Sa për "Idioti", mua më ka pëlqyer shumë Nastasia, e mrekullueshme vërtetë! Është personazhi femër që e adhuroj nga të gjithë romanet e tjera që kam lexuar, për mua është padyshim më e veçanta. Femër e paparashikuar, sa e fortë aq e brishtë, sa me plot urrejtje ndaj gjithë servilëve dhe hipokritëve, dhe nganjëra anë me sa dashuri të pamatë për një njeri të vetëm, për atë që të gjithë e tallnin, ndërsa Nastasian vetë të gjithë e kishin frikë.
Nastasia është shembulli sesi mund të arrijë një femër aq e zgjuar, aq me ndjenja, aq e fortë - të shndërrohet në një qenie cinike dhe me plot urrejtje ndaj shoqërisë njerëzore të zhytur në vese, në paragjykime dhe materialiste. Një urrejtje e përbindshme dhe dëshirë për hakmarrje ndaj kësaj dukurie. S'kursente cinizmin ndaj hipokritëve, ua përplaste fytyrës, i dinte pikat e tyre të dobëta, veset dhe aty i godiste pa mëshirë që t'u çirrte maskën. Ishte aq e adhuruar dhe aq e urryer nga të gjithë.
Por, dashuria që ushqeu ajo për princin, e gjeti tërësisht të papërgatitur. Atëherë kur princi i propozon martesë që herën e parë (e fortë shumë ajo pjesa, në atë darkë prisnin që Nastasia të pranonte të martohej me Ganjan, duke qenë se për këtë bëhej darka, ndërsa na del princi me fjalë që belbëzonte, gjithë guxim

) për një çast ajo iu rikthye ëndrrave të saj: të takonte dhe jetonte me një njeri si princ Mishkini, por ajo i trembet kësaj ndjenje, lumturie, kësaj ëndrre dhe menjëherë e braktis nga frika se ngaqë ishte shndërruar në një krijesë aq cinike ndaj shoqërisë njerëzore, mund ta lëndojë princin.
Jo më kot e gjitha sjellja e saj është aq paparashikuar, aq kontradiktore, sepse brenda saj bëhej një luftë: ose të sillej ashtu siç ishte në të vërtetë, një të vërtetë që veç princi e kishte vënë re që me shikimin e parë, pra të një femre me plot ndjenja, të brishtë por që kishte vuajtur shumë në jetë... ose të vazhdonte të vetshkatërrohej vetëm duke u sjellur si njeri negativ që të përqeshë atë rreth shoqëror ku jetonte, të sillej si e pandershme, të ishte një femër e urryer prej tyre vetëm që të shijonte teatrin që luanin të gjithë. Gjithë helmin që kishte marrë prej tyre, tashmë ajo ua kthente të shumëfishuar. Bënte atë që asnjë femër s'guxonte ta bënte nga frika e paragjykimit shoqëror.
Ajo ishte një njeri i vërtetë përballë një njeriu të vërtetë – princit, dhe ishte një bishë përballë kafshëve në formë njeriu që e rrethonin.
Por zgjedh të vetshkatërrohet nga frika se mos e lëndonte më shumë princin; ajo kishte frikë nga lumturia sepse s'kishte qenë kurrë vërtetë e lumtur. Një fund i tillë edhe mund të pritej për një femër si ajo (mgjs princi e parashikon që në çastin kur e sheh për herë të parë në foto) sepse e tillë ishte: ose ta dashuroje pa kushte dhe të jetoje me të, ose ta vrisje; nuk ishte femër që mund ta lije.
Krijoni Kontakt