Hoxhaj kërkon udhërrëfyesin e vizave
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke iu drejtuar Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka kërkuar nga Brukseli që Kosova të mos mbetet një shtet i harruar në zemër të Evropës.
Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj, ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së, si dhe i është drejtuar me një fjalim Komisionit për Politikë të Jashtme të PE-së, ndërsa ka kërkuar Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në.
"Nëse brenda këtij viti ne nuk do të marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ky do të ishte mesazhi më negativ për qytetarët e Kosovës. Ne jemi qytetarët e vetëm në rajon që nuk kemi të drejtën e lëvizjes pa viza në Evropë. Do të ishte shumë keq nëse përçohet mesazhi se kosovarët janë popull i harruar. Prandaj, ne kërkojmë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të vazhdojmë përmbushjen e standardeve evropiane”, ka thënë Hoxhaj, gjatë fjalimit para eurodeputetëve, duke kërkuar po ashtu që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale, marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, në takimin me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek është diskutuar për mënyrat e përmbushjes sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave, duke u pajtuar se Kosova duhet të marrë gjatë këtij viti, udhërrëfyesin dhe të vendos marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
Hoxhaj gjatë ditës është takuar edhe me kryesuesin e delegacionit të PE-së në marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, Eduard Kukan.
Me këtë rast, Kukan ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane, duke shtuar se Kosova duhet të ketë trajtimin e njëjtë me shtete tjera të rajonit edhe sa i përket liberalizimit të vizave.
“Pajtohem që qytetarët e Kosovës nuk po trajtohen njëjtë si qytetarët e tjerë të Ballkanit, sa i takon procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë aspekt, BE-ja duhet të bëjë më shumë. I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që mos të humbas kohë, por të fillojë dialogun për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të jap udhërrëfyesin për këtë proces”, tha Kukan.
Hoxhaj ka pasur një drekë punë edhe me Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në KE, gjatë të cilës është diskutuar për çështje konkrete që lidhen me proceset integruese të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
ZËRI
Krijoni Kontakt