Kryeministri lëshoi ca fjalë me pikatore pak ditë më parë për naftën: "Qeveria shqiptare është duke parë mundësinë e fillimit të eksportit të naftës dhe gazit natyror që prodhohet në vendin tonë. Ka fusha të paeksploruara siç është Dumrea, Shqipëria e Veriut dhe të tjera"... Shumë vonë zotëri! Është vjedhur shumë naftë, nga ajo që të rriti ty, të tutë e me radhë. Madje, ti je një nga fajtorët kryesorë për shkatërrimin e industrisë së naftës.


Nafta shqiptare! Për të janë thënë legjenda, ajo është nxirë nga intrigat që i janë bërë në të gjitha kohët, madje edhe në këtë "tranzicion" pa fund. Mëkat! Naftëtarët e vërtetë, këta hidrokarbure të gjallë të këtij sektori të madh u flakën në rrugë.


Nga gjithë ajo bazë e madhe teknike, kanë ngelur aq pak pajisje dhe sende sa nuk mjaftojnë as për muze. U shkatërrua gjithçka. Me paramendim. Pajisjet e naftës shqiptare shkatërrohen kurse ato të koncesionistëve të huaj shkëlqejnë e ruhen si objekte të OKB-së; në to edhe mizat kanë frikë të qëndrojnë, i dënon "ligji i demokracisë shqiptare".

Dhe pas kaq kohë shkatërrimesh, na vjen një fjalim kryeministri me tone që të kujtojnë raportet dhe librat e E. Hoxhës, ku nuk gjen asnjë formulë apo simbol kimik, ama gjen plot nga mediokriteti shkencor i "partisë".


Po ama, E. Hoxha, diti t'i mpreh qetë dhe mos merrej vetëm me llafe. Menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë, me 22 dhjetor 1945 vrapoi në Kuçovë, përuroi Distilerinë nr. 3 me tezën: "Pa naftë nuk mund të ecim, ajo është si gjaku në trupin e njeriut".
Unë nuk i shërbej ndonjë grupi apo personi politik, sekti, fondacioni të huaj apo të vendit, asnjërit dhe asnjërës.


Nuk më interesojnë partitë, dua vendin tim, naftën tonë. I dua të gjithë shokët dhe kolegët e mi kudo ku janë. Më mbyt malli për ta, por nuk kemi si takohemi, jemi ndarë e syrgjynosur si gjithë shqiptarët e tjerë në të katër anët e botës. Është papunësia dhe shkatërrimi që mbolli "demokracia" jote zoti Berisha.


"Demokracia" që na çoi për bukën e gojës deri në Sahara dhe Alaskë. Koha po na djeg bashkë me punët dhe studimet tona. Sepse koha jonë dhe nafta jonë as që futen dot në Kuvendin Shqiptar, mbushur me ata kolopuçat që nuk kanë një rrudhë në ballë. (I madhi Anatol France thoshte: Do të merrem me politikë kur të më shterojë aftësia për punë.)


Më 3 korrik 2008 dhe më 5 janar 2009, unë ju nisa personalisht juve një letër, jo letër politike, por një letër për naftën. Unë kam punuar më shumë se 30 vjet në sektorin e naftës. Në letër nuk shkruaj se "kam zbuluar grup armiqësor", siç veprohej më parë.


E gjeni atë letër shikoni mirë se duhet ta keni diku dhe e rilexoni. Unë ju shkruaj për naftën Shqiptare, ju tregoj aty edhe objektet konkrete që duhet të shpohen, dy objekte, njeri në thellësinë 1500 m dhe tjetri në thellësinë 4300 m. Ka edhe objekte të tjera.


Këto studime i kam paraqitur edhe në disa simpoziume ndërkombëtare, në Skoci, në Rumani, në Kroaci, në Amerikë, po nëse të huajit i kanë parë me interes, ne këtu në Shqipëri jemi indiferentë. Sepse ne e përbuzim njëri-tjetrin.


Një letër të tillë ia nisa edhe ish-ministrit Genc Ruli. Në letër u referohem mendimeve të mia, të cilat ia kam ekspozuar pas vitit '80-të edhe ish-Ministrit të Energjetikës së asaj kohe, Lavdosh Ahmetajt, sipas kërkesës së tij, në prezencë të zv.ministrit P. Xhako, dhe kryegjeologut N. Mëtiri. Janë mendimet e mia, nuk janë kopjime apo imitime.


Edhe kjo letër duhet të jetë diku nëpër sirtarët e asaj ministrie. Sintezën e atij studimi ua nisa edhe juve. Kopjen e origjinalit që i lashë ish-ministrit Ahmetaj, e kam këtu me vete, dhe nëse do dëshironit ta lexoni, do t'ua nisja pa lëvizur një presje.


Z. kryeministër, ju duhet të mbani varur në murin e zyrës suaj hartën e naftës shqiptare. Ju duhej të kishit biseduar dhe të ishit konsultuar rregullisht më specialistët e naftës. Sepse nafta është pasuria jonë e bekuar, është pavarësi, është moral kombi për sa kohë që e kemi.


Por ju jeni verbuar nga dëshira për lavdi të kotë, deri në atë masë sa nuk shikoni dhe nuk dëgjoni më askënd, veç ca kameleonëve që ndërrojnë kostumet dhe librezat e partive, me marrëveshje reversible si në një reaksion kimik...


Ne kemi naftë, nuk kemi përse ta blejmë nga jashtë. Ne kemi ende naftë në vend-burimet ekzistuese, ne kemi fusha të tjera të paeksploruara akoma, kemi ekspertë nafte, kemi shkollën tonë të naftës, eksperiencën tonë.

Por, ju si klasë politike duhet të ndryshoni strategjinë e shkatërrimit të naftës, e shkatërrimit të Shqipërisë. Ka ende kohë që disa gabime të rregullohen. Pas ca vitesh do të jetë 100 vjetori i Naftës Shqiptare, me prolog vitin 1918.


Ne do të shuajmë 100 qirinj, por mund të ndezim 1000 të tjerë. Mund dhe duhet ta rigjenerojmë industrinë e naftës shqiptare. Duhen anuluar të gjitha marrëveshjet koncesioniste me të huajit, ky është një skllavërim i tmerrshëm dhe i gjatë.


Çfarë janë ato ligjet me nr. 7747 dhe nr. 509? Kush i ka shkruar këto ligje, cilët janë ata shqiptarë që kanë firmosur këtë damkë të zezë? Nuk kemi nevojë për koncesione, nuk jemi në vitin 1918, jemi gati 100 vite më vonë. Nafta mund të na sjellë mirëqenie të shpejtë dhe dinjitet.


Mblidhini të gjithë specialistët, zoti kryetar i qeverisë, investoni në këtë degë kapitale të ekonomisë sonë, shkoni në Drashovicë të Vlorës, atje ku nisi startin nafta shqiptare. Shkoni dhe përuroni një lapidar të madh për naftën në vend të dy metrave rrugë për propagandë të shpejtë politike.


Z. Kryeministër! Flitet se tani afër Albpetroli do të shkurtojë nga puna edhe 1200 naftëtarë të tjerë. Këta së bashku me ata të parët të hedhur në rrugë, ju duhet t'i supozoni, në grevë urie. Një filozof na thotë se kur nuk ka më atdhe, një qytetar i mirë preferon të vdesë.


Kjo nuk ka për të ndodhur nëse ne kthehemi dhe shohim në sy njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë luftën me "armiqtë e brendshëm" dhe me dëshirën për të rindërtuar industrinë e naftës. Ndryshe do të na pështyjnë në varr ata që do të vijnë pas.

Ahmet Collaku\Shekulli