4 të vdekur dhe disa të plagosur është bilanci i incidentit të armatosur që gjatë natës ka ndodhur në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit. Tre nga viktimat janë identifikuar, ndërsa është duke u bërë identifikimi i viktimës së katërt.
(E plotësuar) - Policia e Maqedonisë tha se katër vetë janë vrarë nga një shkëmbim zjarri ndërmjet policisë dhe një grupi të armatosur në afërsi të kufirit me Kosovën.
Agjencitë e lajmeve transmetojnë zëdhënësin e policisë, Ivo Kotevski, të ketë thënë se katër personat janë vrarë në rrethinën e fshatit Radushë, kur policia i pengoi gjatë përpjekjes për të trafikuar armë përtej kufirit me Kosovën.
Kotevski ka thënë se katër njerëzit ishin duke udhëtuar me një furgon, në të cilin është gjetur sasi e madhe armatimi dhe eksplozivi.
MPB ka konfirmuar se në radhët e saj nuk ka të vdekur dhe të plagosur. MPB paralajmëroi se do të mbajë konferencë me mediat lidhur me këtë incident. Në fshatin Radushë deri para një ore të gjitha rrugët e fshatit kanë qenë të bllokuara nga policia, ndërsa më pas ato janë zhbllokuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informacion se mund të ketë pasur incidente në pjesën kosovare të kufirit me Maqedoninë.
Kelani tha se policia nuk ka regjistruar incident me të shtëna armësh apo ndonjë incident tjetër, për të shtuar se nëse një gjë e tillë ka ndodhur në pjesën maqedonase të kufirit, atëherë Policia e Kosovës nuk mund të japë informacione, por ajo e Maqedonisë.
Banorët konfirmojnë të shtënat
Kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Radushë, Zyqifli Saiti përshkruan ngjarjen për BBC-në:
“Incidenti ka ndodhur 11 kilometra larg fshatit Radushë, ku ndahet rruga mes fshatrave Rashçe-Radushë. Morrëm informacione se kishte krisma dhe se ishte bllokuar rruga. Nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur atje”.
* * * * * *
Disa persona janë plagosur ndërsa policia ka sekuestruar armë mëngjesin e sotëm pas të shtënave në rajonin e fshatit Radushë në Maqedoni afër kufirit me Kosovën.
Banorët e fshatrave për rreth kanë thënë se kanë dëgjuar të shtëna rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm.
Zona është bllokuar nga forcat e policisë dhe helikopterë.
Krijoni Kontakt