila nuk ka shembull në historinë e kombeve në botë, madje as ka shembull mitologjik biblik apo kur’anor. AAK-së opozitare do t’i takonte admirimi im aq më parë pasi që partive që aktualisht e mbajnë Presidencën (LDK) dhe Kryeministrinë (PDK) nuk u shkoi ndër mend ta shënonin këtë Ngjarje madhështore, në Përvjetorin e Lindjes së “Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve...”, (më 2 Shkurt 1990, e cila realisht e faktorizoi, politikisht, LDK-në, dhe e cila, faktikisht, e shestoi madhërishëm trasenë e Luftës Çlirimtare të UÇK-së’ prej nga rezultoi PDK-ja. Këtu flas me kompetencë shkencore (se me laps e kam përjetësuar Programin dhe fitoren kësaj Lëvizjeje), por edhe si ideator, planifikues dhe bartës i punëve të mekanizmit drejtues që nga 19 Marsi 1990 do të quhet: “Kryesia e Këshillit Qendror ‘Anton Çetta’ të Kosovës”.
    Qartë, i ka pasur hije Presidentit Sejdiu (të cilin, duke e kooptuar në Kryesinë e Degës së Dytë të LDK-së së Prishtinës, në pranverë të 1991, ia hapa udhën për në Kryesinë e LDK-së, e së këndejmi deri në Presidencën aktuale të Kosovës), që aso kohe, pra më 2 Shkurt 2010, ta dekoronte Lëvizjen Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992, duke ia ndarë Dekoratën Drejtuesit moral të saj - Profesor Anton Çettes. Me këtë veprim të burrështetasit do t’i nderonte veprimtarët e Lëvizjes, heronj të vërtetë të Paqes, si edhe ata që e shtrinë dorën e Pajtimit në emër të Gjakut të Dëshmorëve, të Flamurit Kombëtar dhe të Lirisë së dinjitetshme të kombit shqiptar të copëtuar me dhunë ushtarake, politike e diplomatike ndërkombëtare!
    Dekoratës që Z. President ia ndau Profesor Antonit tashti, sikur i vjen erë të tarafllëkut politik se:“... së paku Flamurtari i Lëvizjes ishte yni, jo i Ramushit...!” Kjo i hidhëroi dhjeta veprimtarë të Lëvizjes, të cilët nuk vepruan vetëm deri me mbajtjen e “Kuvendit të 1 Majit 1990”, ose deri me fillimin e vitit shkollor 1990/91 (deri kur ishin të pranishëm një pjesë e “Studentëve Nismëtar të Aksionit”), por vepruan me trimëri dhe me shumë sakrifica deri më 17 Maj 1992, anë e kënd trojeve shqiptare nën robërinë jugosllave, vazhdimisht në kontakt konsultimi e bashkëveprimi me Kryesinë e “Këshillit Qendror «Anton Çetta» të Kosovës”, drejtpërdrejt me Koordinatorin e këtij mekanizmi drejtues.
    “Nëse e thua të vërtetën nuk ke nevojë të mbash mend asgjë!”- do të më këshillonte mendimtari brilant i botës letrare, Mark Twain. Vërtet, më së njëherë kam konstatuar dhe tashti po e ritheksoj se: Profesor Antoni ishte ”Koka kolektive e Udhëheqjes” së LGJPSHFGJ-ve. E Krijuam, ne, veprimtarët e Lëvizjes, si të tillë, sepse na u dashtë si i tillë dhe, askush nuk ka kontribut në këtë drejtim sa ish-veprimtari drenicas, “Pajtim Shala”. E, për fatin tonë, Profesor Antoni me fisnikërinë dhe përku¬shtimin me shumë sakrifica, kurrë nuk na zhgënjeu dhe, sipas gjykimit tim, arriti piedestalin historik të Personit të shenjtë për Lëvizjen, kryesisht edhe në saje të sinqeri¬tetit dhe të mençurisë së veprimtarëve të Lëvizjes të cilët tashti nuk i kapi regjia e ”ramushajve” e “sejdijajve” dhe e “hashimajve” për t’a gëzuar atë “Fitore të Lëvizjes...” me kohë dhe në nivel të kombit.
    Dhe, tashti, para se të ecim më tutje, jemi të detyruar të konstatojmë se Mani¬fes¬timit “Të Verrat e Llukës” të 1 Majit 2010, i parapriu shënimi i “20- Vjetorit të Kuvendit të Bubavecit”, të 26 Prillit 1990, ku organizuesi ma kishte kërkuar “Referatin” për atë ngjarje, për faktin se së bashku me Profesor Antonin kishim kontribuar në projektimin e Tij dhe personalisht e kisha diktuar tekstin e dy fjalimeve kryesore, të Kryetarit të “Këshillit të Pajtimit” dhe të Kryetarit të “Forumit të Rinisë Demokratike” të Komunës së Malasit. Nuk mund të them se çdo gjë ishte “OK-ej!”, por ky manifestim nuk kundërmoi erë të tarafeve politike të sotme, e kjo, për mua, është e dorës së parë. Më 2 Maj 2010, u mbajt në Gjonaj manifestimi “20-Vjetori i Kuvendit të Pajtimit” për Hasin. Edhe ky manifestim i tashëm në Gjonaj, sa kuptohet nga reagimi i Nexhat Çoçajt: “Është shumë lehtë të hysh në flakë pasi të shuhet zjarri” (Zëri, 5 Maj 2010. fq. 12), u shfrytëzua për interesa të atyre që nuk ishin bartës të “Lëvizjes së Pajtimit në Has...!?!”
    Realisht, nuk mund të mos e kuptoj hidhërimin e N. Ç. Për faktin se edhe sot i ruaj shënimet për aprovimin e “Programit” (në Zyrën time) për Kuvendin në Gjonaj, me 2 Maj 1990. Z. Nexhat Çoçaj, aso kohe student, ishte veprimtar me kredibilitet kombëtar, i respektuar në vendlindje. E kuptova hallin njerëzor të Zotëri Çoçajt, që e detyroi të “reagonte”, për faktin se organizuesve të manifestimit në “liri” nuk u ishte “kujtuar” t’i përmendin, së paku emrat e tre Dëshmorëve të kombit, të cilët, 20 vjet më parë, i përkisnin “Grupit të studentëve hasjanë”, bartës të barrës së Pajtimit të hasmërive në Has, por edhe të organizimit të Kuvendit në Gjonaj, të 2 Majit 1990.
    Po Halli im, në këtë drejtim është edhe më i madh se i Zotëri Çoçajt. Dhjetëra bashkëpunëtorë të mi - veprimtarë dhe drejtues të Këshillave komunale e regjionale të Pajtimit, madje edhe dhjetëra nga ata që shtrinë Dorën e Pajtimit për Lirinë e Kombit, dhe tani u bënë shtylla të Lëvizjes, tashti banojnë në Altarin e Lirisë së Kombit shqiptar. Ata ishin midis nesh kur ua përjetësova kërkesat dhe sakrificat e tyre, me shumë rrezik për jetën time fizike e të gjakut tim (Mars 1989), por tashti, në “Liri”, nuk mu dha mundësia që t’ua veja ndonjë gjethe të dafinës (pa tymnaja politike) në Kurorën e Amshimit në Altar të Atdheut!?!
    Para se të ecnim më tutje, e ndiej për obligim moral t’u drejtohem publikisht bashkëveprimtarëve të gjallë, të cilët për mbi dy vjet të Lëvizjes më konsultuan në vijimësi (si udhëheqës kredibil) dhe me informuan në vazhdimësi (si eprorin adminis¬trativ) për rezultatet e Lëvizjes në mbarë arealin shqiptar nën robërinë jugosllave, si edhe ata Burrat që falën hasmëritë: Unë e kam bërë atë që kam pasur mundësi ta bëja në rrethana Lufte, për ta fituar me laps Luftën Tuaj, e kam mbrojtur dhe e kam afirmuar me sinqeritet, pa anësi e me dinjitet Lëvizjen në shtypin e Prishtinës e më vonë edhe të Beogradit, e të Tiranës, e kam botuar “Kronikën e Lëvizjes” (1998) me një përkushtim e objektivitet shkencor të patejkalueshëm dhe, së fundi, për “Përvjetorin e 20-të”e shpërndava në redaksi të gazetave të Prishtinës dhe në shumë Webfaqe, një prezantim sintetik të denjë, në mbi 80, të cilin e botoi vetëm një gazetë e Prishtinës dhe një e Tiranës!?! Publikisht e them se një paraqitje të tillë nuk ka “tirq” ta shkruaj asnjëri nga “veprimtarët” të cilët “defiluan” tashti në Televizione dhe u cituan në gazetat “shqiptare” prej datës 1-18 Maj 2010, në njëfarë dore, si “profetë” të Lëvizjes së Pajtimit.
    Tashti të ndalem vetëm në disa mangësi e pasaktësi që bartin në vete manifestimet “partiake” opozitare e qeveritare kushtuar “20-vjetorit të Lëvizjes...” midis datave 1-18 Maj 2010. Nuk e mohoj, përkundrazi e kam admiruar dhe e vlerësoj shumë edhe sot iniciativën historike të “Grupit nismëtar të Aksionit Njëmujor për Faljen e 32 Gjaqeve...!” Nuk kam asnjë vërejtje për ato që u shpalosën për iniciativën dhe sukseset fillestare të Aksionit në vise të Pejës, por janë shumë të mangëta rrëfimet që flasin për zhvillimet e “Lëvizjes...” në tërësi, “lëndë filmike autentike” që do të mbetët si “Dëshmi dokumentare...”(!?!), kinse e tërë rrita dhe rezultatet e Lëvizjes ishin meritë e “Studen¬tëve nismëtarë...” të viseve të Pejës, me ndonjë përjashtim margjinal!?!
    Konstatimet e shumë prej të intervistuarve - se Lëvizja u zgjerua në të gjitha viset shqiptare, se asaj iu bashkuan shumë veprimtarë, kryesisht të nënkuptuar nën “ETJ”!?!”, duke përmendur rrëshqitazi vetëm ndonjë Këshill komunal apo regjional të LGJFGJ, e të themi, asnjë veprimtarë a donatorë markant, që ishin jeta e mekanizmave drejtuese të këtyre këshillave, pa e përmendur (veçanërisht nga “nismëtaret”), madje as rrëshqitazi, Këshillin Qendror “Anton Çeta” të Kosovës, falë aktivitetit të të cilit “Aksioni Njëmu¬jor i Rinisë studentore pejane...” mbijetoi dhe u ngrit në “Lëvizje Gjithëpopullore” dhe, pa ofruar (nga të intervistuarit dhe TV-et) asnjë dokument apo fotografi – pamje filmike të pa censuruara për Lëvizjen, pa përmendur asnjë dëshmi numerike të saktë për pajtimet, as për etapat e rritjes së “Aksionit Njëmujor” në “Lëvizjen...” që zgjati mbi dy vjet tre muaj e 15 ditë, rezultoi që:
    Ky “Shënim i Përvjetorit të “20 të Lëvizjes...” të mbetët vetëm një improvizim me tendenca manipuluese, manifestim pa ndonjë rëndësi historike e politike gjithëkom¬bëtare, pa porosinë që do ta kishte sikur “Përkujtimi i 20-Vjetorit të Lëvizjes” t’i ishte besuar Institutit Albanologjik (ku e gjeti mbështetjen iniciativa për Aksion dhe prej nga u drejtua Lëvizja në tërësi). Madhështia e këtij “Përvjetori” do të kulmonte sikur të mbahej nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më ç’rast do të nderohej Lëvizja në Përgjithësi, pa premisat politike evidente, kurse “Dekorata” siç e thamë më herët, do t’i ndahej korifeut madhështor, (të cilin e nxori dhe e rriti Lëvizja nga gjiri i saj) - Profesor Anton Çettës”.
    Pse Institutit Albanologjik do t’i takonte Ky “nder” i merituar mund të dëshmojë me katër fakte: E para: profesorët Z. Cana dhe A. Çetta, zyrtarë të “Këshillit për Liri dhe të Drejta në Njeriut për Kosovën”, i cili e përkrahu pa hezitim “ofertën e Studentëve për Aksionin”, ishin punëtorë shkencorë të I. Albanologjik; se Koordinatori (themelues dhe drejtues faktik i “Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës” M. Pirraku, ishte punëtor shkencor i I. Albanologjik, dhe ky, sa po u bë e njohur marrja e iniciativës për “Aksion...” (fundi i dhjetëditëshit të fundit të janarit), diktoi që SHBPK-ja t’i bashkohej dhe pa zhurmë të ndikonte në sukseset e “Aksionit”; se dy anëtarë të Kryesisë së “Forumit të Rinisë Demokratike të Kosovës”, që e fuqizoi “Aksionin” që sapo filloi, i ishin asistentë të I. Albanologjik (F. Graiçevcin dhe J. Ahmetin); dhe për faktin se fillimisht Drejtori F. Syla e më vonë S. Fetiu, i liruan studiuesit e përmendur, dhe të tjerët, nga detyrimet e përditshme, kurse për nevoja të Lëvizjes ua lanë në përdorim zyrat, sallat, telefonat dhe teknikën e daktilobyrosë.
    Mirëpo, duhet të konstatojmë se “Manifestimet” e sivjetme megjithatë dëshmuan një diçka “të mirë”, që nuk është “veti” e dëshmuar ndër shqiptarët rrahagjoksë: Doli “pasqyrimi” se “nismëtarët e Aksionit Njëmujor të Pajtimit” në vise të Pejës (nga 2 Shkurti 1990), studentë e profesorë, kush më shumë se tjetri, me plotë gojën “dëshmuan” se ishin bashkëveprimtarë të ngushtë e ndjekës të Profesor Anton Çettës, në njëfarë dore si “apostuj pranë Kryeapostullit të Lëvizjes...(!?)” e që faktikisht nuk i përgjigjet realitetit të rritjes së “Aksionit” në “Lëvizje” me fille nga fundi i shkurtit 1990, kur filloi nga puna “Këshilli Qendror të Kosovës”, e të cilin nga mesi i marsit e pagëzuam me emrin “Anton Çetta”.
    Për ngritjen dhe konsolidimin e këtij mekanizmi drejtues të pakontestueshëm prej asnjë Këshilli komunal apo regjional të Pajtimit (që e mbuluan Kosovën deri më 30 prill 1990) kurse viset e tjera shqiptare dhe enklavat në ekzil deri nga mesi i korrikut 1990), rol vendimtar ka pasur mekanizmi drejtues (koordinatori) i “Shoqatës së të Burgosurve Politik”, të cilit iu besua edhe drejtimin faktik të Kryesisë së “Këshillit Qendror ‘Anton Çetta’ të Kosovës”, kurse vlerë e shtyllë e LGJSHFGJ do të bëhen personalitetet veprimtarë të këtij “bashkimi politik kombëtar” i cili i bashkonte të gjithë spektrin politik të të burgosurve shqiptarë nga viti 1944.
    Kemi shumë dëshmi të prekshme që flasin qartë se “nismëtarët e aksionit” të cilët tashti e “portretizuan” vetën si “apostuj” të Lëvizjes, me ndonjë përjashtim të vogël, së paku nga mesi i prillit 1990 nuk u treguan mirëdashës ndaj mekanizmave drejtues – Këshillave të Pajtimit, komunale e regjionale, që u ngritën në terren mbi bazë të udhëzimeve që i merrnin nga Kryesia e Këshillit Qendror të Kosovës, nuk e kuptuan interesin e rritës së “Aksionit të rinisë....” në “Lëvizje Gjithëpopullore....” që ndodhi me shpejtësi, manifestuan pakënaqësi ndaj ngritjes dhe emërimit të “Këshillit Qendror të Kosovës” e veçmas e kundërshtuan emërimin e tij me emrin “Anton Çeta”, e nuk e pëlqyen as emërtimin e këshillave komunale (në Malishevë dhe Shtime, ku kryetar ishin hoxhallarë) me emrin “Anton Çetta”. Atyre tashti nisi t’i pengoi fakti se populli sa vinte dhe profesorëve universitarë ua legjitimonte primatin e “pajtimtarëve kredibil” si dorëzanë të faljeve, e veçanërisht atyre që kishin përjetuar burgosje e survejime nga pushteti. Veçanërisht do ta keqkuptojnë rolin që Lëvizja ia caktoi Profesor Anton Çetës, si “prijës” i pakontestueshëm.
    Të gjitha këto që u thanë, do të dëshmohen publikisht në artikullin me titull të përçudnuar: “Pa bajraktarizëm”, botuar në “Rilindja” të 16 prillit 1990,13, me autor një “Idriz Gashi”!?! Profesor Antoni e përjetoi rëndë përbaltjen që i ishte atribuuar!?! Realisht, shumë herë, më kishte qortuar pse po e “forcoja emrin dhe të bëmat e tij!?!”, shumë herë ma kishte “ngrehur veshin” se duke e “lavdëruar” Atë, po i fryja zjarrit të Xhelozive ...!” Me erdhi në zyrë, i mavijosur, dhe ma gjuajti gazetën “para hundës”: “Ja çka bëre...!” Për më gjatë lexo në librin: Dr. Muhamet Pirraku: “Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992- Kronikë, Prishtinë 1998, 122-123.
    Të gjitha këto aspirata, thënë më së buti “lideriste”, të “Grupit nismëtar të Aksionit” që godisnin, në rend të parë, sinqeritetin markant të Profesor Anton Çettës, dhe formimin e Këshillave komunale e regjionale të Pajtimit si mekanizma që e fuqizuan Lëvizjen dhe e bënë Lëvizje Gjithëpopullore, do të dëshmohen në “Kuvendin e Parë të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve”, të datës 19 Maj 1990.
    Realisht, “Nismëtarët” dhe intelektualët “pejanë”: Akademik Mark Krasniqi, shkrimtarët Azem Shkreli e Ramiz Kelmendi dhe avokatin Bajram Kelmendi (derisa në Strellc të Deçanit po tuboheshin përfaqësuesit e 25 Këshillave të Pajtimit nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare), organizuan një ”Takim” që në fakt ishte “një gjyq” kundër Këshillit Qendror ”Anton Çetta” të Kosovës në përgjithësi dhe kundër Prof. Anton Çettës në veçanti, i cili do të quhet: ”uzurpator’ i drejtimit të Lëvizjes ‘për interesa karrieriste dhe egoiste individuale”.
    Kërkesat absurde të “Nismëtarëve”, të paraqitura nga nismëtarja Havë Shala, do të pritën me indinjatë nga delegatët e Kuvendit në Strellc, ndaj “nismëtarët” nuk pranuan të raportonin për sukseset e Lëvizjes në viset e Pejës, për çka ishin të obliguar, e madje as pranuan të fotografoheshin për një “foto historike” në gjirin e delegatëve të Kuvendit (për zhvillimet dhe vendimet e Kuvendit të 19 Majit 1990, lexo gjerësisht në Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992- Kronikë, Prishtinë 1998, 177-192).
    Pas kësaj ngjarje rëndësia e “Grupit të Nismëtarët e Aksionit” në gjirin e Lëvizjes është simbolike. Vetëm disa nga ata, kohë pas kohe dhe pa rolin udhëheqës, do të shihen në radhët e “Krushqve të Pajtimit”, të mirëpritur nga akëcili Këshill Komunal a Regjional gjatë punës në terren dhe në kuvendet e Pajtimit, duke i nderuar me vendin e “Simbolit të Lëvizjes!
    Tashti shumë qartë më duhet të konstatoj se: Akademi Mark Krasniqi, Profesor Ramiz Kelmendi e Dom Lush Gjergji nuk i kanë takuar Kryesisë së Këshillit Qendror “Anton Çetta” të Kosovës, mekanizëm ky i cili e ka drejtuar dhe e ka administruar Lëvizjen. Këta, si edhe dhjetëra profesorë e intelektualë, në rastet kur kanë marrë pjesë në “përpunimin e faljeve”, në Oda, ose në rast kur janë parë në Kryesi (në foltore) të Kuvendeve për promovimin e faljeve, janë nxjerrë për faktin se kanë pasur një lloj imuniteti para pushtetit, qartë për t’u fshehur pas tyre, NE, të burgosurit politikë, që faktikisht e bënim peshën e punës dhe të sakrificës. Dorën në zemër, këtë “lloj imuniteti para pushtetit” shumë nga këta dhe shumë të tjerë, e shfrytëzuan si “pehlivanë” për “misionin” paqësor në gjiron e mërgatës shqiptare në Evropë dhe SHBA, derisa NE, të burgosurit politikë të dëshmuar kundër pushtuesit, as kishim pasaporte, as mund të dilnim jashtë” Jugosllavisë që po shpartallohej.
    Dhe, t’ia heq “petën” edhe një fakti: Dom Lush Gjergji, i cili sa vinte dhe merrte rolin e “misionarit” të Nënë Terezës, si edhe Kisha Katolike nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë si “Nismëtarë” të Lëvizjes së Pajtimit 1990-1992, e as me “merita” gati “apostolike” për Pajtimin e arritur, siç del nga prononcimet e tashme të Dom Lushit. Me kompetencë shkencore kritike për Lëvizjen mund të konstasjojë: Kurrë dhe me asgjë nuk mund të barazohet kontributi i priftërinjve me kontributin e hoxhallarëve dhe të xhamisë për Lëvizjen e Pajtimit 190-1992 .
    Tashti të them qartë edhe këtë fakt: Roli i individëve më markantë nga “Grupi Nismëtar i Aksionit...” në “Kuvendin Te Verrat e Llukës”, ka qenë kryesisht, si edhe në Kuvendet e tjera, me rolin e simbolit të Lëvizjes. Vendimin për këtë Kuvend e mori Kryesia e Këshillit Qendror ‘Anton Çetta“ i Kosovës”, kurse përgatitja dhe e mirëvajtja iu besua ”Këshillit Organizativ Teknik” (me seli në Strellc), të cilin e përbënin: Këshilli i Pajtimit dhe Parlamenti Rinor të Deçanit, Këshillin e Pajtimit të Pejës (në gjirin e tij ishin nismëtarët) dhe dy anëtarë të Kryesisë së Këshillit Qendror ‘Anton Çetta“ të Kosovës”(M. Pirraku dhe M. Rugova).
    Dhe, i pyes ata që i projektuan dhe i organizuan Manifestimet për “20- Vjetorin e Lëvizjes”: Çka mund të reflektojë konstatimi historiografik nga viti 1997:“...anëtarët e Kryesisë së Këshillit Qendror ‘Anton Çetta’ të Kosovës, dr. Mujë Rugova dhe dr. Muhamet Pirraku të cilët kontribuuan në përforcimin e rendit të punës së Kuvendit dhe në redaktimin e teksteve të referateve të subjekteve bartëse të organizimit” ?!? (shih më gjerësisht: “Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992- Kronikë, Prishtinë 1998, 140-145). Të them shkoqur: Sikur këtë fakt ta kishte zë ngoje një historian tjetër, emrin e Pirrakut, në saje të kontributit, do ta kishte shkruar para emrit të Rugovës, siç bëra më lartë me “modestinë vetëvrasëse” të manifestuar përgjatë tërë veprës së Kronikës së Pajtimit, në relacion me të gjithë emrat e bashkëveprimtarëve, punën e të cilëve e administroja me shumë korrektësi i nisur edhe nga mësimi i Volterit: “E vërteta mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes”!
    Vërtet, mesazhet që vinin nga pamjet në “Safin” e parë të Tribunës së Verrave të Llukës”, të 1 Majit 2010, por edhe nga ajo që u pa në TV-të tona dhe në shtyp më bëri të dyshoj se edhe në 20-Vjetorin e “Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta”, do të përsëriten “Verrat e Llukës’2010”, pasi organizuesi ishte i njëjti –AAK-ja “opozitare”. Se do të përsëritën tendencat edhe për abortimin e fakteve historike, ishin “isharetet” në Ftesën televizive e në shtyp që i priu manifestimit në Karagaç të Pejës të 15 Majit 2010.
    Zhvillimet treguan se “manifestimi” u organizua për të bërë thirrje edhe me gojën mikut William Walker, për përmbysjen e Qeverisë së Kosovës (e cila edhe pse nuk më ka kënaqur me shumë të bëma e të pabëra, megjithatë e konsideroj Qeveri legjitime dhe nuk mund të na bëhet vonë ta rrëzojmë me votë në zgjedhje të rregullta, demokratike! Të ecim më tutje: Çka iu ka dashur mikut tonë W.W të thërriste nga Foltorja: ”...Politikanët kosovarë sot janë duke shikuar interesat e veta për pasurim, e jo interesat e vendit për integrim e zhvillim...” (Koha Ditore, 17.05.2010) ?!?!Nëse janë të tillë Loja SHBA – Evropë, përball interesave të Rusisë, ia imponoi kombit shqiptar këtë fat që na shitoi. Heu, shih në këtë moment me erdhi në kujtesë një porosi që ma kishte shqiptuar Ali Shukriu, më 31 Korrik 1979, në Stantërg: “Thuaju bashkëmendimtarëve se karrigen mund të na e merrni vetëm pasi ta lajmë me gjakun tonë...!” ?!?!
    Më lartë e zura ngoje sintagmën: “tendencat për abortimin e fakteve historike”. Mund të pyesim: si mund të quhet ndryshe konstatimi - “në 20-vjetorin e themelimit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve, e themeluar së pari në Pejë, e pastaj e përhapur gjithandej komunave të vendit”( Koha Ditore, 17.05.2010). Më tutje shkruan se “themelues i kësaj Shoqate” ishte Z. Jahja Lluka(!?!), të cilin e çmoj shumë. Mirëpo, për hir të së vërtetës historike saktësoj këto katër fakte: SHKSHTV e ka themluar Z. Milaim Kadriu (kryetar i parë); Kuvendi themelues është mbajtur në Xhaminë e fshatit Hasan Prishrina (ish Polac i Drenicës); Referatin për jetën dhe veprën e Hasan Prishinës e kam mbajt Unë; Dhe shtrirjen e organizatës, e kemi bërë, në njëfarë dore, në gjirin e Lëvizjes për faljen e Hasmërive, njësoj si edhe të mekanizmit bamirës: “Familja ndihmon familjen”. Nga këto që u thanë del e kuptueshme pse nuk shkova në “Karagaç”, ku do ta pranoja edhe “Mirënjohjen” për kontributin tim (minor, vetëm moral) nga “themeluesi” – përfaqësuesi i AAK-së!
    Para se të përfundonim me këtë paraqitje tepër të detyrueshme e meriton t’i zë ngoje dy paraqitje të ish veprimtarit të LPK-së Z. Ramadan Avdija (deputet i PDK-së) në “(hiç)Akademinë Solemne: “20-Vjetori i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave”, organizuar nga “Këshilli Nismëtar i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve” (kryesisht “pozitarë”), mbajtur në Institutin Albanologjik, më 17 Maj 2010 dhe në “Bisedën” në Studion e RTK-së, më 18 Maj 2010.
    E para, siç kam konstatuar në fillim “Këshilli Nismëtar i Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve” nuk ka ekzistuar dhe 17 Maji 2010 nuk mund të lidhet me ndonjë përvjetor “Teste” për Lëvizjen, siç u kam shkruar, me kohë, së paku dy organizuesve të “Akademisë”. Nuk ua pëlqeva nismën për këtë aktivitet sepse -“kësaj pune i vjen era tarafllëk politik pushtetar”, përballë asaj që bëri “opozita” në mënyrë shumë të suksesshme.
    E dyta, të dy paraqitjet e Z. Ramadan Avdija ishin: se “Lëvizja Popullore e Kosovës” ishte jo vetëm inicuese e “Aksionit të Rinisë për Faljen e 32 Gjaqeve” por se ishte edhe faktor për rritën e Aksionit” në “Lëvizje Gjithëpopullore”. Konstatimi i parë është fakt historik, kurse “konstatimi” i dytë fare nuk ka të bëjë me aktivitetin e fshehtë të LPK-së në gjirin e LGJSHFGJ-ve edhe për faktin se “Nismëtarët” e LPK-së realisht nga Kuvendi i Parë i Lëvizjes, më 19 Maj 1990, nuk kanë pasur ndonjë rol në masivizimin e Lëvizjes.
    Të rikonstatojë faktin se rritës së “Aksionit Njëmujor” të themi të LPK-së (për faktin se disa veprimtarë “nismëtarë” ishin anëtar të LPK-së), për arritjen e faljeve të 32 gjaqeve për ndër të 32 dëshmorëve, i kontribuoi Kryesia e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, e cila realisht, nga fundi i shkurtit 1990 e administronte “Këshillin Qendror të Kosovës”, i cili më 19 mars do të emërohet me emrin “Anton Çetta”.
    Të burgosurit politikë që i takonin veçanërisht Kryesisë së SHBPK-së, tashti disa nga ata edhe Kryesisë së “Këshillin Qendror “Anton Çetta” të Kosovës”, si edhe pjesa absolute e veprimtarëve të saj me autoritet të madh midis masave, të hedhur në LGJSHFGJ 1990-1992, dhe në Degët e LDK-së (të cilat nga fillimi patën rol të madh në masivizimin e Lëvizjes), u përkisnin të burgosurve të periudhave para formimit edhe të “Nënës” së LPK-së. Falë faktit se themeluesi - koordinator i punëve të Kryesisë së SHBPK-së, i përkiste “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve«, për simbol udhërrëfyes të sakrificës për LGJSHFGJ-në u mbajt Adem Demaçi, kurse për “Program politik” të saj, Programin e LRBSH-së i pranverës 1964. Dhe, pse të mos i pyes lexuesit e nderuar të këtij reagimi tim të dhunshëm: Për çfarë të vërtete flet vetëm mbititulli dhe titulli përgjatë dy faqeve të një gazete A-3: “Dr Muhamet Piraku, koordinator svenarodnog pokreta za suzbijanje krane osvete kod Albanaca: NEMA KRANE OSVETE DO NEZAVISNOSTI KOSOVA!, “Dnevni Telegraf”, Beograd, subota 4.1.1997.
    I pyes “nismëtarët e Aksionit” ish-anëtarë të LPK-s e sot militantë të AAK-së e të PDK-së etj., si dhe veprimtarët që sot festuan “20-Vjetorin e Lëvizjes”, cili prej Jush ka mbajtur ditar autentik për zhvillimet në Lëvizje (përpos Z. Nezirit për pak ditë të Lëvizjes në Vise të Pejës); Sa dokumente i keni deponuar në Arkivin e Lëvizjes (përpos Myrvete Dreshajt- Baliut); Cili prej Jush e keni pajisur me informata shtypin, TVP-në Radio-Prishtinën, në kohën e Lëvizjes, sa shkrime programatike i keni botuar gjatë dhe pas mbylljes së Lëvizjes (përpos Dom Lushit për propagandë fetare për mitin Nëna Tereze, e të Myrvetes, një shkrim afirmativ të zbehtë). Historia e Lëvizjes nuk mund të shkruhet pa dokumente autentike. A i keni krijuar ato?
    Tashti t’i kthehemi intervistës në “DT magazin”: Kur iu përgjigja pyetjeve me shkrim të gazetarit (të redaktuara prej meje, për efekte historiografike e politike që i dëshiroja) ishte “Festë” për Vitin e Ri. Nuk festova, por në heshtje, larg syve të fëmijëve, vajtova! Për nevoja të Lëvizjes së Pajtimit, fëmijëve ua kisha shitur Lopën e Kosit me gjithë viç (që e kisha blerë me para të fituara me çekiç muratori, pas burgut) e tashti po dëshmoja për burgun e ri që i bëja hyzmet publik: “... çka do të hanë fëmija, çka do të ndodh me rritën dhe shkollimin e tyre...!?!” Kisha përvojë të keqe nga vitet 1981/84, por jetën doja ta besoja si Luftë për Liri të Kombit mbi Betimin para Mësuesit Fazli Greiçevci, më 10 Shtator 1960, ditë e shtunë. Për dy ditë sa iu përgjigja Intervistës, e mbaja para vetës, mbi tavolinë sentencën e Virgjilit antik: “Fati ndihmon vetëm guximtarët!
    Dhe, këtu sikur kërkohet të shtrohet një pyetje publike: Si ka mundur gazetari serb Zoran Vlašković ta dijë se kush ishte Koordinatori i Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për zhdukjen e gjakmarrjes tek shqiptarët, gati pesë vjet pas mbylljes së saj, kurse “veprimtarët e Lëvizjes” me të cilët faktikisht kam udhëhequr, si edhe redaktorët e TV-ve nuk patën guxim moral ta kërkonin ndihmesën time. Ky përvjetor ka merituar një paraqitje dokumentare historike, pa tarafllëk politik, që do t’i mbulonte të gjitha viset ku ajo veproi si pararoja e fitores së Luftës së UÇK-së në tri pamjet e veta historike. Sot e mot duhet të dihet se kjo nuk bëhet pa ditarin dhe Arkivin Personal të Koordinatorit të Punëve të Kryesisë së “Këshillin Qendror “Anton Çetta” të Kosovës”. Veprimtarët që sot festuan nuk kanë pasur tirq të mbanin ditar, të shkruanin ndonjë informatë në shtypin e kohës.
    Para se ta përmbylli e shoh të nevojshme ta bëjë publike një “budallaki” timin prej idealisti, e cila flet për marrëdhëniet me besim e respekt reciprok: Profesor Anton Çetta – Muhamet Pirraku. Këtë e bëj për të argumentuar se tashti, duke folur për disa të vërteta përreth Profesor Antonit, nuk synoj të ndriçohem nga Rrezet e tij prej humanisti, i Shenjtë për rolin që luajti në Lëvizjen e Pajtimit Kombëtar Shqiptar të 2 Shkurtit 1990-17 Majit 1992.
    Në verë të vitit 1995, Profesor Antoni u sëmur me disa shenja se po shkonte nga keqësimi i shëndetit. Gjatë udhëtimeve të përbashkëta të shumta, natë e ditë, gjatë Lëvizjes kisha hetuar se Profesor Antoni e ka një pjesë të jetës të “pazbuluar”, të pa evidencuar në Biografinë e tij zyrtare, por ajo që më mundonte më shumë ishte mendimi: “Profesor Antoni mund të kalojë, në çdo qastë, në botën e amshuar – Ku do ta varrosim”?!? Sipas një detyrimi të dhunshëm, katolikët e Prishtinës të vdekurit i varrosin në kompleksin e varreve që populli i njeh me emërtimin: “Vorret e Shkive”. Shumë kohë më mundonte pyetja: “ A na ka hije ta varrosim Kolosin tonë në “Vorre të Shkive....”?!?!
    Sa po më doli nga shtypi libri “Albania e Konicës”, e ftova në telefon dhe e informova se “kam dëshirë të ta sjelli librin...!” Ndonëse mbante një “regjim të krevatit, më dëshiroi “Mirëseardhje!” Ishte data 15 Gusht 1995, e ky ishte takimi im i fundit me Profesor Antonin i cili me punë e përjetësoi mendimin filozofik të popullit të Drenicës, kurse me stoicizmin si veprimtar i Lëvizjes së Pajtimit e nderoi kombin shqiptar.
    E shfletoi librin “A l b a n i a” me kureshtje dhe më përgëzoi suksese të reja! Në vazhdim bisedën e solla, me mjeshtëri, aty për çka kisha menduar gjatë. Fillimisht e “luta” të m’i besonte “disa nga të panjohurat” nga jeta dhe veprimtaria e tij arsimore e shkencore. Nuk hezitoi dhe më dukej se po përtëritët. Më foli shumë hapur dhe sot i ruaj shënimet autentike. Kur e ndjeu të Mjaftueshme e formuloi konstatimin:”Çdo send e ka fundin dhe këtu po ndalemi...!”.
    Kështu mu hap shtegu për ta realizuar kërkesën që e kisha diskutuar me shumë bashkëveprimtarë në Lëvizjen e Pajtimit. Ia mora librin që ia kisha sjellë, për t’ia shënuar “përkushtimin...!”, të cilin e kisha formuluar në mendje gjatë kohë. Meqë kanë kaluar vite e kam vështirë ta riprodhoj saktësisht atë që i shkrova, por përmbajtjen mund ta saktësoj në masën deri në 90%.
    Përkushtimin e fillova i nisur nga një pjesë e përfundimit të Tij: “Meqë ‘Çdo send e ka fundin!’ edhe jeta jonë e ka fundin. Urojmë që Varri Juaj të na bëhet një Vend i Pelegrinazhit të shqiptarëve! Ndaj ta leni Amanet me gojën Tuaj që të ju varrosim diku ku Varrin Tuaj mund ta vizitojnë brezat shqiptarë në shkallën që e meriton Vepra Juaj! Nëse kërkon Varr edhe në Hënë, do të përpiqemi për ta plotësuar kërkesën vetëm të të mos u “Lëmë” në “Vorret e shkive...!”
    E ndala dorën sepse më nuk munda t’i fshihja lotët dhe nuk shihja gjë para vetës. Profesor Antoni më qortoi: “Çka shkretove o Pajtim...?!?” dhe lëshoi për ta lexuar “Përkushtimin” por e Luta: “Profesor Imi, të lutëm më kurseni e ta lexoni pasi të shkoj!” Më dëgjoi. E thirri gruan, shumë fisnike, Zonjën Gjystinë, të më përcillte.
    Profesor Antoni e kishte kuptuar me tërë qenien e tij njerëzore e shqiptare porosinë e kërkesës që ia lash në “Përkushtimin tim” në librin “Albania e Konicës”, më 15 Gusht 1995 (Kush nuk beson, do të ma bënte një shërbim të mirë nëse merr zahmet ta vërtetonte saktësinë e përmbajtjes së tekstit të atij “përkushtimi”. Libri gjendet në Bibliotekën Familjare të Profesor Antonit).
    Këtu zuri fill arsyeja që Profesor Antoni t’ia linte Familjes Amanetin që ta Varroste në Varrezën e Gjithshqiptare të Prizren (Parcela për katolikët). Populli i shqiptar më 5 Nëntor 1995, i bëri një Varrim impozant, që në Kosovë, sa di kujtesa historike e Prishtinës, e kishin gëzuar vetëm Dëshmorët e Kombit: Nazim Gafurri, më 1928 dhe Iljaz Agushi, më 1943, kurse bashkëveprimtarët në Lëvizjen për Pajtimin Kombëtar shqiptar ia organizuan një “T’pame” të dinjitetshme, që kurrë nuk do të kemi rast ta përsërisnim.
    Tashti të përmbyllim: Hiç tendencat për përfitime politike për pushtet të partive politike, të mbështetura në TV-të dhe shtypin e tyre, manifestimet për “20-Vjetorin e LGJSHFGJ 1990-1992” treguan se Nismëtarët e Aksionit dhe veprimtarët “markantë” të Lëvizjes, si dhe redaktorët dhe gazetarët e sotëm nuk dinë se ekziston Arkiva e LGJSHFGJ-së, se ekzistojnë së paku katër libra, dy për segmente të Lëvizjes, një si “kartotekë e faljeve” me mbresa të disa veprimtarëve, përgatitur, faktikisht, nga Prof. Dr. Zymer Neziri, realisht themeluesi, me shumë mundime, i Arkivit të Lëvizjes dhe se ekziston edhe libri im:
    “Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992- Kronikë, Prishtinë 1998, e cila ngërthen lëndë nga Ditari im për 476 ditë pune për Lëvizjen, fragmente nga dhjeta Video-kaseta nga Kuvendet e Pajtimit, fragmente nga dhjetëra shkrime të botuara si Fletëza të Ditarit të Pajtimit (realisht program dhe udhëzime për lëvizjen) të nënshkruar me pseudonimin Pajtim Shala, të dhëna e mesazhe ndoshta nga të gjitha informatat e mesazhet e gazetarëve veprimtarë të Lëvizjes, të botuara në shtypin e kohës dhe rreth 200 fotografi dhe faksimile të ditarëve të veprimtarëve dhe të dokumenteve që flasin për Lëvizjen në shtrirjen e saj të vërtetë.
    Meqë Ky libër u botua sa po ndodhi Epopeja e UÇK-së në Likashan dhe Prekaz, dhe në rrethana të Luftës Çlirimtare shumë të pabarabartë me okupatorin, nuk përjetoi shtrirje të gjerë, e sa po shihet edhe nga Manifestimet e “20-vjetorit të Lëvizjes”, - “nuk qenka i njohur as për yndyrën e veprimtarëve të Lëvizjes...”(!?!), vendosa ta ribotoj me një plotësim të ndjeshëm. Së këndejmi, e shfrytëzoj rastin dhe i ftoj të gjithë veprimtarët e Lëvizjes, anë e kënd të tokave shqiptare ku u shtri ajo, të më ofrojnë vërejtjet për librin “...Kronikën...” dhe të më ofrojnë kopje të ditarëve, të dhëna statistikore e dokumentare, kujtime të autorizuara që mund t’i përdorja si argumente si dhe fotografi me legjendë të saktë.
    Meqë shumë prej veprimtarëve dhe prej atyre që kanë falë gjaqe kanë rënë dëshmorë ose martirë të Luftës Çlirimtare nën drejtimin e UÇK-së, të më dërgohen emrat(me emrin e babës dhe mbiemrin)datëlindjen dhe datën e rënies. Dërgesa të bëhet përmes postës elektronike: pirraku@yahoo.com, ose përmes telefonit: 044-149-244. Librin do ta botojë Instituti Albanologjik brenda këtij viti, kurse ndihmesën Tuaj duhet ta dërgoni më së largu deri me 1 Tetor 2010.
    Krejt në fund, po mbylli këtë shkrim të padëshiruar me një përvojë të popullit tonë, pak të përshtatur sipas përvojës sime të hidhur: “Kabullxhinjt pa ta marrkan edhe Xhenetin!”
    Prishtinë, 31 maj 2010
    Ndryshuar për herë të fundit nga projekti21_dk : 05-06-2010 më 21:21
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e drenicaku
    Anëtarësuar
    06-05-2003
    Postime
    3,263
    Jo valla gja adem shum gjat e paske thur,nuk kam durimin per ta lexu shkurt shkur e don shqiptari o gja adem.

  3. #3
    Citim Postuar më parë nga drenicaku Lexo Postimin
    Jo valla gja adem shum gjat e paske thur,nuk kam durimin per ta lexu shkurt shkur e don shqiptari o gja adem.
    Përshëndetje gja drenicaku
    është e vërtetë se shkrimi është paksa i gjatë, por mendoj se ia vlen të lexohet, sidomos ata që duan ta dinë në thelb ngjarjen e AKsionit për faljen e gjaqeve.
    "Projekti 21" nuk i bën reklamë vetes, afirmon të tjerët!

  4. #4
    hisotori e poshter po bahet te na. Kqyr kur ta qesin Thaqin themelues te ksaj levizje.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •