Ka ardhur koha

TË KONSTITUOHET KUVENDI I SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

Shkruan: Sheradin Berisha, 12. 05. 2010

Dhuna, terrori dhe persekutimi i shqiptarëve në Maqedoni s’ka të ndalur. Ekzekutimi i fundit (më 12 Maj) i katër shqiptarëve në rrethana ende të panjohura, nga njësitë speciale maqedonase, duket se i ka dhënë fund iluzioneve të kultivuara prej kohësh nga partitë politike shqiptare, se Maqedonia është shtet (është shtëpia jonë) ku mund të realizohen të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Këto të „drejta“ nuk u realizuan as në kohën kur Partia Demokratike Shqiptare „bashkëqeveriste“ me VMRO’në e Gruevskit, as gjatë kësaj periudhe që po „bashkëqeverisë“ Bashkimit Demokratik për Integrim me këtë parti antishqiptare, sepse gjatë tërë kohës VMRO’ja ka manipuluar dhe akoma vazhdon të manipuloj me PDSH’në dhe BDI’në për realizimin e qëllimeve të saja maqedonase në kurrizë të shqiptarëve.

Prandaj, për t’ja ndalur turrin kësaj të keqeje ogurzezë, ka ardhur momenti i fundit, kur të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni (pozitë e opozitë - që janë pjesë e parlamentit dhe e institucioneve tjera të Maqedonisë, por edhe ato parti jashtëinstitucionale) t’i japin fund hasmërive të tyre politike, në luftën për pushtet për këtë shtet që burgos, persekuton, vretë, masakron e ekzekuton për çdo ditë shqiptarë, dhe urgjentisht të mblidhen në Shkup apo në Tetovë, për ta themeluar KUVENDIN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI.

Ky Kuvend, (në të cilin përfshihen të gjitha partitë politike shqiptare që veprojnë në hapsirën shqiptare), fillimisht duhet ta shpallë si të pa vlerë Marrëveshjen e Ohrit, e cila për gati nëntë vjet ka mbajtur peng zgjidhjen e çështjeve elementare të shqiptarëve në Maqedoni.

Kjo nismë e padhunshme, legjitime dhe krejtësisht institucionale, përveç që jep dhe sipërfaqëson një alarm të fuqishëm para faktorit relevant ndërkombëtar dhe atij të brendshëm, gjithësesi hap rrugë për zgjidhjen e çështjes shqiptare, në këtë pjesë të etnikumit shqiptar, dhe natyrshëm përgatit terenin gjeopolitik për realizimin e integrimit të saj brenda familjes së madhe etnike shqiptare (Shqipëri, Kosovë etj.) në një shtet të përbashkët shqiptar, para se t’i bashkohemi familjes së madhe të kombeve - që quhet Bashkimi Evropian.