DURRËS/ Familjet që kanë përfituar nga sistemi i kredive të buta, nuk mund të hyjnë në banesa për shkak të amortizimit të tyre
DURRËS - Pallatet e ndërtuara për banorët e pastrehë të Durrësit do t'i nënshtrohen rikonstruksionit katër vjet pas ndërtimit, për faktin e thjeshtë se në to është vjedhur totalisht rrjeti elektrik. Ndërkohë, 48 familjet që ishin shpallur fituese në fillim të këtij viti për të banuar në këto pallate, do të duhet të presin akoma. Por ditën e djeshme at kanë ngritur zërin duke deklaruar se shteti po tallej me ta.
Në fakt banorët e pastrehë të qytetit, pas tre vitesh debate në Këshillin Bashkiak për t'u strehuar, edhe kur janë pajisur me dokumentet e marrjes në dorëzim të banesave, kanë mbetur sërish në mëshirë të fatit. Pas "fitores" banorët kanë parë që pallatet ishin amortizuar plotësisht.
Dyert, dritaret, rrjeti elektrik dhe i ujësjellësit janë vjedhur. Si rrjedhojë, 48 familjet kanë protestuar këtë fillim jave para Drejtorisë së Entit të Banesave në Durrës, i cili sipas banorëve po mban peng shpërndarjen e tyre këto muajt e fundit.
Realiteti i hidhur
Lufta politike mes palëve në këshillin bashkiak të Durrësit, ku pas aleancave të reja shumicën e përbëjnë të djathtët, ka bërë që shpërndarja e banesave të zgjase disa vite. Marrëveshja u arrit vetëm kur dy pallatet e reja me 48 apartamente po shkonin drejt amortizimit total.
Të ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave punimet për ndërtimin e tyre nisën rreth 5 vjet më parë e prej 4 vjetësh këto godina në zonën e Shkozetit kanë mbetur gërmadha të vërteta. Me dhjetëra ton plehëra e inerte janë hedhur në sheshet para tyre aq sa kanë bllokuar rrugën hyrëse.
Gjendja aktuale e tyre tregon se ato janë kthyer në "geto", dhe jo banesa për të jetuar njerëz, fëmijë dhe të rinj. Që në shikimin e parë ajo që të bie menjëherë në sy, janë xhamat e thyer të dritareve, kangjellat e ndryshkura dhe objektet drejt amortizimit. Rrjeti elektrik është vjedhur, po ashtu si dritaret, dyert dhe pajisjet higjieno-sanitare.
Sipas Entit të Banesave, në ato pallate kanë shpëtuar vetëm muret, pasi persona të paidentifikuar kanë grabitur dyer, dritare dhe lavamane, rrjetin elektrik, të ujësjellësit dhe për këtë arsye pritet tenderimi i ri për të nisur rikonstruksionin e dytë të godinave. Për Bashkinë e Durrësit nga lista e gjatë e familjeve të pastreha janë hequr 48 familje që i përfituan apartamentet me kredi të butë 4 muaj më parë, por pa hyrë ende në to. Në Bashki rezultojnë të depozituara mbi 6 000 kërkesa për strehim.
Konflikti
Me gjithë gjendjen e keqe të banesave, banorët duke qenë se janë në pikë të hallit, kërkojnë që të mbledhin leckat në hyrjet e përftuara, Ata thonë se do të hyjnë brenda apartamenteve të marra me vendim të Këshillit Bashkiak, por Enti Rajonal i Banesave nuk firmos hyrjen e tyre me pretendimin se më parë duhet të kryhen disa punime shtesë, si: rrjeti elektrik, dhe punime të tjera në infrastrukturë.
Nisur nga kushtet e vështira ku ata jetojnë aktualisht, në mungesë të një çatie mbi kokë, banorët kërkojnë që të lejohen të hyjnë në apartamentet e tyre edhe pse pa kushte minimale si ujë dhe energji elektrike. Banorët thonë se janë të gatshëm të investojnë individualisht për çdo hyrje, me kushtin e vetëm që Enti i Banesave të firmosë kontratat me përfituesit e apartamenteve.
Banorët shprehen se kanë marrë një përgjigje nga Enti i Banesave në Durrës se 48 apartamentet pranë zonës së quajtur Ura e Dajlanit janë të shkatërruara e për këtë do të kontraktojnë një firmë për investimet shtesë të tyre, gjë e cila është e papranueshme për ta.
Mark Brunga/Shekulli
Krijoni Kontakt