-
Prishtina, zyrtarisht e ftuar në Sarajevë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi
Prishtina, zyrtarisht e ftuar në Sarajevë18-05-2010 20:08 CET
Prishtinë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha BBC-së se qeveria e Kosovës ka marrë ftesë zyrtare për pjesëmarrje në takimin rajonal në Sarajevë.
Ai tha se Kosova do të prezantohet në mënyrë të barabaratë me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në takim dhe do të ketë të drejtën e saj të barabartë për të shprehur mendimin për zhvillimet rajonale dhe integrimet evropiane.
Zoti Kuçi tha se në takimet rajonale por edhe në atë të Sarajevës, askush tjetër, përveç përfaqësuesit të institucioneve të vendit nuk mund të përfaqësojë Kosovën.
"Tanimë qeveria e Kosovës, respektivisht ministri i punëve të jashtme ka ftesë formale për pjesëmarrje në konferencën e Sarajevës. Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në atë konferencë, të japë kontributin e saj për temat që janë me rëndësi për bashkëpunimet rajonale por edhe ato në nivelin e integrimeve evropiane. Natyrisht, aty do të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me qasje që do ta ruaj dinjitetin edhe të përfaqësuesit por edhe të identitetit shtetëror."
Në pyetjen se a do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i UNMIK-ut në konferencë, Kuçi tha se, “Kosova do ta ketë përfaqësuesin e vetë në këtë konferencë dhe do të jetë si i tillë dhe si i vetëm. Por kushdo tjetër nuk i përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, zyrtarë të misionit të OKB-së në Kosovë, thonë se presin që shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier, të marrë ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Russell Geekie, i tha BBC-së se pjesëmarrja e zotit Zannier në takimin e Sarajevës është diskutuar me organizatorët nga BE-ja dhe se pret që ai të marrë pjesë atje.
"Por siç e ka thënë zoti Zannier, shumë herë ne nuk flasim në emër të institucioneve të Prishtinës. Ata i kanë udhëheqësit që flasin për vete. Qëndrimi ynë është i ngjashëm me shumë pjesëmarrës të tjerë që do të thotë se do
të donim të shihnim një pjesëmarrje të plotë në këtë takim, posaçërisht të Prishtinës dhe Beogradit. Nëse prania jonë mund të ndihmojë që të lehtësojë këtë ne jemi më se të kënaqur që të ndihmojmë, " tha Geekie.
Qëndrimi i serbëve ndaj takimit
Por, ndërkohë, autoritetet në Beograd kanë përsëritur qëndrimin se për Serbinë është e papranueshme që Kosova të paraqitet në Sarajevë si një shtet i pavarur.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka thënë se qeveria në Beograd e ka bërë të njohur qëndrimin e saj se Prishtina mund të prezantohet në takim vetëm në kuadër të Rezolutës 1244 dhe me praninë e misionit të OKB-së në Kosovë.
Takimi në Sarajevë, që pritet të zhvillohet në fillim të muajit qershor, organizohet nga kryesuesja e radhës e BE-së, Spanja, me qëllim të diskutimit të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit.
Mësohet ndërkaq se takimi në Sarajevë do të zhvillohet pa simbole shtetërore por vetëm me paraqitjen e emrave të pjesëmarrësve, megjithëse thuhet se një prej të ftuarve në kryeqytetin e Bosnjës do të jetë edhe përfaqësuesi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.
Zyrtarët në Prishtinë thonë se përfaqësimi i zotit Zannier nuk e obligon Kosovën, por BE-ja e do ta ftojë edhe atë për të kënaqur anën formale, të kërkuar kryesisht nga Beogradi zyrtar.
Takimi që do të zhvillohet me formulën “Gymnich”, në të cilin do të paraqiten ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit, parasheh që të hapen jozyrtarisht tema të ndryshme për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit dhe nuk do të obligojë asnjërin nga pjesëmarrësit në Sarajevë.
Takimi i përfaqësuesve të vendeve të rajonit do të shënojë të parën herë që delegacionet e të dyja vendeve do të ulen së bashku në një tryezë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Thuhet gjithashtu se ai mund të shërbejë edhe si pikënisje e relaksimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe hapja e mundshme e bisedimeve teknike mes të dyja vendeve. (BBC)
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt