Nuk duket se janë në majat e tyre më të larta të dyja palët. Çudia me z.Mustafa Nano erdh’ e u zmadhua pak ditë më parë, sa u kthye në një çudi tragjike. Krijimi i një qelize artificiale nga shkencëtarët në botë, i kishte bërë shumë përshtypje z.Nano. Madje deri në atë shkallë, sa ai shprehte çudinë që gazetarët shqiptarë nuk ishin marrë gjerë e gjatë me këtë arritje shkencore, sepse ishin të zënë me grevën dhe darkën e “Krokodilit”. Ndoshta z.Nano nuk i ka shumë të qarta interesat publike shqiptare, por në këtë rast besoj se asnjë shqiptari, jo vetëm brenda kufijve të 28 mijë katrorëve, por edhe pak më gjerë, as nuk i hyn në sy fare se ç’bëhet me qelizat, madje as se ç’bëhet me ngrohjen globale, e as me ditën e qametit. Sepse realisht për ta, dita e qametit është çdo 24-orësh që jetojnë me frikë për 24-orëshin e ardhshëm. Andaj dhe mediat ishin marrë gjerë e gjatë me grevën dhe “Krokodilin” dhe jo me qelizën artificiale, e cila edhe mund të ketë prekur në kopshtin e ndaluar të Perëndisë, por as mund t’u hynte në sy shqiptarëve. Për z.Nano duhet të jetë e qartë, se jo çdo gjë që mund t’i bëjë përshtypje dhe t’i ngjallë interes personave të veçantë, qofshin këta edhe të njohur, është interes edhe për publikun. Mediat zakonisht punojnë për interes të publikut. P.sh, publiku do të ishte shumë i interesuar të shihte reagimin e z.Nano dhe z.Lubonja pak kohë më parë, ndaj një shkrimi të biznesmenit Rezart Taçi. Madje kishte shumë të interesuar dhe kuriozë edhe duke parë shkrimet e njëpasnjëshme të z.Nano, se pse nuk reagohet në media për probleme të ndryshme, por edhe për shkrimet e tij. Taçi reagoi. Nano heshti. E pra, Taçi nuk është një anonim, madje në atë kohë ishte në qendër të vëmendjes. Nuk besoj se z.Nano e ka quajtur ulje të “merrej” me një “si puna” e Taçit, por e vërteta është e zezë mbi të bardhë, Nano nuk reagoi.
Mjerimi i gazetarisë
Vendimi i Berishës, që asnjë zyrtar nuk do të denoncojë gazetarët për shkrimet e tij, mendoj se është një shuplakë e rëndë për gazetarinë shqiptare. Thjesht mund të përkthehet: gazetarët le të lehin, shpejt do të pushojnë. Ndërsa misioni i gazetarëve është të sjellë reagim. E këtu z.Nano ka shpeshherë të drejtë, kur vëren se nga institucionet nuk ka aspak reagim. Kryeministri e ka luajtur këtë kartë në mbrojtje të fjalës së lirë, teksa kjo ishte karta që në sytë e publiku gazetarët i kthen në ca “mistrecë” pa vlerë e të pabesueshëm. Nëse askush nuk reagon, nuk ka të vërtetë, gazetat mashtrojnë të gjitha, analistët marrin rrogën, gazetarët plotësojnë orët e punës. Kjo logjikë ka kohë që ka zënë vend në sytë dhe mendjen e publikut dhe gazetaria shqiptare është kthyer në një lloj bukëpjekëse që merr formën e furrxhiut. Por nëse Kryeministri ka zgjedhur këtë lloj forme për sikterisjen e bezdisë së mediave, kryetari i PS-së ka një formë tjetër, akoma më të rënduar. Fyerjen, talljen dhe disbalancën. Sa gazetarë nga ata që “mbulojnë PS-në” nuk kanë provuar të paktën një herë në kurriz të tyre fjalën e rëndë të kryetarit të PS-së? Sa prej tyre kanë provuar talljen me profesionin? Madje kryetari edhe i mëson se si bëhet gazetari. Nuk po flasim këtu për shuplakën e rëndë që i dha ai gazetarisë, gjatë fushatës zgjedhore. Por janë të paktë ata që e kanë ngritur zërin për këtë lloj sjelljeje të kryetarit të PS-së. Një grevë konference për shtyp, mund t’i tregonte fare mirë kryetarit të PS-së forcën e mediave, por kjo është ëndërr. Si Kryeministri edhe kryetari i PS-së, refuzojnë të jenë pjesë e të paktën një media kombëtare. Kjo pastaj nis e lidhet edhe me pronarët dhe anësitë e tyre të thella. Z.Nano dhe të tjerët si ai, duhet të ngulmojnë në këtë pikë, për një rimëkëmbje të medias, sepse media besoj do të jetojë më gjatë se Berisha dhe kryetari i PS-së. Të jesh ushtar, apo oficer nuk ka ndonjë ndryshim të madh, të dy zbatojnë urdhrat.
Mbyllja e “Korrierit”
Pa paralajmërim. Pa shpjegim. Pa shpallje falimenti. Thjesht, sot ishte në treg, të nesërmen jo. Z.Lubonja, pak ditë më pas ishte me shkrimin e radhës te gazeta “Panorama”. Ndërsa shumica e gazetarëve dhe drejtuesve të “Korrierit” sot janë pa punë. Tregu i lirë?! Kapitalizmi?! Po shoqatat e gazetarëve ku janë? Po solidariteti ku është? Nëse gazetarët nuk i mbron askush, domosdo do të mbrojnë veten. Dhe veten do ta mbrojnë duke u bërë palë, sepse ndryshe flaken tutje nga sistemi. Z.Nano dhe të tjerët me fuqinë e tij, le t’i mbrojnë një herë gazetarët dhe vendin e tyre të punës, e më pas t’u kërkojë të merren me qelizën artificiale. E vërteta është se sot media shqiptare ndodhet në ditët e saj më të zeza; ka lirinë të thotë gjithçka, por nuk i besohet asgjë. Të gjithë e paragjykojnë. Sepse median, jo vetëm e kanë plagosur të tjerët, por edhe ka kryer vetëplagosje. Z. Nano, urdhëro e vihu në krye të shërimit të madh mediatik. A na e risjell dot besimin te mediat?!
Edmond Arizaj/Panorama
Krijoni Kontakt