Shqipëria gjatë 2010-ës do të ketë një rritje ekonomike 2.3 për qind, ndërsa gjatë 2011-ës 3.3 për qind. Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar "Parashikimi Rajonal Pranverë 2010-të: Evropa" shifrat për vendin tonë nuk kanë ndryshuar, krahasuar me fillimin e vitit. Përfaqësuesi i FMN-së, Johan Mathisen, dje gjatë një konference u shpreh se parashikimet për Shqipërinë dhe për rajonin nuk kanë ndryshuar, me përjashtim të Greqisë, për të cilën situata është përkeqësuar.

FMN-ja, e cila nuk i specifikon shtetet, por i trajton ato si një grup i vetëm, për vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, drejton thirrjen për të ulur deficitin buxhetor dhe për të konsoliduar politikat fiskale. "Ne shohim nevojën për të konsoliduar politikat fiskale dhe buxhetet në një afat të mesëm. Megjithëse masa e axhustimit nuk është e paprecedentë, ka pasur hapësira për të pasur rregullime më të mëdha. Në shumë nga vendet e Evropës nevoja është që axhustimet të jenë më ambicioze dhe të ketë rritje të koordinimit të politikave mes vendeve, politikave fiskale monetare dhe kursit të këmbimit", u shpreh Mathisen. Ai u ndal edhe tek flukset e kapitalit, duke detajuar specifikisht situatën e Shqipërisë, ku mes të tjerash vlerësoi menaxhimin e mirë që ka bërë kjo e fundit në këtë aspekt, duke pasur rritje pozitive ekonomike edhe në kohë krize.

"Një nga sfidat kryesore të politikëbërësve sot është si të tërheqin pas flukset hyrëse të kapitalit, për të siguruar investime të huaja që të rrisin punësimin, të ardhurat për vendin, por nga ana tjetër politikat duhet të jenë të balancuara. Kjo, për të mos lejuar kalimin në ekses, pra tejkalim të flukseve të kapitalit dhe në këtë pikë mendoj se Shqipëria është një rast i mirë, që ka implementuar hyrjen në tejkalim të flukseve të kapitalit", u shpreh përfaqësuesi i FMN-së. Ai theksoi se Shqipëria ka realizuar shmangien e flukseve të tepërta të kapitalit dhe ia ka dalë mbanë që të jetë më pak e prekur nga kriza, sa i përket rritjes ekonomike. "Gjithsesi, te sfidat e së ardhmes vendi juaj ka të njëjtat detyra, të rikthejë rritjen ekonomike dhe të tërheqë sa më shumë investime dhe kapital. Ky raport jep tri rekomandime politikash: e para, të zhvillojnë reforma strukturore të ndihmuara nga politikat publike si privatizimet; e dyta, nivelet e kursit të këmbimit të lirë ndihmojnë për të shmangur nivelet tepër të larta të flukseve hyrëse të kapitalit dhe po ashtu politikat e sektorit financiar, dhe mendoj që ky është një nga sukseset e Shqipërisë si faktor që ka mbajtur rritjen ekonomike në nivele pozitive", theksoi Mathisen. Sipas tij, pika e tretë është konsolidimi i politikës fiskale në term afatmesëm dhe afatgjatë.

Deficiti buxhetor

Këshilla më e lakuar e këtij raporti që FMN-ja u jep vendeve në zhvillim të Evropës është konsolidimi fiskal. Në këtë aspekt përfaqësuesi i Fondit, Johan Mathisen, shpjegoi se ky konsolidim nënkupton që nivelet e deficiteve buxhetore në vendet individuale të jenë në norma të qëndrueshme. "Për shumë vende kjo nënkupton edhe nevojën për ndryshime në politikat tatimore pra, rritje të taksave, apo ulje të shpenzimeve. Sigurisht që i takon secilit vend në mënyrë individuale që të vendosë dhe të zgjedhë mes tyre pra, nëse do të rrisë taksat apo do të mbajnë një nivel më të ulët shpenzimesh. Nga ana tjetër, tek kjo e fundit do t'i duhet të zgjedhë mes shpenzimit të të ardhurave për shumë konsum apo investime", saktësoi Mathisen. Sipas tij, realisht shumë vende në rajon kanë nevojë për një rritje të investimeve publike, që në të vërtetë përbën një sfidë, sepse për shkak të krizës, zarfi i burimeve të ndryshme fiskale është zvogëluar goxha. "Pra, ajo që ndoshta do të duhet të bëhet është që vendet të përshtatin politikat e tyre të të ardhurave dhe shpenzimeve në favor të investimeve. Të bëjnë diku tjetër ngushtime, për të favorizuar investimet. Udhërrëfyesi në këtë në këtë proces është që deficiti fiskal duhet të jetë në një nivel të besueshëm", thekon ai.

Nertila Maho - Panorama