Flamuri i PS, në gjysmështizë
Endri DIBRA
Kur kishte kaluar më shumë se një orë nga deklarata e djeshme e Komisioneres së BE, Malmstorm, për shpalljen zyrtarisht të propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë,
kryetari i PS u shfaq në konferencë shtypi dhe deklaroi se do t'i dërgonte letër Kryetarit të Komisionit Europian, Barroso, që të mos pengojë heqjen e vizave me Shqipërinë,
a thua se problemi paska qenë në Bruksel, në zyrën e Barrosos, dhe jo në zyrën e tij.
Pas këtij akti, në konferencën e radhës për shtyp të kryetarit të PS do të dëgjojmë qyfyre të reja politike, sipas të cilave, Brukseli vendosi të heqë vizat me Shqipërinë vetëm pasi lexoi dhe analizoi me hollësi letrën e shokut Edvin Rama. Ndër të tjera, Rama vlerëson se një rol vendimtar në vendimmarrjen e Brukselit për vizat ka luajtur edhe greva e urisë së deputetëve të PS në bulevard për 19 ditë me radhë. Kjo e afroi edhe më shumë vendin me standardet europiane dhe tani europarlamentarë nga vende të ndryshme të Europës nën shembullin e udhëheqësit normal të opozitës shqiptare do të nisin nga shtatori që të futen në greva urie në zona të ndryshme të Brukselit, për çfarë t'i teket qejfi.
Po kështu, një meritë të patjetërsueshme ka luajtur edhe bllokimi i akseve rrugore nga mercenarët e paguar nga kryetari i PS. Brukseli u bind pas këtyre protestave se është e pamundur për qytetarët shqiptarë që të pajisen me dy palë viza, një për të lëvizur në vendet Shengen dhe një tjetër për të lëvizur brenda përbrenda vendit, ndaj vendosi të krijojë lehtësira, duke hequr vizat e veta dhe duke u lënë shqiptarëve vetëm një palë viza, atë të kryetarit të PS.
Një kontribut thelbësor në propozimin e BE për heqjen e vizave kanë luajtur edhe thirrjet e vazhdueshme të Edvinit dhe Takut për marrje të pushtetit përmes revolucionit proletar. Shumë eurodeputetë po mendojnë tani të ndryshojnë të gjithë sistemin mbi të cilin funksionon Europa e Bashkuar duke bërë që rrotacioni i pushtetit të mos bëhet më me votë, por me pushtim të institucioneve.
Të gjitha këto së bashku bënë që sot shqiptarët në sajë të kontributit legjendar të udhëheqësit të partisë dhe popullit opozitar, Edvin Rama të marrin dje një përgjigje pozitive për heqjen e vizave. I paharruar qoftë kujtimi i tij, lavdi përjetë grevistëve të urisë, rrofshin fjalimet e Takut...
Rilindja demokratike
Krijoni Kontakt