Bruksel: Rexhepi thotë se Kosova është e gatshme për dialog të vizave
Bruksel, 23 nëntor – Lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, sikur edhe reforma e sistemit gjyqësor janë temat kryesore të konferencës dyditore të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit që ka nisur të hënën në selinë e BE-së, në Bruksel. Kësaj radhe përsëri është gjetur një formulë e pranueshme për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës dhe të Serbisë dhe kjo duke përmendur në program vetëm emrat e pjesëmarrësve, por jo edhe shtetet nga vijnë. Bashkimi Evropian vazhdon ta konsideroj Ballkanin Perëndimor si burim apo transit për krimin e organizuar dhe trafikimet e ndryshme ilegale, prandaj edhe dëshiron që të ketë bashkëpunim më të madh mes vetë vendeve të rajonit sikur edhe të këtyre vendeve me BE-në në luftimin e dukurive negative. Kosovën në këtë takim po e përfaqëson ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë në largim, Bajram Rexhepi.
Ai në paraqitjen e tij ka përshëndetur vendimin për liberalizimin e vizave për vendet fqinje të Kosovës, përfshirë së fundmi edhe për Shqipërinë dhe Malin e zi, dhe ka kërkuar që edhe Kosovës t’i jepet rasti duke hapur dialogun për vizat. Rexhepi ka thënë se Republika e Kosovës është e gatshme që të fillojë dialogun me Komisionin Evropian. „Ne kemi marrë disa hapa proaktivë në këtë drejtim; kemi miratuar Ligjin mbi ripranim, strategjinë e planit të veprimit mbi riintegrimin e personave të riatdhesuar, jemi duke digjitalizuar të gjithë librat e regjistrit civil dhe e kemi lansuar tenderin për pasaporta biometrike“, ka numëruar disa nga aktivitetet që po i bën Kosova për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave me BE-në. Rexhepi ka folur pozitivisht për ndihmën e EULEX-it dhe të Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë në këtë drejtim. Ai ka thënë se Kosova po vazhdon me negociatat dhe nënshkrimet e marrëveshjeve për riatdhesim me vendet anëtare të BE-së. Ka folur edhe për bashkëpunim me vendet anëtare për ndihmë në kthimin vullnetar, por ka shtuar se Kosova gjithsesi vazhdon me planin e saj për të zbatuar strategjinë e riintegrimit për të gjithë të kthyerit. Sipas tij, Qeveria e Kosovës këtë vit ka alokuar gjysmë milioni euro për zbatimin e kësaj strategjie, ndërsa për vitin që vjen kjo shumë është planifikuar të rritet në 3.5 milionë euro.
Rexhepi ka folur edhe për bashkëpunim me EULEX-in si dhe me organet e vendeve fqinje në goditjen e grupeve të krimit të organizuar dhe trafikantëve. Këtu ka përmendur edhe hetimet për rastin e humbjes së jetëve të qytetarëve të Kosovës në lumit Tisa. „Paralelisht me luftimin dhe parandalimin e migrimit ilegal, ne duhet hapur rrugë për stimulim të migrimit legal. Imigrantët kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e Kosovës“, ka thënë Rexhepi, duke kërkuar nga BE-ja dhe nga vendet anëtare ta trajtojnë Kosovën sikur të gjitha vendet e tjera të rajonit në procesin e negociimit të marrëveshjeve të ndryshme në fushën e migracionit. Takimi vazhdon edhe të mërkurën kur do të flitet për reformat në gjyqësorë, depolitizim të kësaj fushe e cila për BE-në është ndër kriteret kyç për ecjen e vendeve të rajonit drejt integrimeve evropiane. ("Koha ditore")
Krijoni Kontakt