BBC: EULEX-i heton në Durrës për krimet e UÇK-së
Pas arrestimit në Kosovë të Sabit Gecit, ish-pjesëtar i UÇK-së, nën dyshimin për krime lufte, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX ka zgjeruar hetimet edhe në Shqipëri, shkruan BBC.
Në storjen me titull “Zbulimi i rolit të Shqipërisë në luftën e Kosovës”, me autor Nick Thorp, thuhet se dhjetëra mijëra kosovarë u strehuan në qytetin e Durrësit gjatë spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1998 - 1999. Por përveç civilëve, qyteti bregdetar i Shqipërisë thuhet se ka shërbyer edhe si një bazë sekrete e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas një shkrimi hulumtues të BBC-së, hoteli “Drenica” në Durrës ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Sipas hetimeve që po zhvillohen nga Njësia për Krime të Luftës në EULEX, Geci akuzohet për torturimin dhe vrasjen e shqiptarëve të burgosur në një bazë të UÇK-së në qytetin e Kukësit në vitin 1999, të cilët dyshoheshin se punonin për organet serbe.
Hetuesit e EULEX-it kanë thënë se rreth 40 persona, të cilët ishin torturuar në Kukës, ishin mbajtur për një periudhë kohore nga UÇK-ja në Durrës.
Mes tyre kishte edhe të burgosur serbë, të cilët mbaheshin në Kukës, pasi ishin rrëmbyer dhe transportuar ilegalisht nga Kosova në Shqipëri.
Nga ana tjetër, avokatët e Gecit deklarojnë se ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe se ndodhej për një trajtim mjekësor në Slloveni gjatë periudhës së përmendur nga EULEX-i, prill - qershor 1999. /express/
Krijoni Kontakt