Përfundoi manifestimi Ditët e komandant Lleshit
Tërnoc, 25 maj – Manifestimi tradicional - Ditët e komandant Lleshit, përfundoi të martën, me mbajtjen e manifestimit qendror në përvjetorin e nëntë me radhë të rënies së Ridvan Qazimit, alias komandant Lleshit.
Në këtë tubim të organizuar nga bashkësia lokale e fshatit Tërnoc, fillimisht foli, Muhamet Jashari, historian, i cili duke elaboruar për jetën dhe veprimtarinë e komandant Lleshit, theksoi se ai pati një vizion të qartë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat e tyre bëhen të pavdekshëm, e nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata fitojnë përjetësinë në zemrën e kombit, ata u ngritën për të mos rënë kurrë”, theksoi Jashari.
Bashkëluftëtari dhe bashkëveprimtari i Komandant Lleshit, Nagip Aliu, njëherësh dhe kryetar i shoqatës së luftës, duke elaboruar gjerësisht për kontributin e tij, dhënë gjatë luftës dhe gjithashtu gjatë bisedimeve që janë mbajtur gjatë luftës, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, evokoi edhe çastet kur Komandant Lleshi, me shokë i është përveshur aktiviteteve ushtarake në mbrojtje të popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës.
Pastaj, prefekti i Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur për heroin kombëtar të Luginës dhe për ish-kryenegociatorin e ekipit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Komadant Lleshin, theksoi se ‘dinjiteti kombëtar janë vlera për të cilat dhe vet komandant Lleshi u flijua”, theksoi Kamberi, duke shtuar: “u flijua për të rënë, por për të`u bërë i pavdekshëm në historinë e re të popullit shqiptar”.
Për jetën dhe veprimtarinë luftarake, politike dhe humanitare të Komandant Lleshit, folën edhe kryetari i Komunës së Dardanës (Kamenicës) Shaip Surdulli, lideri i LPD-së, Jonuz Mulsiu, ish-shefi politik i UÇPMB-së, lideri i UDSH-së, Rami Zulfiu, ai i PDSH-së, dega në Bujanoc, Sali Salihu, të cilët i vlerësuan lartë dëshmorët e kombit, që u flijuan për të mirën e çështjes së këtij rajoni.
Këtë tubim me anë të telegrameve e përshëndetën edhe shoqatat e luftës nga Kosova, dhe Maqedonia, si dhe komandanti i ish-UÇPMB-së, Shefket Musliu. /koha/
Krijoni Kontakt