Kuvajti shumë shpejt do ta njohë Kosovën
Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është pritur nga Princi i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kryeministri, Nasir El- Muhamed El-Ahmed Es-Sabah dhe kryetari i Kuvendit Kombëtar Xhasim Muhamed El-Harrafi.
Krasniqi i njoftoi ata me çështjen e Kosovës, zgjidhjen sui generis të saj, njohjen e shpejtë ndërkombëtare të pavarësisë, zhvillimet aktuale dhe synimet perspektive të shtetit të ri. Ai tha se Kosova pret qëndrim korrekt të GJND-së, pasi Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kryeparlamentari i kërkoi Kuvajtit njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, për ta bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai tha se vendi ynë dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin në të gjitha fushat, si partner strategjik.
Udhëheqësit kuvajtianë shprehën kënaqësinë për vizitën dhe për të arriturat e Kosovës e për njohjen e saj ndërkombëtare, duke premtuar se edhe Kuvajti do ta bëjë shpejt atë. Por siç thanë ata, deri atëherë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona duhet të thellohen.
Duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në shumë plane, Emiri i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kërkoi takim të menjëhershëm të delegacionit me kryetarin e Fondit kuvajtian për Zhvillim, i cili do të realizohet të mërkurën. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt