Erdogan ndihmon në shtimin e njohjeve, planifikon ta vizitojë Kosovën
E enjte 20 Maj 2010 15:47
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se vendi i tij do të bëjë krejt çka ka në dorë për ta përkrahur Kosovën për të shtuar numrin e njohjeve. Ai madje i ka aranzhuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, takime me zyrtarët më të lartë të Greqisë dhe të Sirisë, ku do të bisedohet për mundësinë e njohjes së Kosovës.
Erdogan i ka bërë këto komente në Ankara, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Thaçi, pas një takimi që ata kishin kokë-më-kokë.
Erdogan ka rikujtuar se Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa sot këtë vend e kanë njohur 69 shtete. “Në të gjitha platformat ndërkombëtare, jemi duke e përkrahur Kosovën, që ky numër të rritet”, ka thënë Erdogan, transmeton agjencia turke e lajmeve CIHAN.
Kryeministri turk shpalosi se edhe gjatë ditës së sotme, para se të takonte Thaçin, kishte telefonuar dhe kishte pasur biseda me drejtues të Azerbajxhanit, Katarit, Libisë, Sirisë, madje edhe të Greqisë, me të cilin vend Turqia së fundi ka përmirësuar marrëdhëniet.
“Mikun tim - Thaçin, Siria dhe Greqia e kanë ftuar të diskutojnë për çështjen e njohjes. Besojmë se do të ketë rezultate pozitive”, është shprehur Recep Tayyip Erdogan.
“Kosova për Turqinë është një vend kyç dhe me pozitë strategjike, ndërsa marrëdhëniet tona kanë lidhje historike, ndajmë vlera të përbashkëta dhe jemi vende mike dhe vëllazërore”, ka theksuar Erdogan.
“Pikëllimi i Kosovës është pikëllimi ynë, gëzimi i Kosovës është gëzimi ynë...Dëshirojmë që Kosova të jetë sa më shpejt pjesë e institucioneve euro-atlantike”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Turqisë njoftoi se planifikon që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Kosovën.
Nga ana e tij, kryeministri kosovar, Thaçi, e ka falënderuar homologun e tij për thirrjet telefonike dhe përpjekjet e tij persona dhe të shtetit të tij për shtimin e shteteve që do ta njohin Republikën e Kosovës.
Thaçi nuk ka harrur të përmendë se Turqia ka qenë një ndër vendet e para që e ka njohur realitetin e ri të krijuar në Kosovë. “Jemi dy vende mike që kemi religjion të përbashkët”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se me Turqinë do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë shtetëror, në fushën e ekonomisë, kulturë dhe në fushën e mbrojtjes.
Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se ndihet krenar që Kosova ka krijuar një ambient të favorshëm për tërheqjen e investitorëve të huaj. Ai ka ftuar me këtë rast kompanitë turke, që të vazhdojnë të investojnë në “vendin e mundësive të reja”, sikur e ka quajtur ai Kosovën. /gazeta express/
Krijoni Kontakt